Pyetja:
Çfarë gjykimi ka personi i cili var veten në litar për shkak të problemeve të dynjasë? A lejohet t'i falet namazi i xhenazes këtij personi?
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nuk ka dyshim se vrasja e vetes është nga veprat më të ndaluara, pa marrë parasysh se për çfarë arsye e bën njeriu këtë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos mbytni veten tuaj! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm për ju. Kush bën këtë duke tejkaluar kufijtë dhe duke bërë padrejtësi, Ne do ta hedhim atë në një zjarr të fortë. Dhe kjo është lehtë për Allahun”. Suretu Nisa, 29.
Kurse Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Kush e vret veten me diçka të hekurt, në zjarrin e xhehenemit ai tërë kohën do ta therë veten me atë hekur përgjithmonë. Kush pi helm dhe e vret veten, ai tërë kohën do të pijë helmin në zjarr të xhehenemit përgjithmonë dhe kush e rrëzon veten dhe vitet, ai tërë kohën në zjarrin e xhehenemit do ta rrëzojë veten përgjithmonë”. Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Ajeti dhe hadithi i lartpërmendur vërtetojnë shëmtinë e kësaj vepre dhe se sa mëkat i madh është vrasja e vetes. Kjo vepër llogaritet edhe si shkak që njeriu të mbetet përgjithmonë në zjarr të xhehenemit dhe se dënimi i vazhdueshëm i tij në zjarr të xhehenemit është me formën dhe mjetin me të cilin e ka kryer ai atë vepër.
Prandaj muslimani i cili e ka kuptuar Islamin siç duhet nuk ka mundësi të bëjë një veprim të tillë, pa marrë parasysh vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohet. Njeriu duhet të kuptojë se pjesë e jetës sikurse janë gëzimet, lumturitë, kënaqësitë... ashtu janë edhe hidhërimet, vështirësitë, problemet, fatkeqësitë... dhe ai duhet të mundohet t`u gjej zgjidhje atyre duke u mbështetur në Allahun e Lartësuar, pasi që në Dorën e Tij është çdo gjë, e jo të kërkoj zgjidhje me metoda të cilat edhe nuk mund të quhen zgjidhje, sikurse vrasja e vetes.
Kurse sa i përket dispozitës së këtij personi a është besimtar apo llogaritet nga jobesimtarët, pastaj a lejohet të bëjmë lutje për të ose t`ia falim namazin e xhenazes, themi se kjo vepër pa dyshim është shumë e shëmtuar dhe, ashtu siç vërejtëm më lartë, ekzistojnë citate që ndalojnë atë duke iu kërcënuar kryesit të saj edhe me përhershmëri në zjarr të xhehenemit. Por, megjithëkëtë, kjo vepër nuk është kufër dhe shirk, prandaj ai person i nënshtrohet dëshirës së Allahut, nëse do Ai e falë, nëse do nuk e falë. Në Kuran Allahu i Lartësuar thotë: “Është e vërtetë se Allahu nuk falë (mëkatin) t'i bëhet Atij shok (shirkun), pos këtij (mëkati), të tjerat i falë atij që dëshiron”. (Nisa, 116)
Kurse sa i përket citatit që përmendet në hadithin e lartshënuar: “...në zjarrin e xhehenemit ai tërë kohën do ta therë veten me atë hekur përgjithmonë ( do të thotë përjetsisht)”, nuk nënkupton detyrimisht se ai do të jetë në zjarr të xhehenemit përgjithmonë dhe nuk do të dalë nga ai kurrë më. Te Ehli Suneti sqarohet se ky hadith nuk duhet të kuptohet në formë të përgjithësuar, por është e mundur që edhe vrasësi i vetes të bëhet nga banorët e xhenetit, posaçërisht nëse ka vepra të shumta të mira. Prandaj dijetarët kur komentojnë domethënien e kësaj pjese të hadithit, thonë se ajo mund të ketë disa kuptime, prej tyre:
1. Mund të jetë për qëllim për atë person që e mbyt veten duke pretenduar se kjo vepër është e lejuar, pasi që me këtë ai ka lejuar (bërë hallall) një gjë që në Islam është e ndaluar (haram) dhe kjo është kufër.
2. Fjala “përgjithmonë” e përdorur në këtë hadith është për qëllim kërcënimi dhe vërtetimi se sa mëkat i madh është kjo vepër.
3. Kjo dispozitë (përhershmëria në zjarr) e cila përmendet në hadith është dënimi i këtij personi, por Allahu i Lartësuar me dëshirën e Tij do t`i nxjerrë nga ajo besimtarët që kanë dëshmuar me teuhid.
4. Kjo vlen vetëm për ata jobesimtarë që e vrasin veten.
Për të vërtetuar se mbytësi i vetes nuk është jobesimtar dhe nuk do të jetë përjetësisht në zjarr të xhehenemit vërteton edhe hadithi të cilin e shënon Muslimi dhe Maliku ku tregohet se njëri nga sahabët që quhej Tufejl Ibën Amër migroi (bëri hixhret) në Medine për t`iu bashkëngjitur Muahamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe së bashku me Tufejlin bëri hixhret edhe një i afërm nga fisi i tij. Kur arritën në Medine, pas një kohe të afërmit të Tufejlit nuk iu përshtat jetesa në Medinë e u sëmur. Ai nga dhimbjet që i përjetonte mori shtizën e tij (lloj shtizë që ka majë të gjatë si thikë) dhe i preu gishtat, gjaku i rrodhi furishëm derisa vdiq. Pas vdekjes Tufejli e pa atë në ëndërr në formë të mirë, vetëm se i kishte duar të mbuluara. Ai e pyeti (në ëndërr): “Çfarë bëri me ty Zoti? Ai u përgjigj: “Allahu më fali mua për shkak të hixhretit që kam bërë te Resulullahu (salallahu alejhi ue selem).” Tufejli prapë e pyet: “Çfarë ke që po t'i shoh duart e mbuluara?" Ai tha: “Më është thënë: 'Nuk do ta rregullojmë ty atë që e ke prishur vetë'”. Tufejli këtë ëndërr ia tregoi Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe ai bëri lutje tek Allahu i Lartësuar: “O Zoti im, fale edhe për duart e tij!”.
Ky hadith tregon se si Allahu i Lartësuar ia tregoi Tufejlit nëpërmjet ëndrrës, të cilin ia vërtetoi Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), se si ia fali këtij muslimani këtë mëkat, për shkak të hixhretit që kishte bërë për hir të Allahut të Lartësuar. Pa dyshim hixhreti te Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ishte një nga veprat më me vlerë për muslimanin.
Prandaj vrasësi i vetes, lejohet t`i falet namazi dhe të bëjmë lutje për të, pasi që kjo vepër nuk është kufër, por është nga mëkatet e mëdha. Por, njerëzit që janë autoritativë dhe të respektuar te të tjerët si: udhëheqësi, dijetari, hoxha i madh (i njohur) dhe të ngjashmët, kërkohet nga ata të mos marrin pjesë në faljen e xhenazes, për t`u dëshmuar njerëzve se kjo vepër është e ndaluar dhe të mos kujtojnë muslimanët e rëndomtë se ai është i kënaqur me këtë veprim që ka bërë vrasësi i vetes[1]. Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi
31.03.2007
--------------------------------------------------------------------------------
[1] “Elihtijarat Fikhije”, Bali, f. 52; “Mexhmu Fetava" Ibën Baz”, vëll. XIII, f. 122.
|