Hyrje në shkencën e texhvidit Para se të shkruajmë rreth shkencës së texhvidit dhe rregullave që hyjnë në këtë shkencë, e shoh të udhës që të flasim diçka rreth vlerës së Kuranit, rëndësisë së mësimit të tij, si dhe disa rregulla edukative gjatë leximit të Kuranit fisnik. Andaj edhe këto tema do t’i paraqesim në këtë faqe një pas një, në mënyrë që të lehtësohet më shumë leximi i tyre.
Vlera e Kuranit fisnik
Kurani është fjala e Allahut, e zbritur tek Pejgamberi (alejhi selam) me leximin e të cilit ne bëjmë ibadet. I përcjellur deri tek ne me transmetimin më të vërtetë.
Kurani është libër i qartë, atij nuk i vjen e kota nga asnjë anë, i zbritur nga i Urti. Ai është mrekulli e përhershme deri në Ditën e Gjykimit, deri sa të shkatërrohet kjo botë.
Kurani është litar i fortë i Allahut, dallues i së vërtetës nga e pavërteta. Në të ka lajme për ata popuj që kanë kaluar. Është gjykuesi ynë dhe i lajmeve që do të vijnë pas nesh. Kush e lë pasdore Kuranin, Allahu do ta shkatërrojë, kush kërkon udhëzim tjetër jasht Kuranit, Allahu do ta humbë. Ai që flet me Kuran gjithmonë e thotë të vërtetën, kush gjykon me të, gjykon me drejtësi dhe kush thërret në të vetëm se është udhëzuar në rrugën e vërtetë.
Kurani është prijësi ynë në jetën tonë. Ai është shembull për ne. Me të muslimani e bën jetën të lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër, ai është programi hyjnor në tokë.
Allahu e ka emërtuar Kuranin me disa cilësi që nuk e ka emërtuar asnjë libër më herët me këto cilësi.
Allahu i madhëruar thotë:
“Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë. Allahu e vë me atë (me Kuranin) në rrugën e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë.” Maide, 15-16.
Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë:
“Ne ty të shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.” Nahl, 89.
I Dërguari i Allahut tregon se njeriu në bazë të asaj që mëson Kuran do të futet në xhenetin më të lartë. Transmetohet nga Abdullh ibën Amër ibën As se i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Në Ditën e Gjykimit do t’i thuhet atij që e di Kuranin, lexo dhe ngrihu, lexo ashtu siç ke lexuar në dynja, sepse grada jote do të jetë në fund të ajetit që ti do ta lexosh.” Tranmeton Tirmidhiu me transmetim të mirë.
Besimtari i cili lexon dhe mëson Kuran në brendësinë e tij është i mirë, ndërsa pamja e jashtme e tij është e mbushur plot e përlot me moral dhe edukatë.
Nga Ebu Musa el Esharij transmetohet se Pejgamberi ka thënë:
“Shembulli i muslimanit që e lexon Kuranin është si shembulli i portokallit, era e tij është e mirë dhe shija e tij është e mirë, ndërsa shembulli i besimtarit i cili nuk e lexon Kuranin është si shembulli i hurmës e cila nuk ka erë, por shijen e ka të mirë. Shembulli i munafikut i cili e lexon Kuranin është si shembulli i lules e cila ka erë të mirë, por shijen e ka të keqe, ndërsa shembulli i munafikut i cili nuk e lexon Kuranin është si shembulli i handheles -lloj bime-, e cila nuk ka erë dhe shijen e ka të keqe.
Leximi i Kuranit është një ndër ibadetet më të rëndësishme. I Dërguari i Allahut thotë:
“Kush lexon një shkronjë prej librit të Allahut do të ketë një të mirë, ndërsa e mira shpëbrlehet dhjetë fish. Unë nuk them elif, lam, mim është një shkronjë, por elifi është një shkronjë, lami është një shkronjë dhe mimi është një shkronjë.”
Gjithashtu Pejgamberi (alejhi selam) thotë:
”Njohësi i Kuranit do të jetë me engjëjt, ndërsa ai që e lexon Kuranin dhe ndien lodhje do ketë dy shpërblime.”
Përgatiti: Shaban Murati
|