Pyetja:
Selam alejkum! Sa është e vërtetë kjo dhe kush është ky shejh Ahmedi dhe çfarë duhet të bëj me këtë letër?
“Shejh Ahmeti ishte duke lexuar një të premte Kuranin dhe ëndërronte që Profeti Muhamed i doli përpara dhe i tha: Në një javë do të vdesin 7000 njerëz dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë musliman i vërtetë, askush nuk e dëgjoi Allahun çka thoshte, ai tha do të vijnë vetëm kohërat e këqija. p.sh.: gratë të kësaj kohe nuk kujdesen për burrat e tyre, femrat shkojnë kudo dhe nuk mbulohen. Ato nuk i respektojnë prindërit dhe të tjerët. Të pasurit nuk kujdesen për të varfrit, nuk japin para ose zekat. Nuk falen as nuk agjërojnë. Dita e Gjykimit po afrohet. Kur vetëm një yll të jetë në qiell, mbyllet dera e së kaluarës. Shkrimi në Kuran do të zhduket, dielli do të zbresë në tokë. Profeti tha: Ai person që e lexon këtë mesazh duhet t’ia lexojë të tjerëve, ai duhet për ata ose për ato ta përgatisë për ditën e vendimit t’ia lëshojë vendin në parajsë. Dhe ata që nuk e besojnë këtë lajm kanë për t’u dëbuar nga parajsa. Një i varfër e mori këtë mesazh, e kopjoi dhe tha dërgoja njerëzve të tjerë dhe dëshirat e tij u plotësuan. Shejh Ahmedi tha: Mos me qenë kjo e vërtetë, nuk do të vdes si musliman. Profeti thotë: Agjëroni, faluni pesë herë në ditë, jepni para ose sadaka, keni respekt ndaj të tjerëve, mos gënjeni, mos vidhni dhe ndihmoni të varfrit. Krejt ata që e kopjojnë këtë mesazh 35 herë e shpërndan te të tjerët, do të shpërblehen pas tri ditësh. Një person e ka besuar këtë lajm dhe u shpërblye shumë. Një person që nuk e ka besuar këtë lajm, djali i tij ka vdekur. Një person tjetër thotë: Që sot ose nesër ta shpërndaj këtë lajm te të tjerët ai ka vdekur dhe ai ka mbetur pa e dërguar. Ju lutemi besoni se ky lajm është i vërtetë. Mos e lini këtë lajm mbas dore, kopjojeni dhe dërgojeni te vëllezërit dhe motrat.”
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Kjo letër nuk është e saktë dhe ajo që kërkohet të veprohet me të (pra të shpërndahet), nuk lejohet të praktikohet. Letra të këtilla, duke mos ua ditur burimin, kohë pas kohe përhapen mes muslimanëve të rëndomtë dhe fatkeqësisht nga padija shumë prej tyre i besojnë. Ndër arsyet të cilat ndikojnë që t`u besojnë atyre njerëzit është se në këto letra mund të ketë thirrje për vepra të mira dhe gjëra që i atribuohen Islamit e njerëzve të mirë e të sinqertë. Gjithashtu arsye tjetër pse njerëzit u besojnë këtyre gjërave kaq shpejt është se njeriu në natyrën e tij është i krijuar të besojë dhe derisa kjo nevojë nuk plotësohet me besim të pastër, atëherë do të mbushet me besëtytni dhe besime të kota, sikurse këto gjëra. Më herët, kur nuk ishte i përhapur interneti, këso letra përhapeshin duke u porositur që të fotokopjohet letra dhe të shpërndahet nëpër shtëpi ose te njerëzit që i njohim dhe nuk i njohim. Tani kur interneti është bërë përditshmëri e shumë njerëzve, ka letra që qarkullojnë edhe në internet dhe kërkohet të bëhet shpërndarja me postë elektronike, duke cekur “mirësitë” që do të arrijë ai që e bën këtë dhe në kundërtën “fatkeqësitë” me të cilat do të goditet ai që e shpërfill atë. Duke mos u zgjeruar më shumë, themi se nuk lejohet t`u besojmë këtyre gjërave dhe këto janë besëtytni të kota. Muslimani është i kërkuar të pasojë fenë e tij të pastër, e cila bazohet në argumente të qarta dhe të sqaruara në Librin e Allahut të Lartësuar (Kuranin) dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të. Islami nuk bazohet në ëndrra, thashetheme, besëtytni, paragjykime dhe ide të shpikura nga njerëzit. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi |