Pyetja:
Këtë herë kisha një pyetje lidhur me pllakat që vendosin mbi varre. Ju lutem të më tregoni sa është e lejueshme një gjë e tille sipas fesë sonë dhe nëse nuk është e lejueshme, atëherë çka duhet bërë në këtë drejtim dhe si duhet vepruar ndryshe?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar. Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Mëshirës.
Islami e ndalon ndërtimin mbi varr, gjithashtu urdhëron rrënimin dhe prishjen e asaj që është ngritur mbi varr, por e lejon vendosjen e një shenje, si gur apo pllakë të vogël për të dalluar varrin, familjarët dhe miqtë.
Argumenti për ndalimin e ndërtimit mbi varr është hadithi i raportuar në Sahihun e Muslimit, ku na tregon Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “I Dërguari i Allahut ka ndaluar suvatimin (gëlqerosjen, lyerjen) e varrit, uljen mbi të dhe ndërtimin mbi varr.” Transmeton Muslimi. Ndërsa sa i përket vendosjes së një shenje te varri, kjo është mubah (e lejueshme), sepse i Dërguari i Allahut në rastin sahabit, Othman bin Medhun, vendosi një gur në anën e kokës te varri dhe tha: “Ta di varrin e vëllait tim me këtë gur.” Transmeton Ebu Daudi.
Pra, është e pranuar vendosja e një shenje pranë varrit, për ta njohur varrin. Kurse sa i përket shënimit të emrit të të vdekurit në gur apo pllakë, dijetarët janë të ndarë në mendime. Një pjesë e dijetarëve një gjë të tillë nuk e lejojnë pasi mjafton vetëm një shenjë, qoftë gurë, shkop ose diçka me të cilën mund të dallohet varri. Kurse Tahaviu thotë: “Gjithashtu lejohet edhe shkrimi.” Ibni Uthejmini thotë: “Shkrimi mbi varr në kohën e injorancës kishte për qëllim thurjen e lëvdatave, ku kjo është e ndaluar, ndërsa shkrimi vetëm sa për të njohur varrin nuk është e papëlqyer.”
Gjithashtu Shejh Albani thotë: “Nëse vetëm me anën e gurit nuk arrihet qëllimi i njohjes së varrit për shkak të shumë varreve, në këtë rast lejohet shënimi i emrit që të arrihet qëllimi.” Allahu e di më së miri.
Ulvi Fejzullahu
|