Dhurata
Dhuratat kanë ndikim të mrekullueshëm te njerëzit. Ato ndihmojnë në mbjelljen e dashurisë dhe mirësisë në mes tyre.Dhurata i bashkon zemrat, i nxjerr inatet dhe urrejtjet dhe shumë fjalë e arsyetime i bën të panevojshme. Dhurata është argument që tregon dëlirësinë e zemrës dhe dashurinë e saj. Dhurata është e pëlqyeshme (mustehab), sepse ajo është pjesë e mirësisë, të cilën Allahu i Madhëruar na shtyn ta arrijmë. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
”Kurrë nuk do të arrini mirësinë absolute, derisa të mos e jepni më të dashurën e pasurisë suaj…” (Ali Imran, 92).
”… Bashkëpunoni me njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri!” (Maide, 2).
”… por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, Ditës së Gjykimit, engjëjve, Librit, profetëve dhe pasurinë që e do, ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve…” (Bekare, 177)
Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Këmbeni mes njëri-tjetrit dhurata që të duheni ndërmjet vete.” ”Kush dëshiron t’i shtohet risku dhe t’i zgjatet jeta, le të ndihmojë të afërmit! (Përzgjedhur nga Buhariu)
Po ashtu, Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka transmetuar se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e pranonte dhuratën dhe ua kthente atyre me të mirë. (Buhariu)
Ibën Abdul Berri, Allahu e mëshiroftë, thotë: "I Dërguari, e pranonte dhuratën dhe e udhëzoi umetin e tij në pranimin e dhuratës, duke qenë vetë shembulli më i lartë”. Prej mirësisë së dhuratës, së bashku me ndjekjen e Sunnetit, është krijimi i dashurisë ndërmjet muslimanëve dhe zhdukja e armiqësisë ndërmjet tyre. Një poet arab ka thënë:
”Dhuratat që njerëzit i japin njëri-tjetrit krijojnë në zemrat e tyre lidhje të forta dhe mbjellin në ndërgjegjen e tyre dashuri kurse kur takohen i mbulojnë me bukuri”.
Shkruar nga Blerta Shaqiri
|