E premte, 29/03/2024, 16:08
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Akide

Çfarë e prish fjalën e mirë

Çfarë e prish fjalën e mirë 
 
 
Siç e përmendëm më parë, kjo fjalë është sa e thjeshtë, aq dhe delikate për t’u mbajtur e panjollosur, sepse siç thotë dhe dijetari i njohur i Islamit, Ibn Tejmije, kjo fjalë i ngjan një cope të bardhë ku çdo papastërti, sado e vogël qoftë, bie në sy. Do të përmbledhim këtu tri pika kryesore, bashkë me një shpjegim të shkurtër, ndaj të cilave duhet të ruhemi vetë dhe t’u tërheqim vëmendjen njerëzve të tjerë që nga mungesa e dijes mund të bien ndesh me këto parime të pastra islame.

 Shkurtimisht përmendim se gjërat që ia humbin vlerën kësaj fjale mund të përmblidhen në tri çështje:

Çështja e parë: Mohimi i ekzistencës së Zotit dhe thëniet jo të drejta për Të.

Çështja e dytë: Mohimi i adhurimit të Zotit Një dhe vënia ortak Atij në adhurim.

Çështja e tretë: Mohimi i emrave të Allahut dhe i cilësive të Tij, që janë të vërtetuara me argumente autentike ose dedikimi i këtyre cilësive krijesave.

 

Çështja e parë: Mohimi i ekzistencës së Zotit dhe thëniet jo të drejta për Të.

Kjo përmban në vetvete disa pika:

1. Mohimi i ekzistencës së Zotit ashtu siç bëjnë ateistët, të cilët  thonë: "S'ka Zot dhe jeta është materiale.” Ata ia atribuojnë krijimin dhe çdo gjë rastësisë dhe natyrës, e kështu harrojnë krijuesin e natyrës dhe të rastësisë. Allahu i Madhëruar thotë: "Allahu është krijues i çdo sendi dhe Ai është mbikëqyrës ndaj çdo gjëje."  Zumer, 62.

Pra, ateistët janë më mohues se idhujtarët arabë para se të shfaqej feja islame, bile janë edhe më mohues se djalli, sepse idhujtarët e atëhershëm e pohonin ekzistencën e një Krijuesi për ta. E këtë gjë e tregon Kurani, ku thotë për ta: "Po nëse ti i pyet: Kush i krijoi ata, me siguri do të thonë:’Allahu’.” Zuhruf, 87.

Gjithashtu, Kurani tregon se edhe djalli e pranon që Allahu është Krijuesi, ndryshe nga ateistët që e mohojnë. "Ai (djalli) tha: ‘Unë jam më i mirë se ai (Ademi), mua më ke krijuar nga zjarri, e atë e krijove nga balta’."   Sad, 76.

 2. Pretendimi i një personi se është zot, ashtu siç pretendoi faraoni, i cili tha: "...Unë jam zoti juaj më i lartë." Naziat, 24.

3. Pretendimi se ekzistojnë njerëz të shenjtë a krijesa të tjera që marrin pjesë në drejtimin e punëve të universit, me gjithë pranimin e ekzistencës së Zotit. Të këtillë njerëz që besojnë kështu janë në gjendje me të keqe nga ç'ishin idhujtarët para shpalljes së Islamit, për sa i përket një besimi të tillë. Sepse idhujtarët e pohonin se drejtuesi i punëve të universit është vetëm Allahu. Për këtë Allahu thotë: "Thuaj! Kush ju furnizon me ushqim nga qielli e toka, kush e ka në dorë të dëgjuarit e të parët (thuaj), kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe e nxjerr të vdekurin nga i gjalli, kush rregullon çdo çështje? Ata do të thonë: ‘Allahu’. Ti thuaj: ‘A nuk i frikësoheni?’ (dënimit)."   Junus, 31.

 

Çështja e dytë: Mohimi i adhurimit të Zotit Një dhe vënia ortak Atij në adhurim.

Kjo është disa llojesh:

1. Adhurimi i Diellit, Hënës, yjeve, pemëve, djallit, lopës, miut etj., nga krijesat, duke lënë adhurimin e Allahut që i krijoi këto gjëra të cilat nuk sjellin as dëm dhe as dobi. Allahu i Madhëruar ka thënë: "Nga faktet e madhështisë së Tij janë nata, dita, Dielli e Hëna. Mos i bëni sexhde as Diellit, as Hënës! Sexhde bëni vetëm Allahut, i cili i krijoi ato, nëse adhuroni vetëm Atë.” Fusilet, 37.

2. Adhurimi i Allahut duke i shoqëruar në adhurim disa krijesa, si: të ashtuquajturit “njerëz të shenjtë", të cilët shtohen dita-ditës duke mashtruar njerëzit e painformuar për vërtetësinë e mashtrimeve të tyre. Këtu bën pjesë dhe adhurimi i statujave, varrezave etj.

Këta njerëz (me të këtillë besim) ishin idhujtarët arabë para se të shfaqej Islami, të cilët e adhuronin Allahun dhe kur ishin në vështirësi i luteshin vetëm Allahut. Ndërsa kur ishin në gjendje normale e kur u largohej vështirësia, i luteshin sendeve të tjera përveç Atij. Pikërisht për ata (idhujtarë me të tillë besim), Kurani thotë: "(Idhujtarët e dinë për Allahun se) kur hipin (ata) në anije (u këputet lidhja me tokën, dhe frikësohen) i luten sinqerisht Allahut, e kur i shpëton ata (dhe dalin) në tokë, ja, po ata të njëjtit idhuj lusin.” Ankebutë, 65.

Pra Kurani i ka cilësuar idhujtarë (ortakvënës), megjithëse kur ishin në rrezik mbytjeje në det i luteshin vetëm Allahut, por nuk e vazhdonin në atë mënyrë lutjen, sepse kur Allahu i shpëtonte nga rreziku i luteshin tjetërkujt.

3. Marrja ndërmjetës mes tyre dhe Allahut.

 Mundet që dikush të thotë se ne nuk besojmë se këta “Njerëz të Zotit” janë persona që të sjellin dobi ose të dëmtojnë, por i marrim si ndërmjetës dhe përkrahës, e në sajë të tyre afrohemi tek Allahu. Përgjigja jonë për ata që thonë kështu është: Edhe idhujtarët para se të shpallej Islami kishin një besim të tillë. Ashtu siç e tregon Kurani për ta, ku thotë: "Ata përveç Allahut adhurojnë çdo gjë që nuk u bën dëm e as dobi, e thonë: ‘Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu.’ Thuaj: ‘A po e informoni Allahun me diçka që Ai nuk e di se ç'ka në qiej dhe në tokë?’ I pastër është madhëria e Tij nga ajo që i shoqërojnë!”  Junus, 18.

Ky ajet tregon qartë se kush adhuron ose lut tjetërkënd përveç Allahut është prej idhujtarëve, edhe sikur të jetë bindja e tij se ata nuk bëjnë dëm e dobi, por për të pasur përkrahjen e tyre. Allahu i Madhëruar, për të treguar karakterin e idhujtarëve, urdhëron e thotë: "... Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): ‘Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut’, s'ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E është e vërtetë se Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë, atë që është gënjeshtar, mosbesimtar.”  Zumer, 3.

Pra, edhe ajeti i sipërshënuar tregon qartë se është kufër (mohim i Allahut) t’i lutesh tjetërkujt përveç Allahut me qëllim për t’u afruar tek Ai, sepse: "lutja është adhurim" (e po t’i bëhet tjetërkujt, përveç Allahut, është mohim). Këtë hadith e transmeton Tirmidhiu  dhe është i vërtetë.

 

Çështja e tretë: Mohimi i emrave të Allahut dhe i cilësive të Tij, që janë të vërtetuara me argumente autentike, ose dedikimi i këtyre cilësive krijesave.

1. Nga gjërat që e zhvlerësojnë fjalën e mirë është dhe mohimi i emrave ose cilësive të Allahut të vërtetuara në Kuran dhe në sunetin (hadithin) e vërtetë. Si  p.sh:  të mohosh dijen e plotë të Allahut, fuqinë, jetën (të qenët i gjallë) e Tij, dëgjimin, shikimin, fjalën (të folurit) e Tij. Gjithashtu, të mohosh mëshirën e Tij, qëndrimin e Tij mbi Arshin e Vet, lartësimin e Tij mbi të etj. Këto cilësi nuk u përngjasojnë krijesave, siç e tregon qartë Fjala e Allahut të Madhëruar: "... Asnjë send nuk është si Ai, Ai është Dëgjuesi, Shikuesi."    Shura, 11.

Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar e ka mohuar përngjasimin e Tij me krijesat e Veta dhe ka vërtetuar për Vete se ka dëgjim, shikim dhe cilësi të tjera si këto.

2. Eshtë shumë gabim dhe humbje nga rruga e vërtetë të transformosh cilësitë e Tij të vërtetuara dhe të devijosh nga kuptimi i dukshëm që kanë. P.sh: si të komentosh "isteua" në kuptimin: "okupoi". Sepse fjala "isteua" ka kuptimin: "lartësim", dhe ngritje lart e më lart, ashtu siç e ka komentuar Buhariu në librin e tij të saktë. Për këtë cilësi Allahu i Madhëruar thotë: "(E ai është) Mëshiruesi që u lartësua dhe u ngrit (qëndroi) mbi Arshin."  Ta ha, 5.

 Edhe Profeti, alejhi selam, ka thënë:"Me të vërtetë Allahu shkroi një libër... i cili është tek Ai, mbi Arsh." E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

3. Me të vërtetë, Allahu i Madhëruar është cilësuar me cilësi të veçanta, që nuk i shoqërohet askush nga krijesat e Tij. Për shembull, dija e së fshehtës (të panjohurës - gajbit-). Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: "Çelësat e fshehtësisë janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush përveç Tij.” Enam, 59.

Shirku në këtë kategori përfshin edhe praktikën e zakonshme pagane që i jep Allahut cilësitë e krijesave të Tij dhe veprimet që i japin gjërave të krijuara cilësitë dhe emrat e Allahut.

(a)    Shirku nga humanizimi

Në këtë lloj shirku në esma ue sifat, Allahut i jepen format dhe cilësitë e njerëzve dhe kafshëve. Meqenëse njeriu është superior ndaj kafshëve zakonisht idhujtarët përdorin formën e tij për të paraqitur Zotin. Kështu, “imazhi” i Krijuesit shpesh pikturohet, modulohet apo gdhendet në formën e njeriut duke pasur karakteristikat e adhuruesve (njerëzve). P.sh. hindusët dhe budistët adhurojnë idhuj të panumërt në formën e njerëzve aziatikë dhe i konsiderojnë ata manifestime të Zotit në krijesa. Besimi i sotëm modern kristian, se i Dërguari Jezus ishte mëshirim i Zotit, pra Krijuesi u bë krijesa e Tij, është një tjetër shembull tipik i këtij lloj shirku. Ka pasur shumë të ashtuquajtur piktorë të mëdhenj kristianë, si Mikelanxhelo (vdiq në 1565), që e kanë pikturuar Zotin si një evropian i vjetër, i zhveshur me mjekër dhe flokë të bardhë, të gjatë e të derdhur në tavanin e një kishe.

  (b) Shirku nga hyjnizimi

Kjo formë shirku ka të bëjë me rastet kur qenieve ose gjërave të krijuara i jepen emrat ose cilësitë e Allahut. P.sh. arabët e lashtë adhuronin idhuj të cilët ata i thërrisnin me emra që rridhnin nga emrat e Allahut. Tre idhujt e tyre kryesorë ishin: El Lat, emër i marrë nga emri i Allahut, El Ilaah; El Uza, i marrë nga El Aziz, dhe El Menat, i marrë nga emri El Menan. Gjatë kohës së Resulit, alejhi selam, në rajonet e Arabisë doli një profet i rremë i quajtur Jemameh, i cili mori emrin Er Rrahman, që i takon vetëm Allahut. Midis sekteve shiite është sekti nusejri i Sirisë, që beson se kushëriri dhe dhëndri i Resulit, alejhi selam, Ali ibn Ebi Talibi, është manifestim i Zotit dhe i jep atij shumë prej cilësive të Allahut. Gjithashtu dhe ismailinjtë e konsiderojnë udhëheqësin e tyre, Aga Kanin, si Zot. Në këtë kategori përfshihen edhe Druzët e Libanit, që besojnë se halifi Fatimi, El Hakim bin Emrilah, ishte manifestimi i fundit i Allahut midis njerëzve. Deklaratat e sufistëve, se El Halaxhi është një me Zotin dhe si i tillë ekziston si manifestim i Krijuesit brenda krijesave të Tij, futen në këtë kategori shirku në esma ue sifat. Spiritualistët e ditëve moderne (njerëz që pretendojnë se janë rrugë komunikimi midis botës së të vdekurve dhe botës së gjallë sh.p.) si Shirli Meklein, J.Z.Najt etj. shpesh deklarojnë për veten e tyre se janë hyjni. Teoria e relativitetit e Ajnshtajnit (E=mc², energjia është e barabartë me masën shumëzuar me katrorin e shpejtësisë së dritës), që mësohet në të gjitha shkollat, në fakt është shprehje e shirkut në esma ue sifat. Kjo teori thotë se energjia as nuk mund të krijohet as nuk mund të shkatërrohet; ajo thjesht transformohet në materie dhe anasjelltas. Megjithatë, të dyja, materia dhe energjia, janë gjëra të krijuara dhe të dyja do të shkatërrohen, siç thotë Allahu në Kuran:  “Allahu është krijuesi i çdo gjëje …” Zumer, 62.

“Çdo gjë në të (në botë) do mbarojë (zhduket) …” Rrahman, 26.

Gjithashtu, kjo teori nënkupton se masa dhe energjia janë të përjetshme duke mos pasur fillim as mbarim, sepse ato janë supozuar të pa krijuara dhe që transformohen nga njëra te tjetra. Vetëm Allahu është pa fillim dhe fund. Pra këto cilësi i takojnë vetëm Atij.

Teoria darviniste e evolucionit është gjithashtu një përpjekje për të shpjeguar evolucionin e jetës nga format e thjeshta të saj pa ndërhyrjen e Zotit. Njëri prej udhëheqësve darvinistë të këtij shekulli, Aldous Huksli, e shpreh këtë mendim si më poshtë: “Darvinizmi hoqi tërësisht nga sfera e diskutimeve idenë se Zoti është Krijuesi i organizmave.”

Muhamed Xhemil Zejnu

Kategori: Akide | Shtuar nga: shpend-xhelili (15/10/2009)
Klikime: 738 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024