Pyetja:
Selam alejkum! Tani kam filluar të mësoj për Islamin dhe doja ta nisja rrugën time inshallah me ndihmën e Allahut, të filloj nga gjërat më të vogla që në pamje të parë duken sikur nuk kanë shumë rëndësi. Allahu jua shpërbleftë për mbështetjen që tregoni. Kam lexuar një artikull në të cilin thuhej se ari nuk është i lejueshëm për mashkullin. Problemi është se unë unazën e martesës e kam ar dhe dua ta ndërroj, por çështja është se kam dëgjuar se po të ndërrosh unazën është gjynah. Kam vërtet nevojë për përgjigjen tuaj se si duhet të veproj. Me mbështetjen e Allahut dhe me ndihmën e Tij kërkojmë mbrojtje prej çdo gjëje. Ju lutem një përgjigje sa më shpejt. Allahu jua shpërbleftë!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Ju përshëndesim dhe urojmë për kthimin tuaj në rrugën e Allahut të Lartësuar. E usim Atë t’ju forcojë dhe t’ju japë sukses dhe lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër! Fillimisht na bëri përshtypje ajo që përmendët rreth gjërave të vogla në Islam, prandaj themi se padyshim në Islam të gjitha mësimet dhe dispozitat nuk kanë të njëjtën gradë dhe nuk trajtohen ashtu sikurse edhe ndalesat. Për këtë kemi farze, vaxhibe, sunete, harame, mekruhe, etj.. por kjo ndarje nuk nënkupton nënvlerësim të atyre dispozitave që janë më pak të rëndësishme në ligjin islam. Me fjalë të tjera, secila dispozitë islame, pa marrë parasysh rëndësinë dhe shkallën, e ka vendin dhe pozitën e përcaktuar nga Allahu i Lartësuar dhe Resulullahu salallahu alejhi ue selem dhe ajo duhet ta mbajë atë vend.
Duke u nisur nga kjo bazë, besimtari i sinqertë nuk lejohet të bëjë seleksionime në raport me mësimet islame duke vepruar diçka dhe lënë diçka varësisht prej shijes apo epshit që ka. Me hyrjen e tij në Islam ai u nënshtrohet mësimeve islame duke filluar nga më të rëndësishmet deri tek ato më pak të kërkuarat dhe se ai zotohet se do të mundohet brenda mundësive që ta praktikojë Islamin të tërësi. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, hyni në Islam tërësisht (përqafojeni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik juaji i hapët.” (Bekare, 208)
Ndërsa në lidhje me unazën e arit, nuk ka asnjë të keqe ndërrimi saj, madje nga ju kërkohet që të mos e mbani unazën e arit, edhe pse është dhuratë martese. Në këtë rast ju mund ta ndërroni atë me unazë argjendi dhe ajo që ju keni dëgjuar, se nuk bën të ndërrohet unaza e martesës, është besëtytni e kotë. Dijeni se ju me atë veprim arrini kënaqësinë e Allahut të Lartësuar dhe pa dyshim do të shpërbleheni. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi, të thotë: “Kush lë një gjë për hir të Allahut, atij Allahu ia kompenson me një gjë tjetër edhe më të mirë.” Hadithi është hasen dhe e shënon Tirmidhiu dhe të tjerët. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|