Pyetja:
Selam alejkum! Desha t’ju bëj një pyetje rreth syrit të keq ose sihrit në Islam. A mundet që njeriun ta shëmtojë përgjithmonë pa pasur shërim dhe a mundet ta sëmurë po ashtu përherë? A ndikon edhe kjo te disa persona të caktuar?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Fillimisht duhet të kuptojmë se mësyshi (syri i keq) dhe sihri janë dy veprime që kanë të përbashkëta disa gjëra, por në esencë dallojnë njëra nga tjetra. Syri i keq shkaktohet pa dashje dhe personi i cili merr mësysh mund ta bëjë këtë pa dijen dhe dëshirën e tij. Ndërsa sihri shkaktohet me ndërhyrjen e disa veprimeve të qëllimta që i vepron njeriu shpirtkeq dhe me këtë bëhet magjia me të cilën arrihet t`i bëhet sihër tjetrit.
Pasi kuptuam këtë, themi se kemi lloje të ndryshme sihri; ekzistojnë edhe lloje që mund të vrasin njeriun. Ibën Kudame thotë: “Kemi lloje sihri që mbyt, që shkakton sëmundje, që privon burrin nga gruaja dhe nuk mund të kryejë marrëdhënie intime, që ndan burrin nga gruaja, që fut urrejtje ndaj njëri-tjetrit ose që fut dashuri në mes dy personave...” Nga konstatimi i Ibën Kudames dhe i të gjithë atyre që flasin në lidhje me sihrin kuptojmë se ekzistojnë forma të ndryshme të magjive, të cilat shkaktojnë reaksione të ndryshme. Por nuk mund të thuhet se mund të ekzistojë ndonjë lloj sihri i pashërueshëm, pasi Allahu është i Plotfuqishëm për çdo send dhe Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë se çdo sëmundje e ka shërimin. Sihri është lloj sëmundjeje dhe pa dyshim ka edhe shërimin. Gjithashtu është e mundur që njeriu të sëmuret për një kohë të caktuar me sihër dhe pastaj të shërohet tërësisht dhe të mos lërë asnjë pasojë ajo sëmundje. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|