Pyetja:
Es-selam alejkum! Jam një djalë 17-vjeçar dhe elhamdulilal së fundmi jam udhëzuar, por kam një problem me prindërit sepse ata assesi s’duan ta kuptojnë gjendjen e tanishme timen, për shkak se janë mësuar me gjendjen time prej "bashkëkohori" më parë. Të sillem keq me ta s'dua, sepse mbështetem në hadithin ku thuhet 'Prindërit janë dera e mesme e xhenetit, pra nëse dëshiron humbe atë dere ose fitoje atë'. Çka më sugjeroni të bëj? Allahu ju shpërbleftë!
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Në këtë vend, mendoj se më duhet të bëj një vërejtje të rëndësishme. Fakti se familjet ose prindërit të cilët kundërshtojnë zgjedhjen e fëmijëve të tyre në esencë është logjike dhe e arsyeshme për shkak se prindërit asnjëherë nuk u dëshirojnë fëmijëve të tyre të keqen. Por koha në të cilën ata janë zhvilluar, duke i absorbuar të gjitha shpifjet që i visheshin Islamit, pastaj edhe propaganda e furishme e cila është duke ndodhur në kohën tonë, të gjitha këto i bëjnë ata të kenë paragjykime dhe neveri rreth mësimeve islame në përgjithësi. Prandaj duhet të kuptohet drejt premisa e këtij reagimi dhe kjo duhet të trajtohet si diçka e natyrshme.
Pastaj nga pyetja juaj mund të kuptojmë se edhe para udhëzimit tuaj (ashtu si ju theksoni kur keni qenë më bashkëkohorë), keni qenë i mirësjellshëm ndaj prindërve tuaj. Ndërsa tani pasi jeni udhëzuar, jo që nuk duhet të silleni vrazhdë, por duhet që në formë të theksuar ta shumëfishoni mirësjelljen, kështu që ata të binden se Islami ka ndikuar te ju.
Ne jemi të bindur se një qasje e qëlluar nga ana e juaj duke ua treguar realitetin e Islamit së pari me sjellje, pastaj me gjërat e tjera, pa dyshim do t`i bëjë ata që ta ndryshojnë qëndrimin që kanë ndaj Islamit. Prandaj bëhuni më zemërbutë me ta dhe mos ngrini zërin gjatë bisedave dhe jepu kohë që të njihen me djalin e tyre, i cili tani ka zgjedhur një formë tjetër të jetesës dhe kështu besojmë që edhe ata me kalimin e kohës do të binden se zgjedhja e juaj ishte e saktë.
Në fund, mos harroni mbështetjen tek Allahu i Lartësuar, në Dorën e të Cilit është çdo gjë. Për çdo problem, preokupim, mërzi kthehuni Atij dhe pa dyshim Allahu i do ata që i përulen Atij dhe e zgjedhin Atë për mbështetës!
Alaudin Abazi
|