Pyetja:
Kur duhet thënë duaja e istihares, para selamit apo pas selamit? Selam alejkum ue rahmetullahi ue beraktuhu!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Pejgamberi alejhi selam na mësonte duanë e istihares për çdo çështje, sikurse na mësonte suret e Kuranit dhe thoshte: “Kur dikush prej jush dëshiron të vendosë për një punë me rëndësi, le t’i falë dy rekate (nafile) namaz dhe pastaj le të thotë: “O Zoti im, me diturinë Tënde kërkoj mbarësi. Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate; kërkoj prej të mirave të Tua të shumta, sepse Ti ke mundësi, kurse unë s’kam mundësi; Ti di çdo gjë, kurse unë nuk di; Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë e imja (e emërton nevojën e tij), është e dobishme për fenë time dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, ma mundëso mua që të realizohet kjo, ma lehtëso mua këtë dhe më beko në të. E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time për kohën e tashme dhe të ardhmen, largoje këtë nga unë dhe më largo mua nga kjo e më përcakto mirësinë (mbarësinë) kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të.”
Nga ky hadith nënkuptojmë se: - namazi i istihares është i preferuar. - nuk ka kohë të caktuar për faljen e namazit të istihares. - gjatë faljes së namazit të istihares nuk ndonjë sure apo ajet të posaçëm. - duaja (lutja) bëhet pas faljes së dy rekateve, pra pas mbarimit të tyre. Argument për këtë është fjala e të Dërguarit alejhi selam “le t’i falë dy rekate (nafile) namaz dhe pastaj le të thotë”. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve islamë. - Namazi i istihares falet për çështjet e dyshimta, të pavendosura, të pasigurta, të paqarta dhe të papërcaktuara. Gjithashtu falet edhe për veprat, rezultati i të cilave dihet dhe është i njohur. Themi për këtë të fundit ngase realitetin e rezultateve nuk e di askush përveç Allahut të Lartësuar. - Namazi i istihares është prej shkaqeve të lumturisë, rehatisë dhe haresë. Argument për këtë është fjala e të Dërguarit të Allahut, i cili thotë: “Prej lumturisë së birit të Ademit është të falë namaz istihare.” Transmeton Ahmedi.
Eroll Rexhepi
|