Pyetja:
Selamun alejkum! Allahu i Lartmadhëruar ju shpërbleftë për punën që po bëni. Desha të bëj një pyetje me disa nënpyetje. Dihet se shpirti është krijesë e Zotit të Madhërishëm, përpos se na mban të gjallë trupin tonë, a ka ndonjë ndikim tjetër te ne për shembull në veprat tona, qofshin të mira apo të këqija ato.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Një nga veçoritë e besimtarit të mirë është besimi në gajb. Fjala "gajb” rrjedh nga folja arabe gabe-jegibu, që do të thotë mungesë dhe sekret. Ndërsa në terminologji përkthehet "e fshehta”, pra besimi i muslimanit në të fshehtën. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë:
"Elif, Lâm, Mîm. Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin...”.[1]
Mirëpo, me besimin e myslimanit në të fshehtën, nuk është për qëllim, sikurse mund ti jap dikush shpjegim se njeriu beson në gjëra ashtu symbyllur. Prandaj është e domosdoshme të bëjmë një sqarim rreth besimit të myslimanit në gajb.
Çfarë do të thotë të besosh gajbin
Njeriu është qenia më e përsosur e krijuar nga Allahu i Lartmadhëruar, cilësitë dhe karakteristikat e tij janë mbi çdo gjallesë tjetër të krijuar nga Allahu i Plotfuqishëm. Prandaj edhe Zoti e dalloi njeriun me përgjegjësi dhe bartje të amanetit. Allahu i Madhëruar thotë:
"Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi...”.[2]
Mirëpo fakti se njeriu është krijesë më superiore ndaj krijesave të tjera nuk e bën atë që cilësitë dhe veçoritë e tij të jenë absolute e tërësore. Me një fjalë çdo cilësi e njeriut është e kufizuar dhe jo gjithëpërfshirëse. P.sh. syri i njeriut, me gjithë përparësitë, është i kufizuar dhe ai mund të shohë vetëm deri në një distancë të caktuar, ose nuk mund të shohë prapa mureve; pastaj edhe të dëgjuarit, nuk kemi mundësi të dëgjojmë vetëm se atë që e kemi afër; gjithashtu edhe fuqia e njeriut është e kufizuar dhe ai nuk mund të ngrejë vetëm se një peshë të caktuar dhe kështu me radhë.
Kësisoj është edhe me mendjen e njeriut, ai mund të logjikojë, mendojë, kuptojë gjërat, shumë më mirë se të gjitha qeniet e tjera, që me gjuhën e Kantit kjo quhet fuqia e njohjes tek njeriu. Prandaj ai është mbi çdo krijesë tjetër dhe në një formë apo tjetër me anë të logjikës dhe mendjes së aftë, që e posedon njeriu arrin ta udhëheqë botën.
Megjithëkëtë prapë kjo mendje është e kufizuar dhe disa gjëra nuk ka mundësi t’i perceptojë tërësisht. Filozofi David Humi thotë se mendja, sado që duket se zotëron gjithë këtë liri, ajo është "me të vërtetë e kufizuar brenda kufijve tepër të ngushtë”[3]. Për këtë, botën në të cilën ne jetojmë, ekzistojnë shumë dukuri të cilat, me gjithë arritjet shkencore, mbeten akoma të pamundura të shpjegohen dhe definohen nga ana e njeriut.
Pranimi i njeriut se mendja e tij nuk është absolute dhe është e kufizuar sikurse çdo karakteristikë tjetër në të do të thotë besimi në gajbin. Me fjalë të tjera të besojë njeriu në gajbin do të thotë që ai ta miratojë se jo çdo gjë mund të jetë e kapshme për mendjen e tij dhe jo çdo gjë mund të perceptohet drejtë dhe tërësisht nga ana e mendjes.
Qasja e besimtarit ndaj shpirtit
Pas sqarimit të gajbit themi se perceptimi i shpirtit nga ana e njeriut konsiderohet nga gjërat të cilat nuk ka mundësi t’i kuptojë ashtu si duhet tërësisht. Pra, realiteti i shpirtit, përbërja, vendi ku gjendet në trup, esenca e tij, si del nga trupi gjatë vdekjes, çfarë ndodh me të gjatë gjumit dhe shumë gjëra tjera janë realitete për të cilat njeriu shumë pak di. Kjo për faktin se të kuptuarit e këtyre gjërave janë të paperceptueshme si duhet për mendjen tonë. Prandaj edhe Zoti i Madhëruar në Kuranin Famëlartë thotë:
"Do të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: "Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni.”[4]
Thelbi i krejt asaj çfarë mund të themi rreth shpirtit është se dituria e plotë për të është veçanti e Zotit të Gjithëdijshëm, askush përveç Tij nuk di esencën e shpirtit dhe njohuria e njeriu është e ngushtë ta kuptojë tërësisht realitetin e tij. Në anën tjetër, Zoti i Madhërishëm na ka informuar me disa njohuri të përgjithshme rreth shpirtit.
Disa njohuri rreth shpirtit
Para se të flasim rreth disa njohurive të cilat përmenden në Kuran dhe Hadithe themi se shpirti në citatet sheriatike emërtohet me Err-rruh dhe En-nefs, prandaj e sakta nga mendimet e dijetarëve është se këto dy emërtime janë sinonime për shpirtin edhe pse disa kanë thënë se Err-rruh i thuhet kur shpirti është jashtë trupit dhe En-nefs emërtohet kur ai është brenda në trup.
Pastaj për t’i larguar edhe disa paqartësi themi se duhet ta kemi parasysh se të dy këto fjalë në Kuran përdoren me disa kuptime, pra janë fjalë homonime. Kështu fjala Err-rruh e ka kuptimin e shpirtit, por gjithashtu me këtë emërtohet edhe meleku Xhibril, ndërsa En-nefs, krahas përdorimit për shpirtin me këtë emërtohet edhe personi (uni i njeriut).[5]
Shpirti është i krijuar nga ana e Allahut të Lartësuar dhe ai është faktori esencial i jetës së çdo gjallese, me të ndërlidhet ekzistenca e çdo qenie e gjallë, që ka fillim e mbarim. Allahu i Lartësuar kur e krijoi njeriun e parë, Ademin alejhi selam, pasi ia dha formën, atij ia fryu shpirtin dhe me këtë filloi të gjallërohet njeriu dhe gjëja e parë që bëri ishte teshtitja dhe falënderimi i Allahut.[6]
I Dërguari i Allahut tregon se foshnja në moshën 120 ditore i fryhet shpirti, ai ka thënë: "Vërtet çdonjëri nga ju formohet në mitrën e nënës së tij dyzet ditë si pikë (nutfetun), pastaj gjak i ngjizur (alekatun) ngjashëm me këtë periodë, pastaj, bëhet copë mishi ngjashëm me këtë periodë, pastaj i dërgohet meleku dhe e frymëzon në të shpirtin (ruh)...”.[7]
Këto janë disa informacione në lidhje me shpirtin, për të cilat na ka informuar Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të.
Ndikimi i shpirtit në veprat e njeriut
Ndërsa në lidhje me atë se a ka ndikim shpirti në veprat e njeriut, që ai të bëj vepra të mira apo të këqija themi se shpirti i njeriut në vete ka karakteristika dhe cilësi, disa janë të mira dhe disa të këqija dhe varësisht nga ato njeriu ka prirje për të vepruar mirë apo keq. Sido që të jetë, dijetarët i kategorizojnë llojet e shpirtit ose veçoritë më të theksuara të tij në këto lloje të cilat nxirren nga citatet kuranore:
1- En-Nefsu Emare Bis Suë - Shpirti i prirë për të keqen:
Është për qëllim shpirti i cili kaplohet me pasimin e epsheve dhe të mëkateve. Për këtë lloj Zoti i Madhëruar thotë: "Unë nuk e shfajësoj veten, sepse shpirti (i njeriut) është fort i prirë për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im. Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirëplotë.”[8]
2- En-Nefsul Levame - Shpirti qortues:
Është fjala për shpirtin i cili sillet mes mëkatit dhe pendimit, Allahu i Madhëruar thotë: "Betohem në shpirtin qortues!”[9]
3- En-Nefsul Mutmeineh - Shpirti i qetësuar:
Shpirti i qetësuar është ai i besimtarit të pastër, Allahu i Madhëruar thotë: "O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!”[10]
Ka mendime te dijetarët Islamë se me këtë ndarje, a është fjala për llojet e shpirtrave te njerëzit, apo është fjala për karakteristikat e ndryshme me të cilat cilësohet çdo shpirt.
Dijetari i mirënjohur Ibën Kajim el Xhevzije e vërteton se shpirti është një mirëpo me këtë ndarje është për qëllim për cilësitë e ndryshme me të cilat karakterizohet shpirtrat e njerëzve në përgjithësi dhe emërtimi i secilës është varësisht cila është më e theksuar në një shpirt.[11]
Në fund themi se shpirti është i krijuar nga Zoti i Madhëruar dhe ai në vete ka cilësi pozitive të cilat e ndihmojnë njeriun të jetë në rrugën e drejtë dhe ka cilësi negative që e prijnë njeriun në veprimin e të këqijave. I shpëtuar është ai i cili i kultivon cilësitë e mira dhe kalitet me to, ndërsa humbës është ai i cili jepet pas cilësive të këqija pasi ato largojnë njeriun nga rruga e drejtë. Zoti e di më së miri!
Alaudin Abazi
[1]Bekare, 1-3.
[2]Ahzab, 72.
[3]http://njefjale.com/modules/news/article.php?storyid=90
[4]Isra, 85.
[5]"Err-rruh”, Ibën Kajim, vëll. II, f. 658-660.
[6]Hadithin e shënon Tirmidhiu.
[7]Shënon Buhariu dhe Muslimi.
[8]Jusuf, 53
[9]Insan, 2
[10]Fexhr, 27-28
[11]Err-rruh, Vëll. II, f. 665, gjithashtu edhe Shejhul Islam Ibën Tejmije e saktëson këtë në fetvatë e tij: Vëll.IX, f. 294.