Shikova rreth vetes nuk e pashë hijen time!!
Ngrita shikimin në qiell, dielli në kupën e qiellit, nuk pashë asnjë shenjë të reve. Prapë hodha shikimin rreth vetes nuk e gjeta hijen.
Subhanallah!! Ku shkoi, ecte me mua...
U ktheva mbrapa e kërkova dhe e gjeta pranë një shkëmbi.
I thashë: Hija ime ku mbete? Pse nuk vjen pas meje që të vazhdojmë rrugën?
Hija: Jam lodhur (mërzitur) duke ecur me ty.
I thashë: Cila është arsyeja?!
Hija: sepse ti më çon në poshtërim në disa vende dhe unë nuk jam krijuar për ato. Ti bën disa veprime në shikim të jashtëm duken si të sinqerta por në brendësi është dyfaqësia, ah sikur të mos isha hija jote.
I thashë: Ti dëshiron ndarjen prej meje, kurse të tjerët dëshirojnë takimin me mua, ndoshta mos po gabon në gjykim, o hija ime.
Hija: Pasha Allahun s’po gaboj. Njerëzit shohin vetëm pjesën tënde të jashtme, por unë njoh anën tënde të brendshme.
I thashë: Çka po rreh me këto fjalë?
Hija: Qëllimin tim e di mirë, njerëzit nuk janë vazhdimisht me ty sikurse unë, sikur ta shikosh zemrën tënde, do të shohësh se është bërë e zezë.
I thashë: Cila është arsyeja e nxirosje së saj?
Hija: Mos sinqeriteti në punë dhe dyfaqësia në veprime.
I thashë: A thua deri në këtë masë ndikon kjo sjellje në zemër?
Hija: Po, vërtet sinqeriteti është bazë e veprës, saqë në një fjalë të urtë thuhet: ai i cili nuk ka sinqeritet mos të lodhet.
I thashë: Kjo pra është një çështje serioze për vetveten!!
Hija: E the të vërtetën, pa dyshim që sinqeriteti është një kapitull me rëndësi që në të mund të ndikojë shejtani kështu ta dëmtojë veprën e njeriut. Për këtë Sufjan Thevriu ka thënë: Më vështirë për mua ishte shërimi i sinqeritetit.
I thashë: Por njerëzit këtë nuk e dinë se unë veproj me dyfaqësi.
Hija: Ti a je prej atyre që në veprim ke parasysh vetëm njerëzit apo edhe Zotin e tyre. Tek Allahu i Lartësuar nuk fshihet asgjë, çdo gjë është e zbuluar në Ditën e gjykimit, trupi, shpirti, ndërgjegjja, vepra, ardhmëria. Të gjitha pengesat bien dhe sekretet zbulohen. Shoku im, atë ditë nuk të bën dobi njeriu, por vepra e bërë me sinqeritet, mbuloje adhurimin tënd, kështu që shejtani mos ta rrëmbejë. Prej të sinqertëve kishte të tillë që njëri kishte agjëruar dyzet vjet dhe nuk e dinte askush, kur dilte nga shtëpia për në treg me vete i kishte dy pjesë të bukës dhe i jepte sadaka. Në shtëpi mendonin se i ka ngrënë kurse shokët në treg mendonin se ka ngrënë ushqim në shtëpi.
I thashë: Vërtet ma ndërrove mendjen për veten time, o hija ime. Por më trego diç mbi shenjat e dyfaqësisë?
Hija: Pyete veten se ti je njohës i vetvetes.
I thashë: Mos ngurro hija ime, më trego, se vërtet kam vendosur që të jem i sinqertë, inshaAllah.
Hija: Aliu radijallahu anhu ka thënë: Dyfaqësia ka tre shenja: është përtac kur është në vetmi; është aktiv kur është me njerëz; kur lavdërohet vepron, por kur qortohet pakëson punën.
I thashë: Ah mjerë për mua, paskan humbur veprat e mia.
Hija: Ripërtëri vendosmërinë, ripërtëri besën me Allahun e Lartësuar. Çdo herë lute Allahun për sinqeritet në vepër derisa Allahu të bekojë ty në veprat tua, ashtu siç e bekoi Omer b. Abdulazizin (Allahu e mëshiroftë).
I thashë: Pas një mendimi dhe analize thashë vërtetë do të lëvizi me vendosmëri inshaAllah.
Hija: Fillo shoku im duke e angazhuar veten në sinqeritet dhe lëviz me vendosmëri para se të djegë (shkatërrojë) hija jote.
I thashë (i habitur): Çka thua?! Vallë a të dëmton hija?
Hija: Po shoku im.. Kemi dy lloje të hijeve, e ato janë:
Hija e urryer. Allahu i Lartësuar thotë: "Shkoni tek ajo hije (mjegull e tymit të Zjarrit të Xhehenemit) që ka tre degëzime. Që nuk bën as hije, as nuk mbron prej flakës.” (Murselat, 30-31)
Hija e preferuar (e pëlqyer). Është hija e xhenetit, Allahu i Lartësuar thotë: "Janë nën drunj të pemëve pa therra (pa gjemba). Të bananeve me fruta palë-palë. Nën hije të përhershme. Pranë ujit rrjedhës.” (Vakia, 28-31)
Shoku im, ke rastin të zgjedhësh se cilën hije dëshiron. Ai që e kërkon sinqeritetin nuk lodhet. (Mos harro se) era e dheut nga sinqeriteti është më e mirë sesa aroma e parfumit që vjen nga dyfaqësia.
Autori: Muhamed Deuserij
Përktheu: Valdet KAMBERI |