Çfarë pas Ramazanit?
Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm dhe i Pashoq, dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar Tij. I Dërguar i mëshirës, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi të gjithë shokët e tij e këdo që pason rrugën e tij.
Ramazani ishte një mundësi e madhe për të realizuar faljen dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar. S’ka dyshim se kush u angazhua dhe u përpoq, pati shansin e amnistisë së Allahut të Madhëruar. E Lus Allahun me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të Larta që t’i pranojë adhurimet (ibadetet) e besimtarëve.
Muslimani tani pas Ramazanit kujton ditët e kaluara në adhurime dhe në përjetimin e kënaqësive hyjnore, por tani pasi përfundoi Ramazani u rikthye gjendja e mëparshme, xhamitë filluan të zbrazen, muslimanët filluan të pushojnë nga adhurimet e kështu me radhë.
Vallë pse ndodh kështu, përse largohen njerëzit nga adhurimet pasi përjetuan kënaqësi?
Të kujtojmë rastin e Ebu Bekrit kur ndërroi jetë Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Ai u ngrit dhe tha: "Kush e adhuronte Muhamedin, ai ka vdekur. Ndërsa kush e adhuronte Allahun, Ai është i Gjallë dhe nuk vdes."
Me këtë rast u drejtohemi besimtarëve me fjalët se kush ka adhuruar Ramazanin, ai tashmë ka shkuar, kurse ai i cili adhuron Allahun, pa dyshim që Allahu është i Gjallë dhe kurrë nuk vdes. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë:
كُلُّ
مَنْ عَلَيْهَا فَانٍ. وَيَبْقَىٰ وَجْهُ رَبِّكَ ذُو ٱلْجَلاَلِ وَٱلإِكْرَامِ.
"Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot madhëri dhe nderim."1
Po ashtu thotë:
لاَ
إِلَـٰهَ إِلاَّ هُوَ كُلُّ شَيْءٍ هَالِكٌ إِلاَّ وَجْهَهُ لَهُ ٱلْحُكْمُ وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ
"S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij! Çdo gjë do të shkatërrohet, përveç Fytyrës (Qenies) së Tij! Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë!" 2
Të nderuar besimtarë!
Duhet të ndalemi dhe të mendojmë: ne, adhurues të kujt ishim dhe kë adhuronim? Në mënyrë të qetë le t’i japim vetes përgjigje dhe më pas mos të lejojmë që adhurimet e bëra t’i asgjësojmë me veprime jo të mira pas përfundimit të muaji të amnistisë. Allahu i Lartësuar thotë:
وَلاَ
تَكُونُواْ كَٱلَّتِي نَقَضَتْ غَزْلَهَا مِن بَعْدِ قُوَّةٍ أَنكَاثاً
"Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort..."3
Muslima i respektuar!
Mos lejoni që t’i ngjani gruas që shprish pasi e kishte punuar këmishën për një kohë. Vallë, a e lejon diçka të tillë njeriu i mençur?! Kujtohu se ishe duke falur namazin e teravive tetë ose njëzet rekate. A thua mund të shkëputesh menjëherë nga namazi vullnetar dhe nuk ke gatishmërinë të falësh as katër rekate? Ndoshta nuk e ke gjetur dhe përjetuar kënaqësinë e namazit të natës gjatë Ramazanit.
Pse vëlla vepron kështu duke e ndaluar veten prej shumë sevapeve edhe pas Ramazanit! Pse po u lë vend dyshimeve dhe përtacisë? Ke lexuar Kuranin, fjalën e Allahut të Lartësuar, apo e ke dëgjuar leximin, kurse tani nuk je prej tyre që lexon dhe dëgjon fjalën e Allahut?
Feja e Allahut të Lartësuar është e vetmja fe që ithtarëve të vet u mëson stabilitetin dhe vendosmërinë; kërkon prej tyre që ata të jenë të patundur në rrugën e drejtë dhe adhurues të denjë deri ne vdekje. Allahu i Lartësuar thotë:
فَٱسْتَقِمْ
كَمَآ أُمِرْتَ وَمَن تَابَ مَعَكَ
"Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty…"4
وَٱعْبُدْ
رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ ٱلْيَقِينُ
"Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!" 5
Të nderuar muslimanë!
Kërkohet që muslimani të jetë një personalitet i vendosur dhe i qëndrueshëm gjatë tërë jetës dhe jo një besimtar sezonal. Veprimet dhe adhurimet nuk përfundojnë me përfundimin e Ramazanit. Nuk është e hijshme për muslimanin që të jetë lëkundur, por duhet të qëndrojë i patundur në adhurimin e Allahut gjatë tërë jetës.
Të kujtojmë rastin e sahabit të njohur Hudhejfe bin el-Jeman, kur ai ishte në momentet e vdekjes. Iu afrua Abdulla bin Mesudi dhe i tha: "Më këshillo! A nuk të është ofruar vdekja?" Ai iu përgjigj: "Po pasha Madhërinë e Zotit tim. Ki kujdes mos bëhesh i larmë, ngase feja e Allahut është një."
Pasi besimtari u mësua me adhurimet e llojllojta gjatë muajit Ramazan, ai edhe më pas duhet të vazhdojë kështu, që adhurimet të jenë për besimtarin sikurse ajri dhe uji për njeriun. Ki kujdes dhe mos e mbyt besimin tënd me dembeli dhe harresë. Gjatë muajit Ramazan ke lexuar Kuranin, prandaj edhe tani ndaj një kohë për leximin e fjalës së Allahut. Gjatë Ramazanit ke falur namazin e teravive dhe namazin e natës, mos harro tani që ke kohë dhe mundësi që ta vazhdosh faljen e namazit të natës, se kështu ka vepruar Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Ramazani është muaji i agjërimit, por edhe pas Ramazanit ekzistojnë mundësitë e agjërimit vullnetar të disa ditëve si fjala vjen gjashtë ditët e shevalit. Me këto ditë jepet mundësia për të fituar shpërblimin si të agjërohet i tërë viti. Ramazani është tridhjetë ditë, një (e mirë) shpërblehet me dhjetë dhe kështu llogariten treqind ditë. Po ashtu edhe gjashtë ditë të shevalit në shpërblim janë gjashtëdhjetë dhe kështu plotësohet një vit i plotë. I Dërguari i Allahut, Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë:
من
صام رمضان ثم أتبعه ستاً من شوال كان كصيام الدهر
"Ai që agjëron Ramazanin dhe e pason duke agjëruar gjashtë ditë nga shevali, është sikur të ketë agjëruar pa ndërprerë." 6
Veprat e mira nuk ndërpriten me përfundimin e Ramazanit, por besimtari i përkushtuar angazhohet dhe përpiqet gjatë tërë vitit. Atëherë shpejtoni në vepra të mira duke e shfrytëzuar kohën. Një dijetar thoshte: "Nëse ndonjërit prej jush i humb një dërhem, tërë ditën e vajton, por po i shkon ymri dhe nuk brengoset.
Të parët e umetit islam thanë: "Agjëro në dynja, kurse iftari yt le të jetë vdekja. E tërë dynjaja për të devotshmit është muaj agjërimi, agjëron nga epshet dhe shfrenimet e ndaluara. Kur vjen vdekja, përfundon agjërimi dhe bëhet iftari."
1 Rahman, 26-27. 2 Kasas, 88. 3 Nahël, 92. 4 Hud, 112. 5 Hixhër, 99. 6 Transmeton Muslimi
Përgatiti: Ulvi Fejzullahu
|