Pyetja:
Selam alejkum! Jam një motër muslimane që punoj në një ambient me femra, me shefe femër, punë e rehatshme e me pagesë të mirë, por sa herë më duhet të flas në telefon me burra. Pres përgjigjen tuaj. Allahu jua shpërbleftë me të mira!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nuk ka ndalesë që femra të punojë në ambiente të ndryshme me femra të tjera. Gjithashtu nuk ka të keqe edhe nëse gjatë punës ajo përdor telefonin dhe u përgjigjet thirrjeve qofshin edhe të meshkujve, por kushtëzohet që me burra muslimania të mos kalojë në biseda të zgjeruara, të panevojshme dhe t`u përmbahet normave islame e etikës së përgjithshme. Allahu i Lartësuar thotë: “O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse kini kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura.” (Ahzab, 32) Allahu i Lartësuar me këtë ajet u është drejtuar grave të Muhamedit salallahu alejhi ue selem, por dispozitat që janë përmendur në të janë të përgjithshme edhe për femrat muslimane.
Prandaj themi se edhe pse kjo është e lejuar, ju këshillojmë që gjatë këtyre bisedave të keni kujdes, të jeni e shkurtër dhe të mos thelloheni me fjalë. Mos harroni se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk kam lënë pas vetes fitne më të rrezikshme për burrat sesa gratë.” Shënon Buhariu dhe Muslimi. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|