Pyetja:
Eselamu alejkum! Desha të pyesja rreth çështjes së dorës kur të jesh nuse, siç është te ne zakon që të marrë dorën nusja. Kam dëgjuar që është haram, mirëpo nuk e kam kuptuar dhe aq shumë pse. Vetëm pse bëhet në formë të përkuljes këtë gjë e di, por nuk e kam edhe aq të qartë kur ti në shumicën e rasteve bën përkulje në atë formë dhe kur u flet njerëzve kuptohet jo duke iu përkulur atyre, po thjesht për respekt. Ju lutem një sqarim për këtë rast në qoftë se është haram. Allahu ju shpërbleftë për mundin që bëni!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Marrja e dorës, e cila është e njohur te ne nga nuset apo edhe ndaj më të vjetërve në përgjithësi, është një traditë që duhet t`i largohemi dhe të mundohemi ta ndërrojmë, për shkak se gjatë marrjes së dorës bëhet përkulja ndaj njerëzve dhe kjo nuk lejohet t`i bëhet askujt përveç Krijuesit të njerëzve. Është më se e vërtetë se këtë njerëzit te ne nuk e bëjnë si adhurim, por në shenjë respekti dhe nderimi të posaçëm, por megjithëkëtë kjo është e ndaluar dhe nuk lejohet. Shënohet në Musnedin e Imam Ahmedit dhe në koleksionet e haditheve te të tjerët se shoku i Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, Muadh Ibën Xhebeli, kur kishte shkuar në Sham pa se si ata u përuleshin dhe u bënin sexhde udhëheqësve të tyre (para se ta pranonin Islamin). Kur u kthye në Medinë dhe takoi të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, iu përul me sexhde atij. Muhamedi salallahu alejhi ue selem i tha: “Çfarë është kjo, o Muadh?” Ai tha: “I kam para se ata e bënin këtë ndaj të parëve të tyre dhe ti e meriton më shumë këtë.” Muhamedi salallahu alejhi ue selem e ndaloi nga kjo gjë. Gjithashtu në koleksionin e Tirmidhiut tregohet se Muhamedi salallahu alejhi ue selem është pyetur se nëse njeriu takon vëllanë e tij musliman, a lejohet t`i përkulet atij? Ai ka thënë: “Jo”. Pastaj është pyetur: “A lejohet ta puthë atë dhe ta përqafojë? Ai ka thënë: “Jo”. “A lejohet ta përshëndesë me dorë?” Ai ka thënë: “Po”. Përkulja dhe sexhdeja janë veprime që bëhen vetëm ndaj Allahut të Lartësuar, prandaj ato janë adhurime specifike me të cilat manifestohet nënshtrimi fizik dhe nuk lejohet t`ia përkushtojmë dikujt tjetër përveç Allahut të Lartësuar. Nëse ky veprim bëhet në shenjë madhërimi dhe adhurimi ndaj njerëzve, atëherë ky është kufër, por nëse bëhet në shenjë nderimi apo si formë përshëndetjeje, atëherë është haram dhe kjo formë e përshëndetjes nuk është islame. Prandaj duhet t'i largohemi kësaj dhe të mundohemi t`ua sqarojmë të tjerëve pse është i ndaluar ky veprim. Forma e përshëndetjes e njohur në mesin e muslimanëve është përshëndetja me dorë dhe për vlerën e kësaj kemi me dhjetëra hadithe. Ndër to është hadithi të cilin e shënon Buhariu. Në të Katadeja tregon se e ka pyetur Enes Ibën Malikun se a përshëndeteshin me dorë sahabët dhe ai i është përgjigjur “Po”. Sa i përket përqafimit gjatë përshëndetjes, kemi disa hadithe të cilat vërtetojnë atë në rastet kur takimi ndodh pas një kohe, sikur pas udhëtimit. Tregon Enes Ibën Maliku se shokët e Muhamedit salallahu alejhi ue selem, kur takoheshin, përshëndeteshin me dorë, kurse kur ktheheshin nga udhëtimi, përqafoheshin (shënon Taberaniu dhe Albani e cilëson të saktë). Gjithashtu vërtetohet se kur Xhaferi Ibën Ebi Talibi u kthye nga Etiopia, e takoi Muhamedin salallahu alejhi ue selem. Muhamedi salallahu alejhi ue selem e përqafoi dhe e puthi në ballë (shënon Taberaniu, Ibën Haxheri dhe Albani e cilësojnë të saktë). Kurse sa i përket puthjes gjatë përshëndetjes, kemi disa hadithe që tregojnë se ajo lejohet qoftë në ballë apo në dorë, posaçërisht ndaj më të vjetërve dhe dijetarëve në shenjë respekti. Ibën Haxheri përmend në “Fet`hul Bari” se Usame ibën Sheriku me një rast ia ka puthur dorën Muhamedit salallahu alejhi ue selem, ai dhe disa të tjerë. Mirëpo në këtë rast duhet të kihet kujdes që kjo të mos bëhet praktikë e tepruar dhe të ndikojë në ngritjen e njerëzve, ashtu si theksojnë dijetarët që trajtojnë këtë çështje. Për këtë në hadithin e lartpërmendur, që e shënon Tirmidhiu, Muhamedi salallahu alejhi ue selem e ndaloi puthjen dhe përqafimin, që të mos teprohet shumë në të. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|