Pyetja:
Es-selamu alejkum ue rahmetullah. Kam një pyetje në lidhje me agjërimin e Ramazanit. Nëse në ditën e fundit të ciklit pastrohesh rreth kohës së drekës, duke marrë parasysh që pas imsakut nuk kam ngrënë asgjë dhe deri në drekë (kohën kur jam pastruar) nuk kam pasur rrjedhje, a është agjërimi i kësaj dite i plotë apo duhet ta kompensoj?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Për të qenë agjërimi i pranuar tek Allahu i Lartësuar është e domosdoshme që të bëjmë nijet agjërimin e ditës në mbrëmje para agimit. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Kush nuk e bën nijet agjërimin para agimit, ai nuk ka agjërim” .
Fukahatë gjatë sqarimit të këtij hadithi kanë theksuar se ky hadith ka të bëjë me agjërimin obligativ të Ramazanit ose nëse e bëjmë kaza atë. Prandaj edhe pse ju nuk keni ngrënë gjatë ditës nuk u lejohet ta numëroni atë ditë si të agjëruar pasi nuk keni bërë nijet në mbrëmje se do ta agjëroni atë ditë. Allahu e di më së miri!
|