Allahu i Lartësuar thotë: “(Kjo është) Kaptinë të cilën Ne e shpallëm dhe Ne e bëmë detyrim të domosdoshëm (zbatimin e dispozitave që theksohen në të) dhe Ne parashtruam në të argumente të qarta në mënyrë që të merrni mësim. (dispozitë obliguese është që) Laviren dhe lavirin t’i rrahni, secilin prej tyre me nga njëqind të rëna, dhe në zbatimin e dispozitave të Allahut mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre dyve, nëse jeni që besoni Allahut dhe botës tjetër. E gjatë zbatimit të ndëshkimit ndaj tyre, le të jenë të pranishëm një numër besimtarësh.” [Nurë, 1-2]
Kjo sure fillon me një shpallje të fuqishme e të vendosur, e cila me përmbajtjen e saj obligon me ligje e urdhra, me edukatë e karakter, sikur që tregon interesimin e madh të Kur’anit për faktorin moral në jetë, për origjinalitetin e tij në akiden islame dhe për pikëpamjen islame ndaj jetës njerëzore.
“(Kjo është) Kaptinë të cilën Ne e shpallëm dhe Ne e bëmë detyrim të domosdoshëm (zbatimin e dispozitave që theksohen në të) dhe Ne parashtruam në të argumente të qarta në mënyrë që të merrni mësim.” Sure në kuptimin gjuhësor do të thotë “e zbritura fisnike”, andaj edhe kaptinat e Kur’anit janë quajtur sure.
“(Kjo është) Kaptinë të cilën Ne e shpallëm.” Ky është një paralajmërim që duhet të kemi një kujdes të vëmendshëm ndaj kësaj sureje që nuk i mohon e as nuk i kundërshton suret tjera.
“dhe Ne e bëmë detyrim të domosdoshëm (zbatimin e dispozitave që theksohen në të).” Muxhahidi dhe Katade thonë: Ne sqaruam hallallin dhe haramin, urdhrin dhe ndalesën si dhe ligjet. Buhariu thotë: Kush e lexon “feradna” thotë: Ua obligojmë juve dhe atyre që vijnë pas jush. Ndërsa, Ibn Kethiri dhe Ebu Umeri e lexojnë me teshdid “ferradna” që do të thotë: E kemi ndarë pjesë pjesë gjatë zbritjes së saj.
“dhe Ne parashtruam në të argumente të qarta në mënyrë që të merrni mësim.” Andaj, sikur që e vërejmë, fillimi unik në Kur’an, i tëri hetohet në këtë sure, dhe e re në këtë është fjala (feradnaha) që nga fillimi, dhe synimi me këtë është pohimi i fuqishëm i marrjes së tërë asaj që gjendet në këtë sure me një tretman të njëjtë. Obligueshmëria e moralit dhe karakterit është e njëjtë si obligueshmëria e ligjeve dhe ndëshkimeve. Këto parime të edukatës dhe të moralit që janë të ngulitura në natyrshmëri, si dhe ato të cilat i harrojnë njerëzit nën ndikimin e joshjeve dhe devijimeve, me të gjitha këto i përkujtojnë këto ajete të qarta duke i kthyer në logjikën e natyrshme, të pastër e të qartë.
“(dispozitë obliguese është që) Laviren dhe lavirin t’i rrahni, secilin prej tyre me nga njëqind të rëna, dhe në zbatimin e dispozitave të Allahut mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre dyve, nëse jeni që besoni Allahut dhe botës tjetër. E gjatë zbatimit të ndëshkimit ndaj tyre, le të jenë të pranishëm një numër besimtarësh.”
Në fillim të Islamit dispozita për lavirët dhe laviret ishte në suren Nisaë: “Ato nga gratë tuaja që bëjnë imoralitet (zina), kërkoni që kundër tyre të dëshmojnë katër vetë prej jush (burra); nëse vërtetohet me dëshmitarë (imoraliteti), mbyllni ato në shtëpia derisa t’i marrë vdekja ose derisa Allahu të përcaktojë ndonjë rrugë për to.” [Nisaë, 15] Që për femrën ishte mbyllja e saj në shtëpi dhe ofendimi i saj me fjalë, ndërsa për meshkujt vetëm ofendimi me fjalë. Pastaj Allahu e zbriti dispozitën për zina (imoralitet) në suren Nurë, dhe kjo ishte “përcaktimi i ndonjë rruge për to” e paralajmëruar më parë në suren Nisaë. Ky ajet fisnik përmban dispozitën për dënimin e lavirit, dhe dijetarët në këtë kanë komente dhe mendime të ndryshme, ngase laviri ose është beqar, që është ai i cili s’është i martuar, ose që ka qenë i martuar, dhe të jetë i lirë (jo rob), moshërritur dhe i mençur (jo i marrë). Nëse është beqar dënimi i tij është një qind shkopinj sikur që përmendet në ajet, kësaj i shtohet edhe largimi (dëbimi) i tij një vit nga vendi i tij, sipas shumicës (xhumhurit) së dijetarëve, që këtë e kundërshton Imam Ebu Hanife duke thënë se “largimi një vit” kthehet dhe mbështetet në mendimin e gjykatësit. Argumenti i xhumhurit në këtë është hadithi në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit që e transmeton Zuhriu nga Ebu Hurejre lidhur me dy beduinët që erdhën te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe njëri prej tyre tha: O i Dërguar i Allahut, biri im ka punuar me mëditje te ky njeri dhe ka bërë amoralitet (zina) me gruan e tij, kam dhënë si shpagim për birin tim 100 dele e qengja. Kam pyetur njerëzit e dijes dhe më thanë se djali yt duhet të dënohet me 100 të goditura me shkop dhe me dëbim një vit nga vendi, ndërsa gruaja e këtij duhet të dënohet me rrexhm (gjuajtje me gurë deri në vdekje). I Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, do të gjykoj mes jush me Librin e Allahut! Qengji dhe delet të kthehen ty, ndërsa për birin tënd është dënimi me njëqind të goditura me shkop dhe dëbim nga vendi një vit, ngrihu o Unejs – një person nga fisi Eslem – dhe shko te gruaja e këtij, nëse pranon se ka bërë zina, atëherë bëji rrexhm!”, shkon Unejsi tek ajo dhe ajo pranon se ka bërë një gjë të tillë dhe i bëri rrexhm. Në këtë ka argument se laviri dëbohet një vit nga vendi me gjithë dënimin me njëqind goditje me shkop nëse është beqar, ndërsa i martuari dënohet me rrexhm Ndërsa, Imam Ahmedi thotë se i martuari dënohet me të dyja, me goditje me shkop dhe me rrexhm, që është në kundërshtim me mendimin e xhumhurit. Për këtë argumenton me transmetimin nga emirul mu’minine Ali bin Ebi Talib r.a., i cili kur u soll Seraha që kishte bërë zina dhe ajo ishte e martuar, e dënoi me njëqind shkopinj të enjten, ndërsa të premten e dënoi me rrexhm dhe tha: E dënova me shkop sipas Librit të Allahut, ndërsa e dënova me rrexhm sipas Sunnetit të të Dërguarit. Transmeton Muslimi nga Ubadete bin Samit, i cili thotë: Ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Merreni nga unë, merreni nga unë, sepse Allahu bëri një përcaktim (zgjedhje) për to, beqari me beqaren njëqind shkopinj dhe dëbim nga vendi një vit, ndërsa i martuari me të martuarën njëqind shkopinj dhe rrexhm.”
Fjala e Allahut: “dhe në zbatimin e dispozitave të Allahut mos u tregoni zemërbutë ndaj atyre dyve.” Që do të thotë në gjykimin me ligjin e Allahut mos u tregoni zemërbutë e për ta lënë dënimin, që kjo nuk ndalon atë mëshirën e natyrshme në ekzekutimin e ligjit, por mëshirën që mund të nxitë gjykatësin apo ekzekutuesin për ta anuluar dënimin, e një gjë e tillë nuk lejohet. Muxhahidi thotë: Bëhet ekzekutimi i ligjeve dhe i procese nëse çështjet ngriten te sovrani. Ka ardhur në një hadith: “Rune njëri tjetrin prej ekzekutimeve, sepse çështjet që ngrihen tek unë, obligohet (ekzekutimi i tyre).”, ndërsa në një tjetër thotë: “Një ekzekutim i bërë në tokë është më i mirë për banorët e tokës se sa të bie shi dyzet mëngjese.” “nëse jeni që besoni Allahut dhe botës tjetër.”
Dhe fjala e Allahut: “E gjatë zbatimit të ndëshkimit ndaj tyre, le të jenë të pranishëm një numër besimtarësh.” Në këtë paraqitet një ndëshkim tipik për të dy lavirët kur të goditen me shkop para prezencës së njerëzve, që në këtë ka sharje dhe qortim skandaloz kur bëhet para masës së gjerë.
Hasen Basriu thotë: Do të thotë publikisht. Imam Maliku thotë: Një numër besimtarësh-grup (taife) llogariten katër persona e më shumë, ngase dëshmia në zina nuk pranohet nëse janë më pak se katër persona. Nasr bin Alkame thotë: Kjo nuk është për t’u bërë skandal, por që të lutet Allahu që ata t’i pranojë me pendim dhe t’i përfshijë me mëshirë.
|