Pyetja:
Pyetja është, çfarë bëhet me një person që ka dashur të të dhunojë ose të ka dhunuar një anëtar të familjes së ngushtë, puna e tij është se ai ende bën disa gjynahe të tjera, por ka shenja që ai me ne do me u ndreq. Ne s’po mundem me ia fal, por për shkak të muslimanizmit po mundohmi. Hoxhë, po e di se qysh është puna, sa rëndë, çfarë të bëjmë, a të ndalemi krejt a ta dënojmë këtë njeri në ndonjë mënyrë? Është i afërm prej gjakut. Hoxhë, mund ta paramendosh çfarë dëmi dhe stresi na ka bërë në familjen tonë. Më keq është puna se ai njeri falet, bash hiç s’po dimë se çfarë të bëjmë. Allahu na ndihmoftë e ruajttë, edhe ty të shpërbleftë me xhenet.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i nderuar, nuk e kemi të qartë shumë se çfarë problemi ka ndodhur në mes familjes suaj dhe këtij personi, pastaj nuk dimë edhe se sa të afërm e keni atë, por ju këshillojmë që në hapat të cilat do t’i ndërmerrni, të keni parasysh dëmin dhe dobinë që do ta arrini. Prandaj, nëse ai djalë e ka bërë këtë hap të keq ndaj familjes suaj, por fatmirësisht, falë Allahut, nuk ju ka ndodhur diçka e keqe, atëherë mendojmë se nëse e falni atë dhe nuk merrni ndonjë hap që ta lajmëroni ose ta ndëshkoni, kjo do të ishte më e qëlluar, posaçërisht nëse shihni shenja përmirësimi tek ai. Por kjo nuk do të thotë që ju t`ia hapni derën e familjes dhe ai të vazhdojë të vijë te ju. Besojmë se një kujdes i shtuar nga ana juaj do të ishte i nevojshëm për atë person në ato rrethana në të cilat keni kaluar me të. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
|