Pyetja:
Çfarë të bëj kur vjerri dhe burri pijnë alkool? Gjatë gjithë kohës së lirë që kam në punë unë e lexoj faqen tuaj dhe posa shkoj në shtëpi më vjen ndërmend t’ju pyes për shumë gjëra. Pasi që kam besim të madh tek ju, vendosa t’ju shkruaj për disa gjëra. Në familjen ku unë jam e martuar shumë shpesh shtrohet të pihet alkool me meze me mysafirë, por edhe pa ta vjerri dhe burri pijnë shpesh. Unë ju kam thenë se nuk e shërbej alkoolin, sepse unë jam besimtare e Zotit dhe fal namaz. Vjerri më ka thenë shishet me alkool mos i shërbe, por servimin mund ta bëshë. Unë kam menduar që t’i largohem totalish edhe shërbimit edhe përgaditjes së mezeve edhe prezencës time në atë ambient, por kam frikë nga përgojimet që pasojnë pastaj nga rrethi familjar se unë nuk po e ndihmoj vjerrën. Unë në mënyrë indirekte kam filluar t’i iki prezencës në këto ambiente, por kam frigë përgojimin. Ju lutem shumë, me sygjeroni çfarë të bëjë në rast se vjerri dhe burri shkojnë për të pirë alkool si mysafirë. Çfarë të bëj që ta refuzoj shkuarjen? Gjithashtu unë kam një djalë të vogël për të cilin vjerri më ka thënë kur djali t’i bëjë 1 vit kam për t’i dhënë pak raki dhe gjithashtu planifikon që kur djali të rritet pak ta marrë me vete në vendet ku ai shkon musafir për të pirë alkool. Çfarë të bëj?
Përgjigja:
Falenderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Motër e nderuar! Letrën tuaj e kemi lexuar disa herë dhe gjatë leximit sa ndjeheshim të gëzuar, aq edhe të pikëlluar. Ndjenim gëzim kur lexonim për një femër muslimane që mundohet të mbijetoj në një rreth të tillë dhe dëshiron që përkundër vështirësive me të cilat ballafaqohet mundohet të arrijë kënaqësinë e Allahut, kurse pikëllim për situatën të cilën e tregoje.
Së pari, mendojmë se shkaku i situatës që mbretëron në shtepinë tuaj është rezultat i nivelit dhe njohurive që kanë familja juaj ndaj Islamit, prandaj duke pasur parasysh këtë themi se ju para vetes keni një detyrë mjaft të rëndësishme dhe në të njejtën kohë edhe mjaft të vështirë.
Gjithashtu, që në fillim dëshirojmë t’ju përgëzoj për një veti të mirë që e keni, të cilën e pamë nga praktika e juaj se si po merreni me këtë problem. Respekti që keni ndaj anëtarve në familje, duke filluar nga vjerri dhe të tjerët është një pozitivitet që do të ndikoj, padyshim, që ju të arrini sukses në ballafaqimin me problemin. Mirësjellja rrespekti i të tjerve të krijon ty hapsirë që ti të ndikosh dhe ata të kenë mirëkuptim ndaj qëndrimeve dhe sjelljeve tuaja.
Puna e parë me të cilën të porosisim është që të vazhdosh në respektimin dhe mirësjelljen me ta, pastaj të mundohesh duke përdorur bisedat e rastësishme që të trajtosh çështjet e fesë për të cilat besoni edhe ju se ata do të pajtohen me ju. Nuk ju këshillojmë, pasi jeni në këtë rreth, që të trajtoni çështjen e alkoolit dhe ndalimin e saj, pasi ky është një kundërshtim i drejtpërdrejtë i një zakonshmërie të tyre që është pjesë e jetës për ta. Apo tema të tjera që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të tyre.
Motër e nderuar!
Dije se njerëzit përkundër veseve dhe të këqijave që i posedojnë, prapseprap ekzistojnë hapësira ku ju mund të hulumtoni te këta njerëz dhe me anë të ktyre elementeve të gjeni formën më të qëlluar ku mund të ndikoni tek ata. Islami në këtë është shumë i gjërë, nëse e shihni ju se ata janë njerëz që i japin rëndësi pastërtisë, atëherë ke hapsirë mjaft të gjërë të tregoni mirësitë e Islamit në këtë fushë dhe të sqaroni se sa i ka dhënë Islami rëndësi pastërtisë dhe pastrimit. Nëse janë njerëz që nuk janë në pajtim me lakuriqësinë dhe imoralitetin në të gjitha pikëpamjet që është përhapur kohëve të fundit, ku shumë njerëz duke mos u nisur nga ana fetare, nuk pajtohen me këtë realitet dhe e konsiderojnë këtë si fenomen i shthurrjes së ndershmërisë, nëse janë ata nga ky lloj i njerëzve, atëherë ju mund të depërtoni tek ata duke sqaruar mirësinë e Islamit në fushën e moralit dhe të tregoni se si Islami thërret në ndershmëri dhe moral të pastër. Nëse janë njerëz që thirren në ndershmëri dhe janë kundër ligësive të përhapura në shoqëri si: korupsioni, rryshfeti, padrejtësia, keqpërdorimet e paligjshme të posteve dhe situatave, atëherë keni mundësi të sqaroni mësimet islame që thërrasin në drejtësi, ndalimin e rryshfetit, korrupsionit dhe fenomeneve të ndryshme në shoqëri e kështu me radhë. I përmenda këto lartë si shembuj që të kuptojmë se Islami është i shumë më i gjërë se që mendojmë ne dhe kemi mundësi të veprojmë dhe me anë të këtyre elementëve të depërtojmë te natyrat e pastra të njerëzve dhe nga aty të fillojmë të mbjellim fidanet e pastra të besimit.
Kjo është metodologjia që e përdori edhe Profeti (salallahu alejhi ue selem) në thirrjen e njerëzve. Ka shumë raste se një fjalë e vetme apo një sjellje, e cila është manifestuar nga ai ndaj një personi të caktuar, në momentin e duhur e bëri atë person të ndryshojë totalisht nga një formë e jetës në një formë tjetër. E tërë kjo, pas dëshirës së Allahut, ishte për shkak të një sjelljeje apo fjale të qëlluar ndaj personit të qëlluar në momentin e qëlluar.
Prandaj ju këshillojmë që të jeni e vetdijshme në punën e cila po të pret, por në të njejtën kohë shfrytëzojmë rastin të të përgëzojmë se kjo nuk është edhe aq e vështirë, nëse keni parasysh se kush është ndihmësi yt, Allahu i Plotfuqishëm, pastaj nëse ju arrini ta zgjidhni metodën e qëlluar në këtë padyshim do të gjeni rezultate të frytshme.
Kurse sa i përket vendimeve tuaja themi se ju duhet të jeni më e vendosur në qëndrimet tuaja që jeni duke i marrur dhe do t’i merrni në të ardhmen. E kemi fjalën për vendimin tënd për mosshërbimin e alkoolit, të prezantuarit në ato rrethe ku serviret dhe pihet alkooli dhe praktikat e tjera që nuk janë në pajtim me Islamin. Por në të gjitha këto ju duhet të jeni i arsyeshëm dhe të sqaroni shkaqet pse largoheni nga këto vepra, e mos të lini hapësirë paragjykimeve të mundshme nga të tjerët, prej të cilave edhe tregoni se i frikësoheni. Sqarimi yt do t`i ndërprej të gjitha rrugët për këto, posaçërisht kur ju këto pavërtetësi mund t’i argumentoni edhe me praktikën dhe shërbimin që do tua bëni atyre për gjëra dhe punë të tjera.
Ajo që është e rëndësishme për ju tani është që të vazhdoni atë raport që keni me anëtarët e familjes, por të mundoheni të krijoni respekt të ndërsjellë nga të tjerët dhe vendimet tuaja të shikohen me sy reale e jo paragjykuese. Kjo realizohet duke i bindur ata se këto vendime nuk janë me qëllim të anashkalimit të tyre apo diçka tjetër, por janë vendime që kanë të bëjnë me bindjen dhe besimin tënd. Kurse që ta ndërpresësh paragjykimin të cilën e përmendët se ju nuk i ndihmoni vjerrës dëshmojeni se kjo nuk është e vërtetë në punët e tjera.
Së fundi, lusim Allahun e Lartësuar që t’ju japë sukses dhe urtësi në jetë që të arrini t`i tejkaloni këto probleme! Allahu është i Gjithfuqishëm në këtë dhe lutja e jonë e fundit është: Lavdërimi i takon Vetëm Allahut!
Alaudin Abazi