Pyetja:
Es-selamu alejkum të dashur mësimdhënës! Fillimisht lus Allahun azze ue xhel t’ju shpërblejë për gjithë këtë mund që jepni për t'ia mësuar popullit tonë fjalën e Allahut azze ue xhel, duke i inkurajuar që njëherazi edhe ta respektojnë atë. Kisha një pyetje për ju, duke shpresuar se do përgjigjeni me të gjitha opsionet e përmendura nga ulematë e Ehlu Sunetit (sipas mundësisë), bazuar në rrethanat dhe mundësitë në të cilat hyn çështja që parashtrohet në pyetje. Allahu ju bekoftë! Pyetja: Im atë punon tërë ditën; ka një orar të tillë të stëngarkuar, për të cilin do çuditej çdokush që do dëgjonte. A i lejohet babait tim që të falë akshamin dhe menjëherë pas saj jacinë (pra t'i bashkojë këto dy namaze), në kohën kur koha e përcaktuar për namazin e jacisë veçse ka hyrë, për shembull dy orë pas jacisë, e në mos edhe më vonë, pasi deri në atë kohë gjendet në obligime të tjera e punë? Pra, thënë troç, pasi të hyjë koha e jacisë, a lejohet të falë akshamin e më pas jacinë dhe sa është i vlefshëm namazi, të cilit veçse i ka kaluar koha, e që po falet e bashkëngjitet me namazin tjetër vijues? Allahu ua shpërbleftë dhe ju gradoftë në xhenetet e larta me të dashurit e Allahut subhanehu ue teala! Amin! Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Bashkimi i namazit të akshamit me atë të jacisë, qoftë në kohën e akshamit apo të jacisë, është i lejuar vetëm në raste specifike, si: udhëtimi, gjatë haxhit dhe në pamundësi të faljes së këtyre namazeve në kohën e përcaktuar për shkaqe të arsyetueshme. Në rastin e babait tuaj, themi se ai duhet të tentojë që ta falë namazin në kohën e përcaktuar, qoftë edhe në vendin e punës. Mendojmë se, edhe nëse shkakton pakëz telashe, ai nuk duhet të heqë dorë nga kjo. Falja e namazit nuk merr kohë shumë, posaçërisht namazi i akshamit është më i shkurtri; ai mund ta falë farzin e akshamit në më pak se pesë minuta, pa marrë parasysh në zyrë, korridor, jashtë apo kudo. Prandaj nuk është e lejuar që për një bezdisje apo situatë të palakueshme për prindin tuaj, ta lërë këtë namaz për më vonë, posaçërisht ta bëjë këtë shprehi gjatë gjithë kohës kur gjendet në punë. Allahu i Lartësuar thotë: "...E kush është i devotshëm (u përmbahet dispozitave të Allahut), atij Allahu i hap rrugë." (Talak, 2) Por nëse në asnjë mënyrë nuk ka mundësi ta falë akshamin me kohë dhe për këtë është munduar, por nuk ia arrin, atëherë mund ta falë në kohën e jacisë, por ai duhet gjithmonë të mos e rehatojë veten me këtë praktikë, por duhet gjithmonë të hulumtojë mundësitë e faljes së akshamit në kohën e përcaktuar. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|