Pyetja:
Kisha një pyetje. Një ndër kushtet e pranimit të lutjes është ta bësh me zemër, ta ndjesh. Si mund ta bëj këtë gjë?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar. Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Mëshirës.
Duaja është thelbi i adhurimeve që lidh njeriun me Krijuesin. Lute Allahun me zemër, duke shpresuar përgjigjen prej Tij. Duaja është drejtim nga Allahu me zemër të pastër duke u përcjellë me sinqeritet dhe bindje karshi Allahut.
Ta ndiesh duanë me zemër do të thotë të kesh bindje të fuqishme dhe të patundur tek Allahu i Lartësuar. Kujto fjalët e Allahut: “Nëse dëshirojmë të bëhet diçka, mjafton që të themi: “Bëhu!” dhe ajo bëhet.” (Nahël, 40)
“Nuk ka asnjë send që të mos gjenden tek Ne thesaret e tij;por prej tij Ne japim me masë të caktuar.” (Hixhër, 21)
Patjetër duhet të mbledhësh në lutje zemrën, shpirtin, mendjen dhe gjuhën, duke ekzistuar mes tyre frikërespekti maksimal, duke qenë i bindur në përgjigje. Allahu i Lartësuar thotë: “Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje!” (Araf, 205) Allahu e di më së miri.
Ulvi Fejzullahu
|