E diel, 22/12/2024, 22:18
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 2
Vizitorë: 2
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Pyetje & Përgjigje

Kam parë disa foto të disa dijetarëve, por nuk kam parë që ta lëshojnë mjekrën

Kam parë disa foto të disa dijetarëve, por nuk kam parë që ta lëshojnë mjekrën
 
 
Pyetja:

1. Kam parë disa foto të disa dijetarëve, por nuk kam parë që ta lëshojnë mjekrën, si ka mundësi? Ata janë
Abdul Basid (vetëm me mustaqe)
Sejid Kutub (vetëm me mustaqe)
Sejid Sabik (të shkurtuar mendoj)
Abdulaziz Bin Baz (me mjekër të shkurtuar)
Nasirudi Albani (nuk e di e ka shkurtuar apo aq e ka)
Muhamed El Gazali (s’ka fare)

2. Më tregoni disa dijetarë të Ehli Sunetit dhe disa libra të mirë të botuar në shqip.


Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

1. Në lidhje me mjekrën, për lëshimin e shkurtimin e saj nuk ka diçka të definuar në të cilin ka konsensus te të gjithë dijetarët, me fjalë të tjera për këtë ka mendime të ndryshme. Mund të përmbledhim kryesisht katër mendime të fikhut rreth mjekrës:

- Mjekra konsiderohet sunet dhe ai që e lëshon shpërblehet, kurse ai që nuk e lëshon nuk ka mëkat.
- Mjekra është vaxhib dhe nuk lejohet assesi shkurtimi i saj.
- Mjekra është vaxhib, por lejohet të shkurtohet vetëm çfarë tejkalon një grusht.
- Mjekra është vaxhib, por nëse njeriu e lëshon aq sa të duket se ka mjekër, atëherë ai ka zbatuar urdhrin e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Prandaj kjo që ju keni parë të disa dijetarë bashkëkohorë të respektuar, se nuk kanë mjekra, është për shkak se ata përkrahin mendimin se dispozita e mjekrës është sunet dhe nëse njeriu nuk e mban, nuk bën mëkat.

Nuk do të zgjerohemi më shumë në këtë, por vetëm themi se kjo çështje është nga gjërat në të cilat ka mospajtim dhe dallimi i mendimeve në këtë është i njëjtë sikurse dallimi në shumë çështje të tjera të fikhut. Kurse qasja jonë duhet të jetë që ta shikojmë të saktën e mbështetur në argumente më të fuqishme.

Allahu e di më së miri!

2. Kurse librat të botuar në shqip, themi se kemi shumë dhe është vështirë që të bëjmë seleksionime, por mund t`i veçojmë librat e botuar në përmbledhjen “Biblioteka Familjare”, pasi është bërë një zgjedhje profesionale e adekuate për nevojat e një muslimani shqipfolës. Allahu e di më së miri!
 

Alaudin Abazi
 
 
 
Sunetet e fitres (natyrshmërisë) -II-
 
 
 
5. LËNIA E MJEKRËS
Nga simbolet e natyrshmërisë së njeriut është lënia e mjekrës nga ana e meshkujve. Kjo është vaxhib dhe rruajtja e saj nuk është e lejuar, pasi është ndryshim i krijimit të Allahut të Lartmadhëruar, që është nga veprat e shejtanit. Në Kuran, Allahu i Lartësuar tregon se si është përbetuar shejtani: “Do t’i urdhëroj njerëzit që ta ndryshojnë krijaturën e Allahut.”1
Argumente për lënien e mjekrës janë një numër hadithesh të sakta dhe të qarta që kanë ardhur nga Muhamedi salallahu alejhi ue selem në formën urdhërore. Nga ato hadithe veçojmë:
Transmetohet nga Ibn Omeri, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kundërshtoni mushrikët (idhujtarët), shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat.”2
Transmetohet nga Ebu Hurejra, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shkurtoni mustaqet dhe lini mjekrat. (E me këtë) Kundërshtoni zjarrputistat.”3
Transmetohet nga Ebu Umameh, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shkurtoni mustaqet dhe lëshoni mjekrat. (E me këtë) Kundërshtoni ehlul-kitabët (është fjala për hebrenjtë dhe të krishterët).”4
Gjithë këto citate që u përmendën kanë ardhur në mënyrën urdhërore dhe parim i përgjithshëm te usulistët5 është se urdhri i Profetit, bekimi dhe paqja e Allahu qofshin mbi të, aludon për obligueshmëri (vaxhib), nëse nuk gjendet ndonjë citat tjetër që e zbut këtë urdhër në preferim (sunet). Për çështjen në fjalë nuk ekziston ndonjë citat tjetër që e zbut këtë dhe atëherë nuk kalohet në thënien se kjo është sunet, por mbetemi në thënien e obligueshmërisë.
Thëniet e dijetarëve rreth mjekrës
Disa nga fukahatë kanë thënë se lënia e mjekrës është nga sunetet e natyrshmërisë dhe nuk e quajnë vaxhib, megjithëkëtë ata janë rigoroz në ndalimin e rruajtjes së saj. Shumica (xhumhuri) e ulemave kanë deklaruar se rruajtja e mjekrës është haram, kurse disa prej tyre kanë thënë se është mekruh (e urryer), duke pasur parasysh mekruhin që arrin shkallën e haramit. Ja disa nga thëniet e tyre:
1. Dr. Abdulvehab Havasi6 në librin e tij7 sjell thëniet e fukahave rreth lënies së mjekrës. Ai thotë: “Kurse sa i përket dijetarëve hanefi në këtë çështje, në librin ‘Ed-deru Muhtar’ (i dijetarit të njohur hanefi Ibën Abidin) thuhet: “Meshkujve u ndalohet prerja e mjekrës”, domethënë rruajtja e saj. Gjithashtu, në kapitullin e agjërimit thuhet: “Kurse marrjen prej saj”, d.m.th. marrjen prej mjekrës më shumë se një grusht, si praktikojnë disa prej magribianve dhe burrave që u ngjasojnë femrave, nuk e lejoi askush. Kurse marrja e tërë mjekrës (rruajtja) është nga veprat e çifutëve të Indisë dhe e zjarrputistëve.”8
2. El-Adeviju, njëri prej dijetarëve të njohur malikitë, thotë: "Është transmetuar nga Imam Maliku se e ka urryer aq shumë rruajtjen e mjekrës, saqë ka thënë se kjo është prej veprave të mexhusive (zjarrputistëve)...”9
3. Shejh Ahmed bin Kasim el Abadi, nga dijetarët e shafive, thotë si vijon: "Ibn er Rrif`eh në “Hashijetul-l Kafijetu” thotë: “Imam Shafiu ka thënë në “El Um” se është haram rruajtja e mjekrës. Këtë thënie të imam Shafiut e ka cekur edhe ez Zerkeshiju dhe el Hulejmiju në “Shubel Iman”. Gjithashtu kjo ceket edhe nga profesori el Kafal esh-Shashi në ”Mehasinu esh-Sheriati" për ndalimin e rruajtjes së mjekrës."10
4. Ibn Tejmija në “el Ihtijarat” thotë: "Ndalohet rruajtja e mjekrës"11
5. Ibn Hazmi thotë: "Dijetarët kanë rënë në ujdi se rruajtja e mjekrës është deformim, që nuk lejohet."12
6. Ibn Abdil Berri thotë në “Et-Temhid”: "Ndalohet rruajtja e mjekrës dhe nuk e bën këtë vepër askush përveç atij i cili dëshiron të marrë cilësi grash."
Përveç këtyre dijetarëve të hershëm, edhe shumë dijetarë të tjerë e kanë ndaluar rruajtjen e mjekrës. Prandaj nuk do të zgjerohemi më shumë në këtë, por dëshirojmë të bëjmë të ditur se muslimani i cili dëshiron të jetë i përkushtuar ndaj besimit të tij nuk bën të heqë dorë nga kjo praktikë, edhe nëse gjendet dikush nga dijetarët, posaçërisht disa bashkëkohorë, të cilët njihen për më shumë liberalizëm në dispozita, që mbajnë mendimin se kjo gjë është sunet.
6. SHKURTIMI I MUSTAQEVE
Edhe kjo praktikë konsiderohet prej natyrshmërisë dhe është një formë me të cilën dallohemi nga jobesimtarët, pasi i Dërguari, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, na ka urdhëruar të lëmë mjekër dhe të shkurtojmë mustaqet, si vërtetohet në hadithet e lartpërmendura.
7. PËRDORIMI I MISVAKUT
Misvaku është një lloj druri i cili përdoret për pastrimin e dhëmbëve. Lloji më i mirë është ai i pemës “Arak”, që rritet në krahinën e Hixhazit (vendndodhja e dy Haremeve). Aishja, Allahu qoftë e kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Misvaku është pastrim për gojën, kurse kënaqësi për Zotin.”13
Pastrimit i dhëmbëve me misvak vërtetohet me dhjetëra hadithe dhe kjo nxjerr në pah atë që dëgjojmë shpesh nga mjekët bashkëkohorë për rëndësinë e mirëmbajtjes dhe të pastrimit të dhëmbëve. Përdorimi i misvakut është i preferuar në çdo rast, mirëpo rekomandimi i tij del në pah edhe më shumë në këto raste:
Gjatë marrjes së abdestit- sepse i Dërguari i Allahut, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Sikur mos ta rëndoja umetin tim, do t’i urdhëroja ta përdorin misvakun para çdo abdesti.”14
Gjatë namazit- I Dërguari i Allahut, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Sikur mos t’ia vështirësoja umetit tim, do t’i urdhëroja ta përdorin misvakun para çdo namazi.”15
Gjatë leximit të Kuranit- Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Na urdhëroi i Dërguari, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ta përdorim misvakun e pastaj tha: “Kur njeriu ngrihet për të falur namazin, vjen meleku që të dëgjojë Kuran, të cilin e lexon ai, dhe vazhdimisht i afrohet, saqë vendos gojën e tij në gojën e atij, kështu që çdo ajet që ai thotë, shkon në fytin e melekut.”16
Kur hyhet në shtëpi- Mikdam Ibn Shurejhu transmeton nga babai i tij, i cili thotë: “E kam pyetur Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Kur hynte i Dërguari, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në shtëpi, çfarë bënte së pari?’ Ajo më tha: “Përdorte misvakun.”17
Kur zgjohesh natën- Hudhejfeja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kur zgjohej Muhamedi, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, për të falur namaz nate, i fërkonte dhëmbët me misvak.”18
Dijetarët janë pajtuar se nëse në vend të misvakut përdorët ndonjë mjet tjetër, si brusha, që realizon atë që bën misvaku (d.m.th. pastron dhe largon mbeturinat), atëherë ajo lejohet dhe e zëvendëson atë.
8. PASTRIMI I VENDIT NDËRMJET GISHTËRINJVE
Vendi ndërmjet gishtërinjve është vendi ku mblidhen mbeturinat dhe ndyrësirat, prandaj është nga natyrshmëria e muslimanit kujdesi ndaj tyre. Pastrimi i këtyre vendeve është i preferuar gjithnjë, por gjatë marrjes së abdestit dëshmohet më mirë. Nga Ibën Abasi tregohet se i Dërguari i Allahut, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Kur të marrësh abdest, fërko në mes të gishtave të duarve dhe të këmbëve!"19
 
Alaudin Abazi
1.6.2007
[1] En-Nisa, 119.
[2] Shënon Buhariu dhe Muslimi.
[3] Shënon Muslimi, Bejhikiu, Ahmedi dhe të tjerët.
[4] Shënon Muslimi dhe të tjerët.
[5] Dijetarët e Usuli Fikhut.
[6] Profesor i shkencës së Fikhut pranë Universitetit të “Ez`herit” në Kajro.
[7] “Fikhu Ibadat”, vëll.1, f. 22-23.
[8] “Ed-derru Muhtar”, vëll. 2, f. 418 dhe vëll. 5, f. 269.
[9] “Hashijetu el Adevi”, vëll. 2, f. 411; “Hukmu el-Lihjetu fil Islam” nga shejh Muhamed el Hamid, f.17.
[10] “Fikhu Ibadat”, vëll. 1, f.23.
[11] “El Ihtijarat el Ilmije”, f.6.
[12] “Meratib el Ixhama”, f.157. Shiko “el Muhala”, vëll. 2, f. 189.
[13] Shënon Ahmedi dhe Nesaiu.
[14] Shënon Buhariu dhe Muslimi.
[15] Shënon Buhariu dhe Muslimi.
[16] Shënon Bejhekiu.
[17] Shënon Muslimi.
[18] Shënon Buhariu dhe Muslimi.
[19] Shënon Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe.
Kategori: Pyetje & Përgjigje | Shtuar nga: Argjendi (21/08/2009)
Klikime: 894 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024