Një tregtar i ri pasi nuk kishte familje vendosi ta kryej haxhin. E shiti tërë mallin me ç'rast fitoi shumë dukat. Meqë nuk deshi që tërë këtë pasuri ta marrë me vete, i vendosi në një arkë dukatet dhe ia la amanet një miku të tij tregtar për t'ia ruajtur deri sa të kthehet prej Qabesë.
Pas haxhit të gjithë haxhinjtë u kthyen, përveç haxhiut të ri. Kaluan dy vite dhe haxhiu nuk kthehej.
Tregtari, dukatet të cilit ia kishte lënë haxhiu i ri në ruajtje, konkludoi se me siguri që ky ka vdekur dhe i dërgoi dukatet në shtëpinë e tij.
Por pas një kohe haxhiu i ri u kthye dhe posa erdhi shkoi te tregtari i cili e priti mirë, ia uroj mirëseardhjen dhe ia uroj haxhin.
Haxhiu pas kësaj ia kërkoi dukatet që ia kishte lënë në ruajtje tregtarit. Ky, thua se i çuditur e pyeti se për çfarë dukat e ka fjalën, kur nuk më ke lënë asgjë, bile edhe e sulmoi duke i thënë se do ta padisë për shpifje.
Haxhiu kthehet në shtëpi i demoralizuar për këtë sjellje të tregtarit. Bëri ibadet gati tërë natën, dhe kur e zuri gjumi, në ëndërr iu paraqit një njeri i cili e udhëzoi te një dijetar i këtij qytet, sepse ai do t' i ndihmoi t'i gjejë dukatet e humbur.
Pasi e fali namazin e sabahut u drejtua te njeriu tek i cili ishte udhëzuar në ëndërr dhe ia tregoi tërë hallin e tij. E dëgjoi me vëmendje dhe i tha që sonte të vij tek ai në darkë pas akshamit.
Kur erdhi haxhiu në mbrëmje te dijetari pa se kishte ftuar shumë njerëz për darkë, hoxhë, haxhinjë, tregtar, etj. Në mesin e të ftuarve pa edhe tregtarin që ia kishte marrë dukatet. Pas darke, dijetari iu drejtua të pranishmëve: "Ju kam ftuar për të ju treguar një ëndërr që kam parë mbrëmë". "Hajr inshallah," thanë të pranishmit. "Pashë ëndërr që vdiqa, më lanë, më mbështjellën me qefinë dhe më vendosën në varr, dhe pasi e dhashë provimin para Munkirit dhe Nekirit, përnjëherësh e pashë vetën duke dale nga varri i zbathur, si dhe shumë njerëz dilnin nga varrezat si bari, të zbathur dhe si me qenë të dehur. E pyeta njërin afër meje: "Ç'është kjo?" "Dita e Gjykimit!" më tha. Për një moment filloi thirrja një nga një, edhe mua më thirrën, dhe kur vendosën veprat e mija në Peshojë, veprat e mira mbipeshuan. Në atë moment më kapën melekët dhe më sollën në urën e Siratit, duke më thënë se nëse e kalon këtë do të hyjë në Xhenet.
Duke ecë nëpër urën e Siratit, përfundi saj dëgjoja bërtitmë, vajtim, rënkim të njerëzve që dëgjoheshin në zjarr. Në mes njerëzve pashë edhe fqinjin tim Rexhepin i cili është kasap. E pyeta: "Nga ti këtu Rexhep?""Ja Muhammed efendi, kam matur keq në peshojë"."Por të lutem më ndihmo, Muhammed efendi"."E si me të ndihmuar?""Ti e di Muhammed efendi, se njëherë pate blerë mish dhe më mbete borxh tridhjetë cent"."Po, kjo është e vërtetë", u përgjigj Muhammed efendiu. "E tani pra kthema borxhin se më nevojitet më shumë se kurrë Muhammed efendi"."Po si me ta kthyer, kur jam i zhveshur dhe i zbathur?""Më ndihmo që së paku ta flladiti njërën dorë te ti"."Dhe ia zgjata dorën time, por në atë moment dora ime filloj të digjej flakë, sa që nga tmerri jam zgjuar i tmerruar dhe i djersitur i tëri. Fala sabahun dhe shkova drejtë e në dyqanin e Rexhepit. I dhashë selam, dhe ai sipas zakonit më pyeti, çfarë mishi dëshiron?" "Jo"- i thash, por erdha me ta paguar borxhin"."Çfarë borxhi Muhammed efendi?""A ke harruar kur para disa muajve pata blerë mish dhe të mbeta borxh tridhjetë cent". Rexhepi i habitur më tha: "Muhammed efendi ky s'ka qenë kurrfarë borxhi, harroje"."Ah, Rexhep me e ditë ti çfarë kam përjetuar mbrëmë për këta tridhjetë centë".
Kur mbaroi ëndrrën të pranishmit, kërkuan leje me shkuar nga Muhammed efendiu. Duke dalë nga shtëpia tregtari iu drejtua haxhiut: "Eja me mua dhe merri dukatet që mi ke lënë amanet".
Nga ky tregim mësohet se hakun e huaj duhet kthyer në dynja, sepse në Ahiret nuk ka mundësi të kthehet!
përgatiti dr. Ali Iljazi
|