Pyetja:
Selam alejkum! Vëllezër të nderuar, po paraqes një problem dhe kush mund të japë përgjigje rreth kësaj çështjeje, Allahu e shpërbleftë. Më ka rënë në dorë një shkresë dhe një foto se një vajzë 11-vjeçare, që e njoh shumë mirë (muslimane me namaz, mirëpo me sa duket dobët), ka filluar të kalojë (shoqërohet) me një djalosh të moshës së saj. Çfarë mendoni, t’u tregoj prindërve të saj apo jo, pasi prindërit kanë besim tek unë. Allahu ju shpërbleftë! Selam alejkum!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Është për të të ardhur keq kur dëgjon për vajzat dhe djemtë e kësaj moshe kaq të re, që interesohen për të ngritur raporte “dashurie” me moshatarët e tyre. Pa dyshim dëmi dhe e keqja e kësaj bie në radhë të parë te këta fëmijë, pastaj dëmi merr përmasa edhe në shoqëri, pasi gjeneratat të cilat rriten duke ia përkushtuar tërë interesimin e tyre hulumtimit për gjetjen e “princit” apo “princeshës” së jetës së tyre, duke provuar me dhjetëra lidhje që bëhen me personat e ndryshëm, gjeneratat të cilat e humbin energjinë, ambiciet dhe përkushtimin me këso gjërash, nuk është e mundur të jenë përparimtare. Kurse sa i përket pyetjes se çfarë të bëni në situatën tuaj, themi se nuk është e qëlluar të nxitoni duke ndërmarrë ndonjë hap të shpejtë. Më qartë, do të ishte e gabuar të lajmëronit prindërit e saj rreth këtij problemi. Lidhjet e këtilla për kohën tonë nuk janë edhe aq “jonormale”, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jetojmë, posaçërisht pasi fëmijët e tillë gjatë ditës mund të ndjekin tre apo katër seriale, ku tematizohen ngjarje dashurie ndërmjet të rinjve, madje edhe të moshës së tyre.
Ajo që do të ishte e qëlluar në këtë rast, do të ishte që me këtë vajzë të bisedonit pak më hapur dhe t`i tregoni se lidhjet e këtilla, posaçërisht në këtë moshë, do t`i krijojnë probleme me të cilat do të ballafaqohet tërë jetën. Fillimi i kërkimit të “dashurisë së vërtetë” me anë të aventurave të hershme që në atë moshë do t`i komplikojnë asaj shumë gjëra në jetë. Prandaj, këshillojeni të interesohet për gjërat nga të cilat do të ketë dobi në këtë botë dhe në botën e ardhshme. Mundohuni ta nxitni për mësim, mirësjellje, moral, respekt, dinjitet dhe para të gjithave që të ketë parasysh mbikëqyrjen e Allahut, i Cili është i Gjithëdijshëm për çdo lëvizje të njeriut. Pastaj edhe shoqëria e saj luan rol në drejtimin dhe rrugën që zgjedh ajo. Prandaj, nëse kuptoni se ajo ka shoqe të pasjellshme që mund të ndikojnë tek ajo, mundohuni ta ndani, natyrisht duke i sjellë alternativa të tjera, të cilat ajo do të ketë rastin t’i zgjedhë.
Këto ishin disa nga këshillat të cilat na u kujtuan për momentin dhe për shkak të kohës nuk do të zgjerohemi më shumë. Lusim Allahun e Lartësuar t’ju japë sinqeritet në thënie dhe në vepra! Amin!
Alaudin Abazi
|