Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa, ata të cilët shpifin për gra të veta dhe nuk kanë dëshmitar tjetër pos vetes, dëshmimi i çdonjërit prej tyre është: të betohen katër herë në Allahun se e thonë të vërtetën. E pesta (herë e betimit) është: Mallkimi i Allahut qoftë mbi të nëse ai gënjen. E nga ajo (gruaja e shpifur) largohet dënimi, nëse katër herë betohet në Allahun se ai (shpifësi) gënjen. E pesta herë e betimit të jetë që ta goditë hidhërimi i Allahut, atë (gruan) nëse shpifja ka qenë e vërtetë. Dhe sikur të mos ishin dhurata dhe mëshira e Allahut ndaj jush (ju do të mbaronit). Pa dyshim Allahu pranon pendimin, është i gjithëdijshëm.” [Nurë, 6-10] Shpifja e burrit për gruan e tij bën përjashtim nga gjykimi i shpifjes së përgjithshme, ngase ai obligohet të sjellë katër dëshmitarë, gjë që është një lodhje e madhe për të dhe e pamundshme. Kërkohet që burri të mos e akuzojë gruan e tij përveç se duke qenë i bindur dhe i sigurt, sepse me këtë vihet në pyetje (shpifet) nderi dhe autoriteti i tij si dhe njolloset dinjiteti i fëmijëve të tij. Për këtë arsye, për këtë lloj të shpifjes është bërë një gjykim i veçantë, e që është të mallkuarit e gruas së tij (mula’anetu) duke e sjellë atë para gjykatësit me paraqitjen e akuzave të tij kundër saj për bërjen zina (imoralitet). Gjykatësi kërkon prej tij të betohet katër herë duke dëshmuar në Allahun, si zëvendësim të katër dëshmitarëve, se ai po e thotë të vërtetën, “e pesta (herë e betimit) është: Mallkimi i Allahut qoftë mbi të nëse ai gënjen”. Nëse ai e bën këtë, atëherë mbi të zbatohen dispozitat vijuese: 1. Gruaja ndahet përgjithmonë prej tij me rastin e aktit të mallkimit, ky mendim është sipas Shafiut dhe të një grupi të madh të dijetarëve. 2. Ajo grua bëhet haram (e ndaluar) për të përgjithmonë. 3. Ia jep asaj mehrin e saj. 4. Ekzekutohet mbi gruan dënimi për zina dhe nuk i evitohet dënimi, përveç nëse mallkon duke dëshmuar në Allahun katër herë se ai (burri) po gënjen në atë që akuzon dhe “e pesta herë e betimit të jetë që ta goditë hidhërimi i Allahut, atë (gruan) nëse shpifja ka qenë e vërtetë. Dhe për këtë thotë: “E nga ajo (gruaja e shpifur) largohet dënimi” do të thotë ekzekutimi “nëse katër herë betohet në Allahun se ai (shpifësi) gënjen, e pesta herë e betimit të jetë që ta goditë hidhërimi i Allahut, atë (gruan) nëse shpifja ka qenë e vërtetë.” 5. Fëmija i saj, nëse është shtatzënë, nuk i atribuohet burrit, por gruas. D.m.th nuk i jepet origjina e burrit, por i jepet origjina e gruas. 6. Nuk akuzohet (shpifet) fëmija. Kush e bën një gjë të tillë dënohet për shpifje me tetëdhjetë goditje shkopi. Pas kësaj Allahu përmend mëshirën dhe mirësinë e Tij ndaj krijesave të Tij në këtë duke iu ofruar zgjidhje dhe lehtësim në këto situata, në të cilat ai ndjehet keq dhe është i shqetësuar rëndë, ku thotë: “Dhe sikur të mos ishin dhurata dhe mëshira e Allahut ndaj jush (ju do të mbarojshit).” Do të thotë: do të mbarojshit, do të vuanit shumë dhe do të ishte shumë vështirë për ju në shumë çështje të juaja. “Pa dyshim Allahu pranon pendimin” e robërve të Tij, edhe nëse bëhet pas betimit dhe dëshmimit të rëndë. “Është i gjithëdijshëm e i urtë” në atë që vendos dhe cakton, në atë që urdhëron dhe ndalon. Kanë ardhur edhe shumë hadithe që obligojnë veprimin sipas këtij ajeti dhe përmendin edhe shkakun e zbritjes së tij dhe për kë nga sahabët ka zbritur. Shënon Ahmedi hadithin që transmetohet nga Ibën Abbasi, i cili ka thënë: Pasi zbriti “Edhe ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme...” ajeti i mëhershëm, Sa’d bin Ubade r.a. që ishte udhëheqës i ensarëve, tha: A kështu ka zbritur o i Dërguar i Allahut? I Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “O ju ensarë, a po dëgjoni çfarë thotë udhëheqësi juaj?” Ata thanë: O i Dërguar i Allahut, mos e fajëso atë, sepse ai është njeri xheloz. Për Zotin, ai nuk ka martuar ndonjë grua përveç se të virgjër (beqaresh), dhe nuk ka shkurorëzuar ndonjë grua të tij e që nga xhelozia e tij ndonjëri prej nesh ka hezituar ta martojë atë (grua). Sa’di tha: Për Zotin, o i Dërguar i Allahut, unë e di se ajo është e vërtetë dhe është prej Allahut, por unë jam habitur, se po ta gjeja Luka’an (emër gruaje) që është ulur mes kofshëve të saj një njeri e të mos e nguci apo të mos e lëvizi (pengoj), por të shkoj e t’i kërkoj katër dëshmitarë. Për Zotin, nuk do t’i sillja ata katër dëshmitarë, që derisa t’i sillja ata persona ai ta kryejë punën e tij, por do ta godisja me shpatë. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Po çuditeni me xhelozinë e Sa’dit, unë jam më xheloz se Sa’di, e Allahu është më xheloz se unë!” – thotë nuk qëndruan edhe shumë – derisa erdhi Hilal bin Umejje, sikur që ceket në shënimin e Buhariut nga transmetimi i Ibën Abbasit, i cili erdhi duke e akuzuar gruan e tij Havlete te Pejgamberi alejhi selam se ka bërë zina me Shurejk bin Sehmaë. I Dërguari i Allahut tha: Sill argumente ose bëhet ekzekutimi (i dënimit për shpifje) në shpinën tënde! Ai tha: O i Dërguar i Allahut, nëse ndonjëri prej nesh sheh mbi gruan e tij ndonjë person, ai duhet të vrapojë duke kërkuar fakte?! Pejgamberi alejhi selam vazhdonte duke i thënë: Sill argumente ose bëhet ekzekutimi (i dënimit për shpifje) në shpinën tënde! Hilali tha: Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, unë jam duke e thënë të vërtetën dhe Allahu do të zbresë fakte që të më pastrojë shpinën time nga dënimi. Zbriti Xhibrili me shpallje: “Ndërsa, ata të cilët shpifin për gra të veta” dhe e lexoi deri “nëse shpifja ka qenë e vërtetë.” Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem veproi menjëherë dhe dërgoi dikë që t’i thërrasë ata dy. Erdhi Hilali dhe dëshmoi, Pejgamberi alejhi selam thoshte: Allahu e di se njëri prej juve dyve është gënjeshtar, apo pendohet njëri prej jush? Pastaj është ngritur Havlete dhe dëshmoi, kur erdhi te e pesta, e ndalën dhe i thanë: Kjo është obliguese dhe përgjigjet në këtë. Ibën Abbasi thotë: Ajo u hamend dhe u zmbraps sa ne menduam se do të tërhiqej prapa, por tha (ajo gruaja) nuk do ta turpëroj popullin tim tërë ditën dhe e vazhdoi betimin. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: Përcilleni atë, nëse vjen me fëmijë që i ka sytë e zi, me pjesën e pasme të trupit të plotë e të gjërë, me këmbë të shëndosha, atëherë ai fëmijë i takon Shurejk bin Sehmaut. Ajo e lindi fëmijën me ato cilësi dhe Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: Po të mos ishte ajo (çështja e përfunduar) që ka ardhur nga Libri i Allahut, mes meje dhe asaj do të kishte problem. Ahmedi shënon: Transmetohet nga Abdullahu, i cili ka thënë: Ishim ulur në mbrëmjen e së premtes në xhami, një njeri prej ensarëve tha: Nëse ndonjëri prej nesh e sheh dikë me gruan e vet, nëse e vret atë (personin) ju do ta vritnit atë (burrin), nëse flet ju do rrihnit atë, e nëse hesht do të heshte i zemëruar dhe i çmendur nga inati. Pasha Allahun, nëse gdhihem shëndosh në mëngjes do të shkoj ta pyes të Dërguarin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Thotë: E pyeti atë duke thënë: O i Dërguar i Allahut, nëse ndonjëri prej nesh e sheh dikë me gruan e vet dhe e vret atë (personin) ju do ta vritnit atë (burrin), nëse flet ju do rrihnit atë, e nëse hesht do të heshte i zemëruar dhe i çmendur nga inati! O Allahu im, gjyko! Thotë: Zbriti ajeti i mallkimit (lian), dhe ky person ishte i pari që u sprovua me këtë. Këtë hadith e shënon Muslimi vetëm.
|