Pyetja:
Selam alejkum! Kam një pyetje, a më lejohet mua si grua të shpërndaj letra (flyer) me qëllim për të pasur edhe jomuslimanët mundësi që të njoftohen për Islamin, edhe pse burri nuk dëshiron që unë ta bëj këtë punë? Allahu i Lartësuar ju shpërbleftë për punën tuaj me xhenetin më të lartë!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Martesa në mes burrit dhe gruas nënkupton për të dy marrjen përsipër të përgjegjësive dhe obligimeve ndaj njëri-tjetrit. Obligimet dhe përgjegjësitë e burrit janë mjaft mirë të sqaruara në vendet përkatëse ku sqarohen këto dispozita, po ashtu edhe përgjegjësitë dhe obligimet e gruas sqarohen aty. Prandaj unë nuk do të flas për këto gjëra, por ju, nëse dëshironi të dini më shumë, mund të lexoni librat që flasin për këtë tematikë. Ndër obligimet e gruas karshi burrit të saj është që të mos dalë jashtë shtëpisë vetëm se me lejen e burrit. Gjithashtu prej të drejtave të burrit është që, për të larguar çdo paragjykim dhe dyshim që do të mbillte shejtani në zemrën e tij, të dijë se me çfarë pune merret gruaja e tij dhe me kë mban kontakte dhe lidhje, qofshin ato kontakte edhe me internet, pasi kjo ndikon në mbarëvajtjen e këtij bashkimi që është kurorëzuar me martesë mes tyre. Prandaj mendojmë se në rastin tuaj ju duhet ta dëgjoni burrin tuaj dhe të kuptoni se me këtë, edhe pse ndoshta lini ndonjë mirësi dhe kontribut, arrini të kënaqni burrin tuaj, që ai të jetë i lumtur me ju. Kjo është parësore për çdo grua dhe ju këshillojmë që të mos preokupoheni me këtë, pasi është e mundur që shejtani të fusë në zemrën tuaj pakënaqësi, posaçërisht pasi mund të mendoni se ju ndaloheni nga një punë e hairit. Për këtë ju duhet të mendoni për atë që do ta gjeni tek Allahu i Lartësuar për këtë lënie, që pa dyshim është shumë më shumë. Me këtë nuk themi që ju të mos tentoni me fjalë të mira dhe të bëni që burri i juaj t`ju kuptojë se çfarë dëshironi të veproni. Por megjithëkëtë e drejta e burrit në këtë gjë është e arsyeshme, xhelozia te burri është më e theksuar dhe ju jeni e tij. E nëse ai e dëshiron këtë, atëherë mos e kundërshtoni, se nuk keni ndonjë gjë pozitive në këtë. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|