Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nga pyetjet e lexuesve përsëritet disa herë pyetja rreth emrave, qoftë për emrat e tyre personalë, qoftë për emrat që i kanë dëgjuar dhe u pëlqejnë, prandaj edhe dëshirojnë të dinë domethënien e tyre. Me këtë rast do të bëjmë një sqarim rreth emrave dhe se me çfarë kritere bëhet emërtimi i fëmijëve nga këndvështrimi Islam.
Është e vërtetuar se udhëzimi i Profetit (salallahu alejhi ue selem) ka qenë se ai i donte emrat që kishin domethënie të mirë dhe urrente emrat që kishin domethënie të keqe. Ai (Bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) gjithashtu, sqaroi edhe për emrat e dashura tek Allahu i Lartësuar dhe ato të urryera. Në një hadith thotë: “Emrat më të dashura tek Allahu i Lartësuar janë Abdullah dhe Abdurrahman, më të sinqertat janë: Harith dhe Humam, kurse më të shëmtuarat tek Ai janë: Harb dhe Murre.”[1]
Gjithashtu, Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) tregon se emrat më të poshtëruara dhe më të këqija, janë emrat me të cilat i bëhet shirk Allahut të Lartësuar. Ai thotë në një hadith të saktë që e transmeton Buhariu dhe Muslimi: “Vërtet emri më i poshtëruar tek Allahu i Lartësuar është që njeriu të quhet Melikul-emlak (Sunues i të gjithë sunduesve)” Ibën Ebi Shejbe në transmetimin e tij i shton këtij hadithi edhe këtë pjesë: “Nuk ka sundues absolut, përveç Allahut të Lartëmadhëruar”
Nga tradita e Resulullahut (salallahu alejhi ue selem) ka qenë se ai i ndryshonte emrat që kanë në të domethënie mëkati, shirku apo edhe preference (tezkije) të tepruar.
Ibën Kajimi në librin “Zadul mead” tregon se si e ndryshoi emrin Asije[2] (Mëkatare) në Xhemile (e bukur). Gjithashtu Ebu Daudi tregon se si Resulullahu e ndërroi emrin Harb (luftë) në Silmë (Paqë). Pastaj transmetohet se ai ka ndryshuar edhe këto emra: El As (mëkatarë), Shejtan (djall), Gurab (korb), etj.
Nga kjo që u tha deri më tani, kuptuam se në Islam janë të lejuar emrat që kanë kuptim të mirë dhe ndalohen emrat që kanë kuptim të shirkut, mëkatit apo emrat që kanë kuptime të shëmtuara.
Nuk është kusht që emrat të jenë në gjuhen arabe, por lejohet të jenë edhe në gjuhë të tjera. Prandaj, me këtë rast, i këshillojmë ata vëllezër dhe motra që e kanë emrin në gjuhën shqipe dhe emri i tyre ka domethënie të mirë si: Besnik, Bujar, Dorlir, Vlera, etj, mos ta ndryshojnë pasi në këtë nuk ka kurrfarë preferimi.
Gjithashtu, nuk është kusht që emri të jetë i shkruar në Kuran apo i përmendur në hadithe, ashtu si mendojnë disa. Me rëndësi është që emri të ketë domethënie të mirë.
Kurse sa i përket emrit Dijar apo Diar, lejohet t`i lihet fëmijës ky emër, kurse domethënia e tij në gjuhën arabe është Vendlindje, por nuk besoj se ky emër e ka prejardhjen nga arabët, pasi nuk është e njohur tek ata emërtimi me këtë. Ky emër më shumë është i përhapur te turqit dhe ata emërtojnë me të, kurse domethënia e tij në gjuhën turke është Shtet. Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi
17.10.2006
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Abdullah – Rob i Allahut; Abdurrahman-Rob i Mëshiruesit; Harith- Njeri i cili është punëtor dhe realizues (fitimtar); Humam- Njeri që ka ambicie të larta; Harb- Luftë; Murre- i hidhur, (Hadithi nga disa muhadithinë është i cilësuar hasen, transmetoi Ebu Daudi, Bejhakiu dhe të tjerët).
[2] Asije; këtu është për qëllim emri që fillon me bashkëtingëlloren arabe (ajn) عاصية, ع pasi ajo do të thotë “mëkatare”, për dallim nga emri i cili fillon me zanoren elif, آسيا që është emri i gruas së faraonit, kjo e ka pranuar Islamin, ndërsa emërtimi me këtë është i lejuar.
|