E premte, 19/04/2024, 12:40
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Tefsirë

Allahu i favorizoi disa prej jush mbi disa të tjerë në furnizim

Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu favorizoi disa prej jush mbi disa të tjerë në furnizim." (Nahl, 71)

Allahu i Madhërishëm në këtë ajet dhe në shumë ajete të tjera na ka lajmëruar rreth një ligji mbi të cilin e ka ngritur jetën, një ligj i cili nuk thyhet e as ndryshohet. Ai është ligji i dallimit dhe i favorizimit në furnizim.

Nëse ajetet e tjera lajmërojnë dhe vërtetojnë se furnizimi është në dorë të Allahut dhe është prej Tij, ky ajet ka ardhur për ta vërtetuar një çështje tjetër, e ajo është dallimi në mes të robërve për ndonjë arsye që dëshiron Allahu, që mund të jetë test dhe sprovim apo diçka tjetër. Mund të vëresh ndonjë shumë të mençur, të matur, racional, me aftësi për të administruar, mirëpo me furnizim të paktë. Ndërsa kundrejt këtij, mund të vëresh njeri më të paditur, i paaftë për të administruar, mirëpo me furnizim të gjerë.

Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i ka shkruar një letër Ebu Musa el Eshari, në të cilën i thotë: "Kënaqu me furnizimin tënd në këtë botë, ngase i Gjithëmëshirshmi i ka favorizuar disa robër të Tij ndaj disa të tjerëve në furnizim, sprovë për t’i sprovuar të gjithë, ta sprovojë atë që i ka dhënë se si do ta falënderojë Allahun dhe si do ta kryejë obligimin me të cilin e obligoi në atë që e furnizoi dhe i dhuroi.” Transmeton ibn Ebi Hatim.

Shevkani duke komentuar këtë ajet thotë: "Allahu ju ka dalluar në furnizim; disa robërve të Tij u ka zgjeruar furnizimin saqë do t'iu mjaftonte mijëra njerëzve, ndërsa disa të tjerëve u ka ngushtuar saqë nuk mund të sigurojë edhe shujtën vetëm se duke u kërkuar të tjerëve dhe këtë për një urtësi që nuk mund të arrijë ta kuptojë logjika e njerëzve dhe të kuptojnë realitetin e shkaqeve. Ashtu siç Allahu ka favorizuar disa robër të Tij në pasuri, Ai ka bërë dallim edhe në mendje, dije, në të kuptuarit, fuqinë e trupit dhe dobësinë, bukurinë dhe shëmtinë, shëndet dhe sëmundje dhe në situata të tjera."

Sa thamë më lart, kuptimi i ajetit është se vetëm Allahu i Lartësuar dhe askush tjetër pos Tij zotëron furnizimin e robërve të Vet, tek Ai kthehet çështja e favorizimit të disave ndaj disa të tjerëve. Robit nuk i takon gjë tjetër vetëm se ta pranojë këtë dhe t’i dorëzohet caktimit të Allahut për robërit e Tij duke mos nënkuptuar braktisjen e angazhimit, kërkimin e furnizimit dhe marrjen e shkaqeve. Kjo nuk nënkuptohet nga ky ajet, madje një kuptim i tillë është në kundërshtim me argumentet e tjera që i thërrasin besimtarët në kërkimin e shkaqeve të furnizimit dhe i nxisin ata të angazhohen në fitimin e tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut." (Xhumua, 10), kurse në hadith thuhet: "Punoni, sepse çdokujt i lehtësohet për atë që i është shkruar." Buhariu dhe Muslimi, ndërsa argumentet në këtë kontekst janë të shumta.

Duhet theksuar me këtë rast se dallimi që ka ngritur Allahu i Lartësuar ndërmjet robërve të Tij nuk është i kufizuar vetëm në dallimin material; pasuri e të mirat e tjera, por është më universal, më gjithëpërfshirës. Në këtë futet dallimi në dije, në të kuptuarit, fuqinë dhe dobësinë dhe aspekte të tjera në jetën e njerëzve. Andaj, nëse çështja qëndron kësisoj, atëherë pozicioni i duhur dhe i drejtë nga ky ligj kozmik, është të qenët i kënaqur me atë që ka caktuar dhe furnizuar Allahu duke i marrë edhe shkaqet për të arritur ajo që kërkohet dhe që është e lejuar nga aspekti fetar.

Çështja duhet shikuar nga dy aspekte. Aspekti i parë është të qenët i kënaqur, i bindur, i nënshtruar dhe i dorëzuar çështjes së Allahut dhe caktimit të Tij, dhe aspekti i dytë është angazhimi, të punuarit e asaj që kërkohet fetarisht. Ndërsa nënshtrimi negativ, i cili i paralizon lëvizjen e njeriut dhe e shtyn drejt mospunës, nuk është pozicion i drejtë dhe i pjekur, por është qëndrim i mangët dhe shikon vetëm një aspekt dhe një anë.

Ky ajet ka ndërlidhje me ajetin tjetër të sures en Nisa: "Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët." (Nisa, 32). Shkaku i zbritjes së këtij ajeti, siç është transmetuar nga Umu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ka thënë: "O i Dërguar i Allahut, burrat luftojnë kurse ne nuk luftojmë, kurse neve na takon gjysma e trashëgimisë!” Atëherë zbriti ky ajet: "Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët." Shënon Tirmidhi.
Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve, duke komentuar këtë ajet thotë: "Allahu i Lartësuar ka ndaluar që njeriu të lakmojë pasurinë e filanit dhe të familjes së tij, ndërsa i ka urdhëruar robërit e Tij besimtarë që t’i luten Atij për mirësitë".

Dije, lexues i nderuar se për shkak të padijes së disa njerëzve ndaj këtij ligji kozmik, në mesin e tyre ka depërtuar zilia, urrejtja saqë nuk mund të përshkruhet me fjalë. Sikur njerëzit ta kuptonin këtë ligj hyjnor dhe ta kujtonin atë në bashkëveprimet e tyre, jeta do të ishte ndryshe. Për shkak se disa janë larguar nga natyrshmëria në të cilën i ka krijuar Krijuesi i tyre, nuk i nënshtrohen dhe dorëzohen urdhrave të Tij, jetojnë një jetë të mjeruar, po e humbin këtë botë para botës tjetër.
E lusim Allahun e Lartësuar të na furnizojë të jemi të kënaqur me atë që na është ndarë!



 

Përgatiti: Almedin Ejupi

Kategori: Tefsirë | Shtuar nga: shpend-xhelili (19/04/2010)
Klikime: 964 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024