E diel, 22/12/2024, 18:52
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 2
Vizitorë: 2
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Pyetje & Përgjigje

Jam fillestar në namaz, po praktikoj vetëm farzin

 
 
Pyetja:

Selam alejkum!
Pasi jam fillestar në namaz, po praktikoj vetëm farzin. Dua një herë të forcoj namazin e pastaj inshallah edhe sunetet. A duhet që për farze të thirret ezani apo vetëm ikameti?


Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëlla i nderuar, ju urojmë për fillimin e faljes së namazit. Me të vërtetë ky adhurim është prej adhurimeve themelorë dhe më të rëndësishme që duhet të kryejë besimtari. Lusim Allahun e Lartësuar t’ju hapë rrugën e mëshirës dhe të vazhdoni në këtë rrugë, derisa ta takoni Krijuesin në Ditën e Gjykimit, atëherë kur njeriut nuk do t’i bëjë dobi as pasuria e as pasardhësit, por do ta shpëtojnë vetëm veprat e mira të cilat i ka manifestuar si nënshtrim ndaj Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. (por bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” (Shuara, 88-89). Zemra e shëndoshë e përmendur në këtë ajet ka për qëllim njeriun i cili ka pasur besim.

Para se të fillojmë t’i përgjigjemi pyetjes së parashtruar, ju kujtojmë se tani, pasi keni filluar të faleni, nuk është e drejtë që gjatë faljes të kufizoheni vetëm në faljen e farzeve dhe ndaj suneteve të jeni kursyes. Po që se mjaftoheni vetëm me farzet gjatë faljes së namazeve në këtë fillim, atëherë themi se kjo formë e perceptimit të kryerjes së këtij adhurimi nuk është e drejtë. Namazi është rit me të cilin ju komunikoni me Allahun, e falënderoni, i luteni, e madhëroni; me një fjalë ju shprehni nënshtrimin ndaj Tij. Bëjeni këtë duke manifestuar dashuri dhe ndjenjë afrimi ndaj Tij e jo vetëm duke e konsideruar si kryerje e një obligimi me të cilën është ngarkuar besimtari. Prandaj mos i ndani në periudha fillimin e faljeve të farzeve dhe fillimin e faljeve të namazeve sunete. Por mundohuni që edhe ndaj suneteve të mos jeni neglizhues dhe praktikojini ato brenda mundësive që keni.
 

A duhet që për farze të thirret ezani apo vetëm kiameti?

Ezani është prej shenjave dhe simboleve të Islamit, madje prej atyre më të mëdha, pasi me këtë bëhet paralajmërimi i hyrjes së kohëve të namazeve dhe konsiderohet adhurim me të cilin shpërblehen besimtarët.

Që ezani është prej simboleve dhe specifikave më të qarta të fesë janë në ujdi të gjithë dijetarët, por ata kanë dallim se çfarë dispozite ka ai. Pa u zgjeruar në përcjelljen e mendimeve, themi se mendimet e tyre sillen rreth qëndrimit se ai është  vaxhib kifai (kifaje)1 dhe sunet i fortë (muekede).

Sido që të jetë, pa marrë parasysh këto dallime, e shohim se fukahatë e të gjitha medhhebeve janë të mendimit se muslimanëve të një vendi nuk u lejohet që të neglizhojnë praktikimin e ezanit dhe nëse një vend musliman tërësisht e lë thirrjen e ezanit, atëherë imami (udhëheqësi) i muslimanëve është i obliguar që t`i detyrojë ata, qoftë edhe me forcë, për rikthimin e këtij simboli islam në praktikën e tyre2.

Malik Huvejrith tregon se një grup të rinjsh (ndër ta edhe Maliku) kishin shkuar në Medinë tek i Dërguari Muhamed, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, për të mësuar Islamin nga ai. Pasi qëndruan atje njëzet net, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, mendoi se ata ishin mërzitur për familjet e tyre dhe i mëshiroi ata e i liroi të kthehen te familjet e tyre. Para se të niseshin ata, ai i këshilloi: “Kthehuni te familjet tuaja, rrini me ta, mësoni e urdhëroni ata dhe kur të hyjë koha e namazit, atëherë le ta thërrasë ezanin ndonjëri prej jush dhe le të dalë imam më i vjetri nga ju.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

Prandaj, duke e pasur parasysh këtë, themi se gjatë kohëve të namazeve kur muslimanët mblidhen për t’u falur në xhami, atëherë obligohen që para fillimit të faljes, kur të hyjë koha, të lajmojnë hyrjen e kohës me ezan dhe nuk u lejohet që të neglizhojnë në këtë.

Por nëse besimtari falet vetëm në shtëpi ose nuk e arrin xhematin në xhami, ose falet pasi të ketë dalë koha (kaza), atëherë a është i obliguar që ta thërrasë ezanin para faljes apo jo?

Në këtë rast, nëse ky person është në një vend ku nuk është dëgjuar ezani, sikurse në udhëtim ose larg në mal e shkretëtirë, atëherë ai nuk duhet të neglizhojë thirrjen e ezanit para faljes. Por nëse gjendet në një vend ku thirret ezani, si në qytete ose fshatra në të cilat thirret ezani, atëherë do të ishte e preferuar që ta thërriste edhe një herë ezanin, por nëse mjaftohet me ezanin e të tjerëve nuk ka gjë.3

Ethremi dhe Seid bin Mensuri shënojnë se sahabi Enes Ibën Malik në një rast hyri në një xhami në të cilin ishte kryer falja e namazit. Ai urdhëroi një person që të thërriste ezanin e ikametin dhe ai doli imam që t`ua falte namazin4.

Ndërsa Urve Ibën Zubejri ka thënë: “Nëse arrij në xhami dhe njerëzit e kanë thirrur ezanin dhe ikametin, atëherë ezani dhe ikameti i tyre mjafton edhe për të tjerët që vijnë pas tyre.” Kjo është përzgjedhje e Hasan Basriut, Shabiut dhe Ibrahim Nehaiut (të tre këta dhe Urveja gjithashtu numërohen nga tabiinët e vjetër dhe më të dijshëm). Vetëm se Hasan Basriu ka thënë se preferohet thirrja e ikametit.

Duke mos u zgjeruar më shumë, themi se nëse faleni në shtëpi ose në xhami me vonesë pasi të jetë thirrur ezani e ikameti, atëherë do të ishte e qëlluar që ta thirrni ikametin edhe një herë para se të filloni faljen. Ndërsa nëse nuk e thirrni ezanin veçmas edhe një herë, nuk prish punë, edhe pse nëse e bëni këtë do të ishte më mirë dhe do të keni shpërblim. Allahu e di më së miri!

 

Alaudin Abazi
15.3.2009

1 Vaxhib kifaje i thuhet një vepre me të cilin obligohen të gjithë muslimanët fillimisht, por nëse atë e kryejnë një grup muslimanësh, atëherë ai obligim bie nga të tjerët, sikurse falja e namazit të xhenazes.
2 “Es Salatu Ve Ahkamuha Vifke Medh`heb Imam Ebi Hanife”, Vehbi Gavoxhi, f. 132; “Hashijetur Revdul Murbi” vëll. 1, f. 327.
3 Këtë sqarim kështu e përmendin shumë fukara në librat e tyre, shih: ; “Sherhu Mumti”, vëll. 2, f. 46. “El Lubab Fi Sherhi Kitab”, vëll. 1, f. 75; “Sherhu Mumti”, vëll. 2, f. 46.
4 Shënon Buhariu, por pa zinxhir transmetuesish (mualek), ndërsa Bejhikiu e përcjell me zinxhir transmetuesish. Shih “Temamil Minneh”, f. 155.

Kategori: Pyetje & Përgjigje | Shtuar nga: shpend-xhelili (16/08/2009)
Klikime: 1255 | Komentet: 1 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 1
1 Mirsad  
0
Suneti per Pejgamberin S.a.v.s
ka qen Farz

Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024