E diel, 22/12/2024, 02:57
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 4
Vizitorë: 4
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Tefsirë

Kurani, libri i jetës

Me të vërtetë Kurani është libri i jetës me norma dhe principe bindëse e praktike, të punës, moralit dhe bashkësisë. Ai është burim gjallërues, shërues dhe këshillues për ata që janë gjallë. Këtë, surja “Ja Sin” e thotë kështu: “...Shumica e tyre meritojnë dënimin Tonë, se ata nuk besojnë.” (Vargu 7)

Në të vërtetë, paralajmërimi yt i sjell dobi vetëm atij që ndjek Këshillën (Kuranin) dhe i frikësohet të Gjithëmëshirshmit, edhe pa e parë Atë. Këtij jepi lajmin e mirë për falje gjynahesh dhe shpërblim bujar! (Vargu 11)

Kurani, mrekullia e përhershme e Zotit të plotfuqishëm i ka zbritur profetit të nderuar të Islamit në periudha dhe kohëra të ndryshme, sipas nevojës së njerëzimit. Ajetet e thella të Kuranit, ashtu siç tërhiqnin zemrat, ashtu e pastronin pluhurin e paditurisë dhe njerëzit njiheshin me mëshirën dhe të mirën. Shumica dëshirojnë të njihen me shkaqet e shpalljes së ajeteve kuranore dhe të informohen me ngjarjet që u bënë shkak i shpalljes së ajeteve në sfera të ndryshme.

Sot mediat në botë, me propagandat e tyre të shumta, përpiqen të prishin pamjen e Islamit dhe ta paraqesin Kuranin, si një libër të vjetër. Fuqitë e mëdha, duke përdorur mjetet më moderne, përpiqen të dobësojnë myslimanët dhe njëkohësisht mundohen të ulin ndikimin dhe përhapjen e Islamit në botë. Ne shikojmë se, Kurani, duke qenë se është një dritë e madhe e Zotit të Vetëm, në mënyrë shumë të qartë paraqet të vërtetën e tij. Kurani është libri i shenjtë më i miri dhe më i ploti. Ai tërheq mbas vetes mendjet dhe kjo është vetëm një nga veçoritë e tij. Kurani është një udhëzues që të fton për tek e vërteta, një libër lutje e përmendje të shpeshta të Krijuesit, emrit të Zotit. Ai ka karakter konstruktiv, sepse ndikon mbi botën ndjesore të njeriut. Kurani ndërron dhe rregullon vlerësimin e gabuar të njerëzimit, të zhytur në errësirën e mohimit dhe herezisë mbi gjithësinë, jetën dhe njeriun, duke realizuar kështu transformimin më të madh.

Një kusht për kuptimin e Kuranit është ta studiosh atë me mendje të hapur. Pavarësisht, nëse dikush beson apo jo, se është një libër i shpallur, duhet që ta çlirojë mendjen nga animi pro ose kundër tij, ta çlirojë nga të gjitha opinionet paraprake dhe më pas t’i qaset atij me dëshirën e vetme për ta kuptuar atë sa më shumë të jetë e mundur.

Kanadezi Gary Miller është pedagog në universitet. Ai, për vite, ka ndjekur doktrinën krishtere dhe ka qenë një aktivist i palodhur. Kishte një dëshirë të madhe për çështjet mendore. Në fillim mendonte se Kurani, i cili ka zbritur 14 shekuj më parë, kishte të bënte vetëm me çështjet e së kaluarës. Më pas, me shtimin e valës së Islamit në perëndim, ai mori vendimin që të studionte Kuranin, me qëllim që të gjente gabimet dhe ta bënte atë të papranueshëm.

Ai thotë: “Atë ditë fillova të lexoja Kuranin për të gjetur gabimet e tij, në mënyrë që të ngrija pozicionin e të krishterëve përballë myslimanëve, pasi mendoja se Kurani, i cili ka zbritur 14 shekuj më parë në shkretëtirë, do të ishte plot gabime. Por, sa më shumë lexoja, vëreja të vërteta, të cilat më habisnin. Pa e besuar, kuptova se në këtë libër të shenjtë nuk ka gabime. Përveç kësaj, kuptova se në Kuran janë shtruar çështje të shumta, mbi të cilat nuk flitet në ndonjë libër tjetër të shenjtë. Ky libër më bëri kurioz dhe për këtë mora vendim ta lexoja më me përpikëri. Kur arrita tek ajeti 82 i sures “Nisa”, u habita shumë. Në këtë ajet theksohet: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.”

Sigurisht që kjo nuk është hera e parë që një jo mysliman flet për madhështinë, aktualitetin dhe të vërtetën e Kuranit. Kurani i madhërishëm është një oqean i pafund, ku askush nuk mund të gjejë dhe diskutojë kufijtë e tij. Ky libër është pasqyra e jetës dhe nga thellësia dhe gjerësia e tij nuk ka limit. 14 shekuj më parë, dijetarë dhe mendimtarë të shumtë kanë lundruar në këtë oqean pa fund. Por asnjëri prej tyre nuk ka mundur të gjejë sekretin e tij. Ata gjithashtu falen tek Zoti me madhështi duke qenë përkrah Kuranit. Në ajetin e parë të sures “Furkan” theksohet: “I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin[1] robit të Vet,[2] që të jetë paralajmërues për botët.”

Sejjid Kutb, komentator dhe dijetar egjiptianë thotë: “Një ditë, së bashku me 5 shokë, me një anije egjiptiane po kalonim Oqeanin në drejtim të perëndimit. Udhëtarët ishin 120 bura dhe gra dhe askush nuk ishte mysliman. Ditën e premte na u kujtua që të falim namazin e Xhumasë në mes të Oqeanit, duke qenë predikues të fesë dhe të mësimeve të pastra të Islamit. U bëmë gati për namaz dhe unë fillova të lexoj hytbet e namazit të së premtes. Udhëtarët jo myslimanë ishin mbledhur rreth nesh dhe me kujdes shikonin atë që bënim ne. Pas përfundimit të namazit, shumë prej tyre erdhën dhe parashtruan shumë pyetje në lidhje me Islamin, namazin dhe çështje të tjera. Në mesin e këtyre njerëzve, një grua e krishterë, nga Jugosllavia ishte habitur shumë nga namazi ynë e nga sytë i pikonin lotët. Unë u habita nga ndjenja e saj. Ajo grua, në gjuhën angleze, më pyeti: “Ju në çfarë gjuhe flitnit?”

I shpjegova asaj se namazi është një program islam, që duhet patjetër të kryhet në gjuhën arabe.

Ajo tha: “Megjithëse nuk e di gjuhën arabe, por në mes të thënieve tuaja kishte fjali me rritëm jashtëzakonisht ndikues, saqë ndikuan te mua pa dëshirën time. Tingujt e atyre fjalive akoma janë në veshët e mi, thuajse janë dedikuar për shpirtin tim.”

Unë mendova pak dhe kuptova se fjalitë që kishin entuziazmuar këtë grua të krishtere janë ajetet që unë i lexova gjatë hytbes dhe namazit. Kjo çështje më habiti mua dhe më kujtoi këtë të vërtetë, se mrekullia e ajeteve të Kuranit është e atillë, saqë rritmi i tij entuziazmon, ndikon dhe sjell ndryshime edhe tek persona që nuk kanë njohuri për gjuhën e Kuranit. Ky ishte një realitet, të cilin ne e pamë me sytë tanë.”

Një tjetër e veçantë interesante që ekziston në Kuran është se vazhdimisht merret me këshillat që ai i ofron lexuesit. Kurani e informon lexuesin për fakte të ndryshme dhe më pas këshillon, “nëse kërkon të dish më tepër për këtë ose atë, apo nëse dyshon në atë që thuhet, atëherë pyet ata që kanë dituri”. Kjo është një tjetër karakteristikë që të ngjall habi. Nuk është normale për dikë që nuk ka njohuri në gjeografi, botanikë, biologji, etj., - të diskutojë për këto tema, dhe më pas të këshillojë të tjerët të pyesin ata që kanë dituri, nëse informacioni është i dyshueshëm. Gjatë gjithë kohërave, shumë myslimanë kanë ndjekur këshillat e Kuranit dhe kanë bërë zbulime të shumta. Nëse do të hidhnim një sy mbi punën e shkencëtarëve myslimanë, të shumë shekujve më parë, do të shikonim që ata kanë përdorur shpesh kuota nga Kurani. Punët e tyre tregojnë se ata bënë studime në një vend të caktuar, pasi kërkonin të arrinin diku. Ata do të na siguronin se arsyeja që i bëri të studionin mbi diçka të tillë ishte sepse Kurani i tregoi atyre drejtimin e duhur. Për shembull, Kurani flet për origjinën e njeriut dhe më pas i thotë lexuesit: “Bëj kërkim mbi të”. Ai i jep lexuesit një shenjë dhe më pas thotë që ka akoma diçka për të zbuluar.

Një prej veçorive më të rëndësishme të Kuranit është përsëritja. Më shumë se në temat e tjera, në Kuran, përsëritja ndihet tek rrëfimet. Në të vërtetë, kjo nuk është thjesht një përsëritje e zakonshme. Ajo është një model stilistik, i cili brenda atmosferës së përgjithshme të sures (kapitullit), me anën e parantezave e të kthimeve, përmban për çdo radhë, pra, kur rimerret diçka, hollësi të veçanta. Kështu, secili detaj, si simbol i një mësimi të caktuar, u hap zemrave një mijë e një dritare sublime për të parë drejt botëve të fshehta.

Edhe një veçori që bie në sy në rrëfimet e Kuranit është edhe kjo: Kurani merr nga ndodhia që përcjell vetëm atë pjesë që përmban qëllimin, të cilin e merr si shembull. Meqë i jep rëndësi nënvizimit të qëllimit fetar të ndodhisë në fjalë, Kurani e rrëfen ndodhin që nga kreu, mesi ose fundi, pa marrë parasysh rrjedhën historike. Kurani nuk e lë lexuesin të humbë mes ndodhive të rrëfimit. Me anë të rrëfimit ai ka paraqitur udhëzime fetare që i japin blerim klimës së zemrës. Rrëfimet e Kuranit nisin me një hyrje tërheqëse për lexuesin. Ndodhitë nuk radhiten me shprehje të thata, por paraqiten të konkretizuara me anë të një përshkrimi plot lëvizje e gjallëri. Me përsëritjen e ideve, ku disa herë jepen hollësi e disa herë jepen përmbledhje, ai u drejtohet niveleve dhe mendësive të ndryshme. Ka njerëz që u mjafton një përsëritje e shkurtër, disa të tjerëve u duhen hollësi. Përsëritja, veç qëllimit përforcues, siguron edhe njërin nga detajet e stilistikës së kumtimit, sikurse janë shkaktimi i mahnitjes nga tmerri, frikësimi dhe paralajmërimi nëpërmjet ngjalljes së përfytyrimeve.

Duke pasur parasysh veçoritë e posaçme të Kuranit, z Hashemi Rafsanxhani, kryetar i këshillit për mbrojtjen e interesave të RII, në ceremoninë e hapjes së panairit të 12-të të Kuranit, vuri theksin në këtë çështje: “Sot njeriu ka nevojë për një shkollë fetare. Asnjë mrekulli nuk është më e lartë se Kurani dhe asnjë predikim nuk është më me ndikim se Kurani. Duke pasur parasysh numrin e madh të myslimanëve, ekziston mundësia që dituritë fetare dhe mësimet kuranore të jenë udhërrëfyese në botë. Është e nevojshme që qeveritë, personalitetet dhe mendimtarët islamikë të gjejnë ndonjë rrugë për të shfrytëzuar si duhet Kuranin në shoqëritë njerëzore. Kurani nuk lejon që mendjemadhësia, që vjen si pasojë e fuqisë, ta largojë poseduesin e saj nga rruga e drejtë dhe plotëson në mënyrën më të mirë dëshirat e shoqërive njerëzore.”

Kurani tërheq vëmendjen për thelbin e ndodhive. Çdo ajet i fton njerëzit që t’i largohen rrugës së veseve, poshtërsive dhe të bëhen njerëz të denjë për familjen e tyre, por edhe për të tjerët. Besimtarët që duan të arrijnë lumturinë e kësaj bote e të përjetësisë, janë të detyruar të përdorin jetën, pasurinë dhe të gjitha dhuntitë që u ka falur Allahu (xh.sh), për synime dhe qëllime serioze. Kur lexohet Kurani, mbi shpirtin e njeriut bie shiu i mëshirës dhe bereqetit Hyjnor. Por leximi i Kuranit duhet të jetë me ide dhe logjikë, sepse Kurani është kënga më e bukur e jetës dhe përjetësisë. Sado që përparon dija dhe shkenca e njerëzimit, njeriut i paraqiten pamje dhe kënde të reja nga ky dokument qiellor.

Kurani është burimi i dritës, mëshirës dhe behari i zemrave. Kjo mrekulli e madhe e Profetit është fjala e shpalljes Hyjnore, e cila, me ligjet humane dhe të plota, e çon njeriun drejt së vërtetës. Kurani është si një lum që rrjedh nëpër kohë dhe, çdokush që shfrytëzon atë, fiton jetë dhe lumturi. Ajetet e Kuranit tregojnë se ky libër është me logjikë të pavdekshme dhe me aspektet me të larta të mirësisë, në të cilin nuk gjendet asnjë shtrembërim. Është udhërrëfyes, dhe kalimi i kohës, jo vetëm që nuk e vjetron atë, por qartëson edhe më tepër shtimin e diturisë së njeriut dhe zbulon mësimet e fshehura të tij.

Por, megjithë ndihmën e këtyre mjeteve, dikush nuk mund ta kapë shpirtin frymëzues të Kuranit, vetëm në qoftë se ai fillon ta vendosë në praktikë mesazhin e tij, sepse Kurani nuk është as një libër idesh dhe teorish abstrakte, të cilat mund të studiohen lehtësisht i ulur në karrige, as një libër i enigmave religjioze, të cilat mund të zgjidhen vetëm në universitete dhe manastire. Ai është dërguar për të ftuar njerëzit drejt fillimit të një lëvizjeje dhe për të udhëhequr aktivitetet e tyre drejt arritjes së misionit të tij. Dikush duhet, në këtë mënyrë, të shkojë në sheshbetejën e jetës për të kuptuar kuptimin e tij real. Është afërmendsh, që dikush nuk mund ta kuptojë të vërtetën që përmban Kurani thjesht me leximin e fjalëve të tij. Ai duhet të marrë pjesë aktive në konfliktin ndërmjet besimit dhe jobesimit, Islamit dhe joislamit, të vërtetës dhe të pavërtetës. Dikush mund ta kuptojë atë vetëm nëse kupton mesazhin e tij, fton botën ta kuptojë atë dhe vepron sipas udhëzimeve te tij.

Shkruar nga: Hasan BAFTIJARI

Kategori: Tefsirë | Shtuar nga: shpend-xhelili (14/08/2009)
Klikime: 1090 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024