Pyetja:
Së pari ju përshëndes për punën që jeni duke bërë, Allahu ju shpërbleftë me të mirat e Tij. Doja të bëj një pyetje. Një motër muslimane ka përfunduar fakultetin për mami. A i lejohet asaj të punojë në profesionin e saj (si mami në lindje) në spitale shtetërore ku dihet se nganjëherë, kur ndodh ndonjë komplikim, vjen doktori aty.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nëse ajo femër u përmbahet dispozitave islame, mban mbulesë dhe përpiqet brenda mundësive të ruhet nga përzierja me meshkuj të huaj, atëherë duke i pasur parasysh rrethanat e shoqërisë sonë, mendojmë se është më e dobishme që ajo të punësohet në këtë profesion sesa ta kryejë këtë punë ndonjë mashkull ose edhe ndonjë femër e papërgjegjshme e cila nuk e ka frikë Allahun dhe i keqtrajton pacientët. Femra e cila është besimtare dhe e devotshme pa dyshim se është më e përgjegjshme në punën që bën pasi ka parasysh mbikëqyrjen e Allahun për çfarëdo veprimi që bën. Pastaj shpeshherë dëgjojmë nga motrat muslimane të mbuluara të cilat shtrihen për të lindur në spital se nuk priten mirë gjatë qëndrimit aty dhe ka nga ato që detyrohen ta heqin mbulesën nga frika se nuk do të mjekohen si duhet. Prania e një mjekeje të mbuluar aty mund të ndihmojë shumë që t`ua lehtësojë atyre motrave të cilat ballafaqohen me problemet e kësaj natyre. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|