Pyetja:
Selam alejkum! Pyetja ime është për një punë që po më shqetëson kohët e fundit. Po përballem me vesvese se do të bëhem një homoseksual, edhe pse nuk jam i tillë, unë i pëlqej shumë femrat, çmendem pas femrave, por ja që vesveset nuk po më lënë rehat. Si të mbrohem prej tyre? Më ndihmoni!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i nderuar, pikësëpari ju përshëndesim me selam dhe ju urojmë mirëseardhjen në faqe. Pastaj, sa i përket problemit për të cilin na keni shkruar, themi se të gjitha ato me të cilat përballeni janë cytje e vesvese nga shejtani i mallkuar, që t`ju destabilizojë psiqikisht dhe shpirtërisht, kështu që shejtani me këto cytje edhe nëse nuk arrin diçka, së paku t’ju lëkundë dhe t`ju bëjë të paqëndrueshëm në jetën tuaj.
Format e cytjeve të shejtanit janë nga më të ndryshmet, te disa fut dyshime dhe vesvese në besim, te disa fut vesvese të harresës, disa i bën të hidhërohen shpejt, disa të tjerëve u bën fiksim të magjepsen me gjëra të kota, disa i bën të joshen nga epshet e ndryshme të jetës, etj., kurse te ju dëshiron të ndërhyjë dhe t’ju destabilizojë me këto mendime të këqija. Për këtë ju porosisim t`i keni parasysh kurthet e shejtanit dhe të mos bini në to! Mundohuni të keni gjithmonë në mendje Allahun, shoqërohuni me njerëz të devotshëm dhe në ato momente në të cilat u bien në mendje këto vesvese, atëherë mos e lejoni veten të thelloheni në ato mendime të trishtueshme. Gjithashtu është mirë të lexoni rreth rrezikshmërisë së mëkatit të homoseksualizmit dhe të këqijave që sjell ky mëkati, nga i cili janë të pastër të gjitha krijesat e tjera përveç njeriut.
Së fundi, e lusim Allahun e Lartësuar t’ju mbrojë ju dhe të gjithë besimtarët nga kurthet e shejtanit dhe t’ju japë sinqeritet e punë të frytshme në këtë botë dhe sukses në botën tjetër!
Alaudin Abazi
|