Hadithe të zgjedhura për këtë muaj të bekuar
- Transmetohet nga i Dërguari i Allahut, Muhamedi alejhi selam, se ka thënë: “Zoti i Madhëruar ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjërimi është mburojë (nga epshet dhe zjarri), prandaj kur të agjërojë ndokush, le të mos flasë fjalë të ndyta dhe mos ta ngrejë zërin. E, nëse dikush e ngacmon apo e sulmon, le të thotë: “Unë jam agjërues, Unë jam agjërues!” Dhe pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, aroma e pakëndshme që del nga goja e agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa era e miskut. Agjëruesi i përjeton dy gëzime: kur të hajë iftar, gëzohet dhe kur ta takojë Zotin e vet, gëzohet për agjërimin e tij (për shpërblimin).”
Në një transmetim tjetër qëndron: - Pejgamberi alejhi selam thotë: “Çdo vepër e birit të Ademit i takon atij. Një e mirë shpërblehet sa dhjetë e bile deri në shtatëqind herë shumëfishohet shpërblimi”, e Zoti ka thënë: “Përpos agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të, për shkak se njeriu e braktis ushqimin për Mua, e braktis pijen për Mua, i braktis të këndshmet për Mua, e braktisë gruan e tij për Mua. Era e keqe e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se aroma e miskut. Agjëruesi i ka dy gëzime: njërin gëzim kur të hajë iftar dhe tjetrin kur të takojë Zotin e vet.”
- I Dërguari i Allahut ka thënë: “Në xhenet ekziston një derë që quhet rejjan, nga e cila hyjnë agjëruesit në Ditën e Kiametit dhe askush tjetër nuk hyn nga ajo derë. E kur të hyjnë ata, ajo mbyllet e askush tjetër nuk hyn.”
- “Kush thotë: Nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut (La ilahe il-lallah) dhe jeta e tij mbaron me këtë, hyn në xhenet. Kush agjëron një ditë duke pasur për qëllim fytyrën e Allahut dhe jeta e tij mbaron me këtë, hyn në xhenet. Kush jep një sadaka (lëmoshë) duke pasur për qëllim fytyrën e Allahut dhe jeta e tij mbaron me këtë, hyn në xhenet.”
- Tregon Ebu Umame: “Shkova tek i Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, dhe i thashë: “Më urdhëro me një vepër që të kem dobi tek Allahu me të.” Më tha: “Të urdhëroj të agjërosh, ngase nuk ka diçka të njëjtë me të.”
- Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Çdo rob (njeri a xhin) që agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu e largon fytyrën e tij nga zjarri (i xhehenemit) në një distancë sa ecën njeriu shtatëdhjetë vjet.”
- Pejgamberi alejhi selam thotë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim në Allahun dhe me shpresë në shpërblimin e Tij, i falen mëkatet e kaluara dhe kush falet në natën e Kadrit me besim në Allahun dhe me shpresë në shpërblimin e Tij, i falen mëkatet e kaluara.”
- Gjithashtu ka thënë: “Pesë namazet në ditë, namazi i xhumasë deri në namazin tjetër të xhumasë, dhe agjërimi i Ramazanit deri në agjërimin e Ramazanit tjetër, i fshijnë mëkatet që janë ndërmjet tyre, nëse njeriu largohet nga mëkatet e mëdha.”
Në një rast i Dërguari i Allahut u tha shokëve të tij: -Ejani te minberi! Thotë Ka’b ibën Uxhra: “Dhe iu afruam, e kur hipi një shkallë tha Amin! dhe u ngrit edhe një shkallë e tha Amin! E, kur u ngrit në shkallën e tretë tha përsëri Amin! Pasi zbriti, i thamë: -O i Dërguar i Allahut, sot dëgjuam nga ti diçka që s’kemi dëgjuar më parë.” Ai tha: -M’u paraqit Xhibrili alejhi selam dhe tha: “U largoftë (nga mëshira e Allahut, shprehje mallkimi) ai që e zë Ramazani dhe nuk i falen mëkatet!” E unë thashë: “Amin!” Kur u ngrita në të dytën, ai tha: “U largoftë ai që kur përmendesh ti në prezencë të tij, nuk të përshëndet (me selam e salavat)!” (Unë) Thashë: Amin! E kur hipa në të tretën, ai tha: “U largoftë ai që prindërit e tij apo njërin prej tyre e zë pleqëria tek ai, e pleqëria e prindërve të tij nuk e fut në xhenet!” (Unë) Thashë: Amin!
- Thotë Pejgamberi alejhi selam: “Kur të vijë Ramazani hapen dyert e mëshirës, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen shejtanët.”
- “Ju erdhi muaji Ramazan, muaji i bekuar. Zoti ua ka obliguar agjërimin në të. Gjatë këtij muaji hapen dyert e qiellit dhe mbyllen dyert e xhehenemit.”
- “Syfyri është përplot bereqet. Pra mos e lini, po edhe në qoftë një gllënjkë ujë, sepse Allahu i Lartësuar i mëshiron ata që hanë syfyr dhe melekët e Tij luten për ta.”
- “Sa i mirë është syfyri i besimtarit me hurmë.”
- “Kush i jep iftar një agjëruesi, atij i takon shpërblim sikur i agjëruesit, pa iu mangësuar agjëruesit shpërblimi.”
- “Kush nuk e lë fjalën e rrejshme dhe punën me të (shpifjen), Allahu nuk ka nevojë që i tilli ta lërë ushqimin dhe pijen e tij.”
- “Nuk është agjërimi (vetëm) prej të ngrënit dhe të pirit, por agjërimi është zmbrapsje nga e kota (fjalë dhe punë) dhe e ndyra. E nëse dikush të ngacmon apo sillet ashpër me ty, thuaji: “Unë po agjëroj, unë po agjëroj!”
- I Dërguari i Allahut e ka obliguar sadekatul-fitrin që ta pastrojë agjëruesin nga të kotat dhe të ndyrat (fjalë e vepra) si dhe të ushqehen të varfrit. Kush e jep atë para namazit (të sabahut), i llogaritet pastrim (zekat) i pranuar, e kush e jep pas namazit, i llogaritet si një sadaka e zakonshme.
Përgatiti: Eroll Rexhepi 12.7.2008
|