Pyetja:
Eselamu alejkum! Unë jam një student që jetoj jashtë trojeve shqiptare dhe më saktë në Itali. Duke qenë në një vend të tillë, shumë njerëz nga ambientet shoqërore që më rrethojnë, si në punë, në shkollë etj., më pyesin rreth Islamit, madje ka nga ata që kanë shprehur interesim të veçantë rreth fesë së Allahut. A mund t'u dhuroj këtyre personave Kuran, duke ditur se ata nuk janë të pastër (janë xhunubë) kur e lexojnë atë? Zoti jua shpërbleftë me më të mirin shpërblim e na bashkoftë në xhenet me të mirët! Amin!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Dhurimi i Kuranit jobesimtarit, qoftë ai i krishterë, çifut ose tjetër, qofshin të pastër apo të papastër, nuk është i lejuar, ngase në këtë veprim ka përbuzje dhe përçmim për Kuranin Fisnik. Transmeton ibn Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka ndaluar të udhëtohet me Kuran në tokën e armikut (shënon Buhariu dhe Muslimi), ndërsa në versionin e Muslimit qëndron: “Nga frika se mos ta marrë (kapë) armiku”. Duke qenë se ata nuk e dinë vlerën e Kuranit, mund ta përbuzin, ta grisin, ta shqelmojnë e të ngjashme. Por, në rast se vërehen shenjat e interesimit për fenë e Allahut, siç thua, apo vërehen shenjat e përqafimit të Islamit nga ana e tyre, atëherë s’prish punë t’u jepet Kurani që ta lexojnë, me shpresë se do ta përqafojnë Islamin. Në këtë kontekst, mund të përmendim se edhe i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, u dërgonte shkresa disa jobesimtarëve, në të cilat ishin të shkruara ajete nga Kurani. Mirëpo, më mirë është t’u jepet atyre përkthimi i domethënieve të Kuranit në gjuhën të cilën e flasin ata. Allahu di më së miri!
Almedin Ejupi
|