Pyetja:
Esselamu alejkum hoxhë i nderuar! Një shoqja ime e cila është rreth të dyzetave, që prej 10 ditësh është në dyshim nëse duhet ta fal namazin apo jo, pasi kur shkon në banjë, vëren disa pika gjaku (shumë pak) të cilat anojnë nga e bardha d.m.th ngjyrë kafe e hapur. Para disa ditëve ajo ishte me perioda dhe mbasi i mbaruan, ajo mori gusëll dhe u fal. Por mbas disa ditësh, vërejti këtë fenomen të cilin e përmenda më lart. Pyetja ime është: në këtë rast a duhet të fal namaz ajo apo jo pasi kjo gjendje po zgjat, siç e shkrova më lart, që prej 10 ditësh. Allahu jua shpërbleftë!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Gjaku i cili rrjedh rëndom nga femra jashtë periudhës së menstruacioneve nuk konsiderohet menstruacion por është Istihada, pa marrë parasysh a është shumë gjakderdhja apo disa pika. Istihada është gjendja kur gruaja ka hemorragji (gjakderdhje nga organi seksual) jashtë kohës së menstruacioneve dhe të lehonisë.
Femra me istihada është e pastër dhe nuk konsiderohet e papastër ashtu si konsiderohet gjatë rrjedhjes së gjakut të menstruacioneve, prandaj ajo duhet ta falë namazin me rregull dhe i lejohet leximi i Kuranit, hyrja në xhami, itikafi, agjërimi, prekja e Kuranit etj..
Prandaj shoqja juaj konsiderohet e pastër dhe duhet ta falë namazin me rregull. Të vetmen gjë që duhet ta bëjë ajo nëse ka rrjedhje të këtij lloji është ta pastrojë vendin e të marrë abdest dhe kështu ajo llogaritet e pastër.
Ndërsa nëse rrjedhja është e vazhdueshme dhe nuk ndalet tajitja, atëherë ajo llogaritet të jetë "sahibetu udhër”, person i arsyetuar, që nënkupton se obligohet të marrë abdest në fillim të hyrjes së kohës së çdo namazi dhe ajo mbetet me atë abdest duke mos e prishur edhe pse ka gjakderdhje, derisa të kalojë ajo kohë e namazit. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|