E diel, 22/12/2024, 03:14
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 3
Vizitorë: 3
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Tefsirë

Komenti I Sures “nurË” – (pjesa III)

Allahu i Lartësuar thotë:
“Laviri nuk do të duhej të martohej me tjetërkë, pos me ndonjë lavire ose idhujtare, e me laviren nuk do të duhej të martohet kush, pos ndonjë lavir o idhujtar. Ajo (kurvëria ose martesa me të) është e ndaluar për besimtarët.” [Nurë, 3]

Dijetarët kanë mospajtime rreth kuptimit të këtij ajeti dhe ndahen në katër interpretime:

1.”La jenkih” do të thotë të mos ketë marrëdhënie seksuale me të, ky është mendimi, të cilin e përmend Taberiu në transmetimin nga Seid bin Xhubejri, Ibn Abbasi dhe Ikrime duke thënë se qëllimi i ajetit është shëmtimi i zinasë (amoralitetit) dhe poshtërimi i çështjes së tij, dhe kjo është e ndaluar (haram) për besimtarët.
Kuptimi i fjalës “nikah” do të thotë “marrëdhënie seksuale” sikur që thotë Ibn Abbasi, kuptimi i këtij ajeti është: Laviri nuk bën marrëdhënie në kohën kur ai bën zina, përveç se me një lavire nga muslimanët apo me dikë tjetër më e mirë se ajo nga idhujtaret (mushriket), që do të thotë se nuk është zina përveç se me një lavire.

2.”La jenkih” do të thotë akti (i kurorës) si transmetohet nga Ebu Davudi dhe Tirmidhiu se Merthed bin Ebi Merthed sillte robërit në Mekë, atë kohë në Mekë ishte një lavire që quhej Anak dhe ishte e dashura e tij. Ai thotë: Erdha te Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe i thashë: A ta bëj aktin e kurorës me (d.m.th. ta martoj) Anakin? Thotë: Heshti (Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ndaj meje. Më vonë zbriti: “...e me laviren nuk do të duhej të martohet kush, pos ndonjë lavir o idhujtar.” [Nurë, 3] dhe më thirri e ma lexoi këtë ajet dhe tha: “Mos e kurorëzo (mos e marto) atë!”
Hattabi thotë: Kjo është specifike vetëm për këtë grua ngaqë ishte jobesimtare, ndërsa për laviren muslimane nëse bëhet akti i kurorës me të, nuk prishet (kurora).
Thuhet se ky ajet ka zbritur për Ehlu Suffeh, të cilët ishin disa burra nga muhaxhirët që nuk kishin shtëpi e as familje në Medinë, rrinin në një pjesë të ndarë të xhamisë dhe numri i tyre sillej në katërqind burra. Ditën kërkonin rizkun duke punuar, ndërsa natën strehoheshin në pjesën e ndarë të xhamisë (suffe).
Në Medinë gjendeshin disa lavire që vepronin haptas me prostitucion dhe që ishin të pasura e me veshmbathje dhe ushqim të bollshëm. Disa prej Ehlu Suffeh donin që të martoheshin me to dhe të kalonin në shtëpitë e tyre, të hanin nga ushqimi i tyre dhe të vishnin nga rrobat e tyre. Zbriti ky ajet si mbrojtje e tyre nga kjo.
Këtë mendim e thotë Ibn Ebi Salih.

3.Mendimin e tretë e përmend Zexhaxhi nga Haseni, këtë mendim e mbajnë edhe disa nga shafi’itët, “la jenkih” do të thotë nuk e bën kurorën, e që qëllimi është: Laviri mbi të cilin është bërë ekzekutimi i dënimit për zina dhe lavirja mbi të cilën është bërë ekzekutimi i dënimit për zina (d.m.th. laviri e lavirja të dënuar për zina). Thotë: Ky është gjykimi i Allahut dhe nuk lejohet që laviri i dënuar (për zina) të martojë dikë tjetër përveç se laviren e dënuar (për zina).
Në Musannefin e Ebu Davudit transmetohet nga Ebu Hurejre, i cili thotë: Ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Laviri i dënuar (për zina) nuk marton dikë tjetër përveç se të ngjashëm me të (lavire të dënuar për zina).”
Transmetohet se një lavir i dënuar ka martuar një lavire të padënuar dhe Aliu radijallahu anhu i ka ndarë ata.
Ibn El-Arebij thotë: Ky kuptim nuk qëndron as si teori sikur që nuk vërtetohet as në transmetim.

4.Mendimi i katërt thotë se ka kuptimin “akt (i kurorës)”, por është deroguar (anuluar). Transmeton Maliku nga Seid bin Musejjib, i cili thotë: “Laviri nuk marton përveç se ndonjë lavire ose idhujtare, dhe lavirja nuk martohet përveç se me ndonjë lavir ose idhujtar”, thotë: Ky ajet është deroguar (anuluar) me ajetin vijues: “Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit)!” [Nurë, 32]
Këtë mendim e mban edhe Ibn Amr, i cili thotë: Lavirja hyn në kuptimin e fjalës “të pamartuarat” e muslimanëve.
Nehasi thotë: Ky mendim është që e mbajnë shumica e dijetarëve.
Dijetarët për fetva thonë: Ai që bën zina me një femër ka të drejtë ta martojë atë, por edhe tjetri ka të drejtë ta martojë atë. Ky është mendimi i Ibn Umerit, Ataut, Tavusit, Malik bin Enesit dhe Ebu Hanifes dhe bashkëmendimtarëve të tij.
Shafiu thotë: Çështja në këtë është ashtu si thotë Seid bin Musejjib, që është i deroguar (anuluar) inshaAllah.
Si përmbledhje e kësaj është ajo që thotë Ibn El-Arebij: Ajo që unë mendoj është se “nikahu” ka dy kuptime që mund të synohen me të, “marrëdhënie seksuale” sipas asaj që thotë Ibn Abbasi, apo “akt i kurorës”.
Nëse me këtë synohet marrëdhënia, atëherë kuptimi i këtij ajeti është: Nuk bën zina përveç se me një lavire, dhe kjo është shprehje se marrëdhënia ndodh nga mashkulli dhe nga femra dhe që zinaja është bërë nga të dy palët. Që sipas kësaj mund të komentohet ajeti kështu: Marrëdhënia seksuale me një lavire bëhet vetëm nga një lavir apo nga një idhujtar, dhe ky koment është i drejt. E nëse thuhet: Moshërrituri bën zina me një vajzë të vogël, apo me një femër të çmendur, apo me një femër që është duke fjetur, dhe zinaja është bërë nga mashkulli, dhe ky është një lavir që ka bërë marrëdhënie me një jolavire. Ne themi: Kjo është zina në të gjitha anët, vetëm se prej njërës palë bie ndëshkimi dhe nuk bëhet ekzekutimi i dënimit mbi të, ndërsa mbi palën tjetër po.
Nëse me këtë synohet akti (i kurorës - martesa), atëherë kuptimi i tij është: Ai që e marton një lavire që ka bërë zina, dhe ai ka bërë marrëdhënie me të para se ajo të pastrohet (fjala është të pastrohet mitra e lavires nga sperma e derdhur në të përmes zinasë, e që kjo të bëhet me një cikël menstruacionesh para martesës), atëherë ai mashkull është në rangun e lavirit, përveç se mbi të nuk bëhet ekzekutimi i dënimit për shkak të divergjencës së dijetarëve në këtë. Por, nëse e ka martuar, por që nuk ka bërë marrëdhënie me të derisa është pastruar, kjo është e lejuar me konsensus.


Allahu i Lartësuar thotë:
“Edhe ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrahni ata me nga tetëdhjetë të rëna dhe atyre mos ua pranoni dëshminë më kurrë. Të tillët janë të pabesueshëm.” [Nurë, 4]


Ky ajet ka zbritur për shpifësit dhe përgojuesit. Seid bin Xhubejr thotë: Shkaku i zbritjes së këtij ajeti është rasti i Aishes – nënës së besimtarëve – radijallahu anha që shpifën për të, por thuhet se ky ajet ka zbritur shkaku i shpifjes dhe përgojimit në përgjithësi e jo për incidentin e Aishes r.a.
Në këtë është gjykimi me rrahje për atë që shpif për gruan e ndershme, e cila është e lirë (jo robëreshë), moshërritur dhe e papërlyer. Po edhe nëse i sulmuari me shpifje është mashkull, shpifësi dënohet me tetëdhjetë goditje me shkop sipas mendimit unanim të të gjithë dijetarëve.
Nëse shpifësi sjell argumente për atë që thotë, ai lirohet nga dënimi, por nëse nuk sjell argumente për atë që thotë, atëherë obligohemi që ndaj tij të marrim masat vijuese, tri dispozitat lidhur me të:
1.Rrahet me shkop tetëdhjetë goditje.
2.Dëshmia e tij refuzohet përgjithmonë dhe nuk pranohet asnjëherë.
3.Ai është njeri i pamoralshëm, i pabesueshëm dhe nuk është i drejtë as te Zoti e as te njerëzit.


Për shpifjen ekzistojnë nëntë kushte te dijetarët:
-Dy kushte kanë të bëjnë me shpifësin, e ato janë: Të jetë i mençur (jo i marrë) dhe të jetë moshërritur.
-Dy kushte kanë të bëjnë me sendin e shpifur, e ato janë: Të sulmohet me shpifjen e marrëdhënieve seksuale që obligojnë ekzekutimin e dënimit, e që janë zinaja (amoraliteti) dhe homoseksualizmi.
-Ndërsa, pesë kushte kanë të bëjnë me të sulmuarin me shpifje, e ato janë: Të jetë i mençur (jo i marrë), moshërritur, musliman, i lirë (jo rob) dhe i papërlyer me atë që është sulmuar.


Kjo është bërë në këtë mënyrë që të mbrohet shoqëria nga përhapja e lajmeve shpifëse, ku me këtë ngushtohet mundësia e pranimit të dëshmisë së një, dy apo tre personave. Nuk pranohet dëshmia e tyre, madje llogaritet si shpifje që meriton ndëshkim me të rrahura me shkop përderisa nuk e sjellin personin e katërt që me të vërtetë kanë parë zinanë duke u bërë.
Kjo masë është bërë për të mbrojtur nderin e njerëzve nga sulmet, për ruajtjen e njerëzve, dhe mu për këtë arsye bëhet ashpërsimi në dënimin e shpifjes, që është i përafërt me dënimin e zinasë, tetëdhjetë shkopinj, duke mos pranuar më dëshminë e tij asnjëherë, dhe etiketimin e tij “i pamoralshëm dhe i pabesueshëm”.
Dënimi i parë është trupor, i dyti është edukativ ku tretmani i tij bie para njerëzve dhe mes tyre ec i pandehur dhe fjalës së tij nuk i besohet më! Dënimi i tretë është fetar, që ai është me besim të dobët, i cili e ka nxjerr jashtë rrugës së drejtë.
E tërë kjo do t’i ndodh shpifësit, vetëm nëse ai i sjell katër dëshmitarë që kanë parë incidentin e veprës, ose edhe tre të tjerë që kanë qenë me të, atëherë fjala e tyre është e drejtë dhe pranohet, dhe me këtë rast mbi ata që kanë bërë zina ekzekutohet dënimi i zinasë.


Allahu i Lartësuar thotë:
“Me përjashtim të atyre që më vonë pendohen dhe përmirësohen, vërtet Allahu është që shumë falë e mëshiron.” [Nurë, 5]


Dijetarët janë të pajtimit se përjashtimi këtu nuk ka të bëjë me rrahjen me shkop të shpifësit.
Por, ata kanë mospajtime lidhur me: Përjashtimin se a ka të bëjë me heqjen e cilësisë “i pamoralshëm dhe i pabesueshëm”, e të mbetet dëshmia e tij e papranuar? Apo dëshmia e tij pranohet me rastin e pendimit të tij?
Tre imamët, Maliku, Ahmedi dhe Shafiu mendojnë se me rastin e pendimit të tij, dëshmia e tij pranohet dhe i hiqet gjykimi (cilësimi) “i pamoralshëm, i pabesueshëm - fasik”.
Imam Ebu Hanife thotë: Përjashtimi ka të bëjë vetëm me fjalinë e fundit, që do të thotë i hiqet cilësimi “i pamoralshëm, i pabesueshëm - fasik” me rastin e pendimit të tij, por që dëshmia e tij nuk pranohet asnjëherë.
Sha’biu dhe Dahaku thonë: Nuk pranohet dëshmia e tij edhe nëse pendohet, përveç nëse e pranon kundër tij se ka bërë një përgojim të madh në shpifjen e tij, atëherë i pranohet edhe dëshmia.
Shevkani zgjedh mendimin e Malikut, Ahmedit dhe Shafiut se përjashtimi ka të bëjë me pranimin e dëshmisë së tij dhe heqjen e gjykimit (cilësimit) “i pamoralshëm, i pabesueshëm - fasik” duke argumentuar me mendimin e Zexhaxhit, i cili thotë: Krimi i shpifësit nuk është më i rëndë se ai i jobesimtarit (kafirit), i cili me rastin e pendimit dhe përmirësimit të tij, me plotë të drejtë i pranohet dëshmia e tij. Ndërsa, fjala “kurrë” ka të bëjë me kohën kur ai është duke shpifur, sikur që thuhet nuk pranohet dëshmia e jobesimtarit, d.m.th. përderisa ai vazhdon të jetë jobesimtar.

Kategori: Tefsirë | Shtuar nga: shpend-xhelili (15/08/2009)
Klikime: 708 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024