Pyetja:
Selam alejkum! Në emër të Allahut, Atij të Cilit sa herë që ia përmendim emrin, nuk na ndodh asgjë e keqe as në tokë e as ne qiell. Allahu është më i dituri, Ai është i Gjithëmëshirshëm! Pyetja ime është kështu: A mund apo a është gjynah të shkoj në tyrbe të lutem? Nëse mund të shkoj, cila është dita e preferuar për të shkuar?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Motër e nderuar! Nëse pyesim çdo musliman se cila është baza mbi të cilën ndërtohet besimi islam, përgjigja do të ishte e shpejtë, e thjeshtë dhe e drejtë: Islami ndërtohet mbi maksimën "La Ilahe Ila Allah Muhamedun Resulullah”. Por, fatkeqësisht, shumë muslimanë e përsërisin këtë thënie duke mos u ndalur dhe u thelluar se pse vallë qenka aq e rëndësishme kjo fjalë në Islam dhe se a mjafton për besimtarin që vetëm ta thotë këtë dëshmi? Me këtë a plotësohet çdo gjë? Çfarë e shton edhe më shumë të keqen është edhe fakti se shumë muslimanë, edhe kur t`ia japin kuptimin kësaj fjale (pjesës së parë), e lënë të mangët dhe e përkthejnë "Nuk ka Zotë tjetër përveç Allahut”. Ky përkthim, edhe pse jep një kuptim të rëndësishëm, nuk është gjithëpërfshirës në dhënien e domethënies së plotë të kësaj fjale. Maksima "La Ilahe Ila Allah” krahas mohimit të çdo qenieje tjetër mbinatyrore që të konsiderohet zot përveç Allahut të Lartësuar, mohon edhe që t`i përkushtohet çfarëdo adhurimi dikujt tjetër përveç Atij, pasi Ai është i vetmi i denji që t`i lutemi dhe t`i kërkojmë ndihmë.
Kështu, në Islam, njeriu ashtu siç duhet të besojë Allahun si Zot të vetëm, ai gjithashtu duhet që në praktikën e tij të mos i shoqërojë Atij dikë tjetër në adhurime si lutja (duaja), kërkimi i faljes, i ndihmës, i bereqetit, i furnizimit, i shërimit nga sëmundjet, etj. Prandaj përkthimi më i saktë i domethënies së kësaj maksime do të ishte: "Nuk ka asnjë Zot që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut”.
Kemi shumë fe dhe ideologji në botë që besojnë se ekziston vetëm një qenie mbinatyrore dhe e quajnë Zot, por në praktikat e të gjitha këtyre feve (përveç Islamit) kemi rite dhe adhurime që ia dedikojnë së bashku me Zotin edhe gjërave të tjera, të cilat në fakt janë krijesa të Tij. Këto krijesa që adhurohen së bashku me Zotin te disa janë melaike (engjëj), te disa Profetë të dërguar prej Zotit, te disa njerëz të rëndomtë (e i quajnë "evlija”), te disa kafshë dhe te disa krijesa të ngurta (si kryqi, ikona, skulptura, etj.).
Ndërsa në Islam nuk pranohet asnjë hyjni tjetër të cilit mund t`i lutemi, t’i kërkojmë ndihmë, shërim dhe t`i dedikojmë ndonjë formë të adhurimit përveç Allahut të Lartësuar. Prandaj në vendfaljet e muslimanëve (xhamitë) nuk kemi diçka që adhurohet e madhërohet së bashku me Allahun e Lartmadhërishëm, ashtu si mund të gjejmë në faltoret e besimeve të tjera. Ai në Kuran thotë: "Dhe me të vërtet xhamitë janë për Allahun e ti mos e lut dikë tjetër së bashku me Allahun.” (Xhin, 18)
Motër e nderuar, pas këtyre gjërave shumë të rëndësishme që i thamë edhe njëherë e theksojmë se esenca me të cilin feja Islame dallohet nga të gjitha fetë dhe besimet tjera është kjo; ngritja dhe konsiderimi i Allahut si hyjni të vetme dhe mohimi i çdo gjëje që adhurohet dhe që pretendohet se ka këtë shkallë pa marrë parasysh a është ai engjëll që adhurohet, i dërguar që i jepen cilësi të Zotit, njeri i vdekur (i varrosur) që mendohet se ka mundësi të ndërmjetësoj tek Allahu i Lartësuar, apo edhe krijesë e ngurtë. Në islam kjo bazë quhet tevhid dhe në shqip përkthehet monoteizëm ose njëshmëri. Mbi këtë tevhid janë zbritur të gjitha librat e shenjët dhe janë dërguar të gjithë pejgamberet. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne, nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se nuk ka zot që meriton të adhurohet me të drejtë, përveç Meje (Allahut), prandaj më adhuroni Mua.” (Enbija, 25) Gjithashtu thotë: "Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij..." (El Isra, 23).
Pas sqarimit të kësaj çështjeje shumë të rëndësishme, themi se tyrbet dhe vizita e varreve të evliave me qëllim të bërjes lutje aty, të kërkimit të ndihmës e të ndërmjetësimit për tek Allahu nga ana e të varrosurve, i kërkimit të shërimit nga sëmundjet, i sjelljes rrotull rreth varrit (bërja tavaf) apo diçka tjetër të ngjashme me këto janë rite të cilat jo vetëm se nuk kanë të bëjnë me fenë e pastër islame, por këto veprime konsiderohen nga më të ndaluarat (haramet më të mëdha) që mund t`i kryejë njeriu. Këto veprime rrënojnë bazën për të cilën folëm më lart dhe sqaruam se mbi të ndërtohet besimi islam. Këto veprime të gjitha janë shirk (shoqërim i dikujt në adhurimin e Allahut).
Me vdekjen e njeriut, qoftë ai besimtar apo jobesimtar, ndërpritet lidhja me këtë botë dhe me njerëzit e gjallë dhe çdo tendencë që të krijohet lidhje mes të vdekurve dhe të gjallëve në Islam është e papranueshme. Të vdekurit kanë një formë jete që quhet Berzah dhe që dallon nga jeta e kësaj bote; ata në berzah presin Ditën e Gjykimit që të ringjallën dhe të kalojnë në jetën e botës tjetër. Nuk është aspak e saktë të mendohet se ata në atë gjendje kanë mundësi të na ndihmojnë, aq më pak të mendojmë se ata kanë mundësi të komunikojnë me Allahun dhe të ndërmjetësojnë për të gjallët dhe problemet e tyre. Prandaj madhërimi i tyrbeve, vizita e tyre dhe ndërtimi i faltoreve mbi varreza është një praktikë rreptësisht e ndaluar në Islam. Për këtë kemi disa hadithe që e sqarojnë këtë ndalesë. Ndër to veçojmë:
- Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "O Zot, mos e bëj varrin tim vend të cilin e madhërojnë njerëzit! I ka mallkuar Allahu popujt që kanë marrë varret e të Dërguarve të tyre për xhami." Shënon Ahmedi Ibn Ebi Shejbe me transmetim te vërtetë.
Kuptimi i këtij hadithi është se Muhamedi salallahu alejhi ue selem tregon se umetet e tjera, kur u vdisnin të Dërguarit e tyre, i shndërronin varret e tyre në faltore dhe vendadhurime dhe i Dërguari Muhamed, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, i bën lutje Allahut të Lartësuar që të mos ndodhë e njëjta gjë edhe me varrin e tij. Në një transmetim te Musnedi i Imam Ahmedit, Aishja e sqaron këtë thënie të Muhamedit salallahu alejhi ue selem dhe thotë se ai ua ka tërhequr vërejtjen muslimanëve që të mos bëjnë atë që kanë bërë umetet e tjera.
- Abdullah Ibn Mes'udi thotë se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: "Me të vërtetë njerëzit më të këqij janë ata të cilët do t`i arrijë Dita e Kiametit duke qenë të gjallë dhe ata të cilët i shndërrojnë varret në xhamia." Shënon Ahmedi zinxhirin e transmetuesve e cilëson të saktë Ahmed Shakiri.
- Aishja tregon se Umu Habibe dhe Umu Seleme kishin bërë hixhret në Etiopi para se të urdhërohen muslimanët të bëjnë hixhret në Medinë dhe kur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ishte sëmurë para vdekjes së tij, Ummu Seleme dhe Ummu Habibe ia kanë përmendur atij një kishë në tokat e Etiopisë të quajtur Marie. Ato ia kanë përmendur bukurinë dhe fotografitë e kësaj kishe. Aishja tregon: "Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ngriti kokën dhe tha: "Ata janë popull që kur të vdesë ndër ta një njeri i mirë (i devotshëm), mbi varrin e tij ndërtojnë faltore dhe pikturojnë piktura të tilla. Ata janë krijesat më të këqija tek Allahu.” Shënon Buhariu dhe të tjerët.
Kjo ishte sa i përket shkuarjes në tyrbe dhe realitetit se sa është e padrejtë që këto veprime t`i vishen Islamit, por fatkeqësisht shumë muslimanë nuk i kanë të qarta këto gjëra dhe mendojnë se tyrbet dhe vizita e tyre është një rit madje i kërkuar për besimtarët. Në këto pak sqarime të lartshënuara jemi munduar ta shpjegojmë këtë gabim dhe në fund të kësaj përgjigjeje themi se nëse muslimani dëshiron të shpëtojë në këtë botë dhe në botën tjetër dhe nëse dëshiron t`i bëjë dobi dëshmia "La Ilahe Ila Allah”, duhet ta rregullojë jetën, besimin dhe sjelljen në përputhje me atë që aludon kjo fjalë. Në të kundërtën, nëse njeriu e thotë këtë dëshmi, por e rrënon me praktika të këtilla, si vizita e tyrbeve, lutja e të vdekurve, kërkimi i ndihmës nga ata, atëherë ajo fjalë nuk do të ketë kurrfarë vlere kur ai të dalë para Allahut të Lartmadhëruar në Ditën e Gjykimit. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|