Nga Ebu Musa el Esharij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Besimtari për besimtarin është sikurse një ndërtesë, (pjesët e së cilës) mbështeten tek njëra-tjetra dhe gërshetoi gishtat.” Buhariu
Njohja me transmetuesin
Është Ebu Musa, një sahab i njohur për dijen e tij dhe ndihmesën që i ka dhënë Islamit.
Kuptimi gjuhësor
Këtu është përdorur krahasimi “...si një ndërtesë, ku pjesët e së cilës janë të lidhura fort me njëra-tjetrën.”
Kuptimi i përgjithshëm
Arabët vazhduan në konflikte dhe përçarje, derisa erdhi drita e Islamit me këto fjalë hyjnore: “Nga ju le të jetë një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mira dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë të shpëtuarit.”Ali Imran, 104.
Islami i bëri arabët një popull të bashkuar dhe ata të cilët ishin në përçarje dje, u kthyen në një ushtri besimtare të bashkuar dhe ngrin flamurin e Islamit. Dhe kur u bashkuan këto forca të përçara më parë, Profeti (alejhi selam) tha: “Besimtari për besimtarin...” . Me këtë u fshinë të gjitha përçarjet e vjetra dhe të gjitha ato zakone që i bashkonin dhe u kthyen në një vëllazëri të sinqertë, të vërtetë e të saktë.
Prandaj edhe Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “...Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër...” si dhe tek surja Huxhuratë, ajeti 10 dhe 13: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti).”
“O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëm popuj dhe fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”
Kur Profeti (alejhi selam) e pa këtë gjendje të muslimanëve drejt bashkimit, e nxiti edhe më tepër duke thënë: “Mos kini smirë njeri-tjetrin, mos e mashtroni njeri-tjetrin, mos e urreni, mos ia ktheni shpinën njeri-tjetrit, mos i bëni konkurrencë të pandershme në tregti dhe bëhuni robër të Allahut (vëllezër). Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën dhunë atij, nuk e lë në baltë, nuk e gënjen, nuk e poshtëron. Devotshmëria është këtu (dhe bëri me dorë në kraharor). Për një njeri, është shumë keq që ta nënçmojë vëllanë mysliman. Çdo musliman e ka të ndaluar gjakun, pasurinë dhe nderin e tij.”
“Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bënë mizori prej jush (por edhe të mirët) dhe ta dini se Allahu është ndëshkues i rreptë.”
Rregullat që nxirren nga hadithi
Nuk është i pëlqyeshëm gërshetimi i gishtave pa ndonjë sebep, ndërsa në hadith gërshetimi është përdorur me sebep.
Çfarë përfitohet nga hadithi
1. Domosdoshmëria e lidhjes së muslimanëve me njeri-tjetrin, afrimitetit dhe vëllazërisë midis tyre.
2. Muslimani duhet të kujdeset për të drejtat dhe detyrat që ka ndaj myslimanit.
3. Ne si muslimanë duhet t’i kushtojmë vëmendje lajmeve që flasin për hallet dhe problemet e muslimanëve kudo në botë, lindje e perëndim.
Gazmend Leçini
|