Ritualet e thjeshta të besimit islam i dhanë jetë një arkitekture unike fetare, duke përfshirë këtu xhaminë (mesxhidin), një vend për mbledhjen e bashkësisë dhe faljen, dhe medresenë, ose shkollën fetare. Më vonë këtij kompleksi iu shtuan edhe bibliotekat (kitabhanet). Xhamia është një ndërtesë që shërben si vendadhurimi për muslimanët. Xhamitë janë të tipeve dhe përmasave të ndryshme; xhamitë e së Premtes – në të cilat e gjithë bashkësia mblidhet për të kryer faljen e së Premtes – janë me të vërtetë më të rëndësishmet. Karakteristikë e veçantë e xhamive ishte se ndërtoheshin në qendër të qytetit dhe çdo lagje kishte xhami të vetën dhe në shumë raste nëpër lagje ndërtoheshin disa dhoma të vogla që quheshin edhe mesxhide[5]. Koha e artë e ndërtimit të xhamive nis qysh në shekullin VII, kur nis edhe përhapja e Islamit, deri në shekullin XVI. Xhamia e parë ishte oborri i shtëpisë së Muhamedit a.s. në Medine më 622. Muri i oborrit që shihte në drejtim të qytetit të shenjtë të Mekes – i quajtur muri i kibles – ishte i mbuluar me çati dhe ku kryheshin ritualet e faljes. Ndërsa tre muret e tjera ishin të pajisur me arkada të vogla. Kjo skemë u bë plani bazë për të gjitha projektet e mëvonshme të xhamive, për të cilat tre elementet kryesore vazhduan të jenë oborri, muri i kibles dhe salla e mbuluar për lutjet dhe faljet. Në qendër të murit të kibles ishte mihrabi ose vendorientimi që tregon anën e Mekes. Ngjitur me mihrabin në të djathtë gjendet mimberi një vend i ngritur, platformë, nga e cila mbahet predikimi i ditës së Premte, hytbeja. Mimberet punoheshin dhe punohen ende prej druri, me shumë shkallë që përfundojnë me një shesh të vogël në fund dhe të mbuluar. Po ashtu një element i vonshëm është edhe një vend i ngritur, në krah të kundërt me mimberin e hytbes ku në ditët e tjera, mbaheshin ligjërata ose siç njihen në terminologjinë fetare, vazë. Në shoqëritë e dominuara nga Feja Islame, xhamia shërben për nevojat politiko-sociale njësoj si dhe për ato fetare[6]. Xhamia bëhet një forum për shumë funksione publike, duke shërbyer si sallë gjyqi, shkollë, sallë mbledhjesh etj. Gjendet pranë bibliotekave, spitaleve, hamameve, medresesë, universiteteve dhe arkës së shtetit. Kështu krijohet padyshim një ansambël i dallueshëm qytetar ku në qendër të vëmendjes është xhamia, e cila është pikënisja e të gjitha veprimtarive sociale. Ndërsa Islami përhapej jashtë Arabie, në projektin e xhamisë u trupëzuan elemente të adaptuara nga arkitektura e territoreve të pushtuara. Xhamitë me kube – novacioni më i madh dhe i fundit në projektin e xhamisë – e patën origjinën e tyre në Turqi pas pushtimit osman të Kostandinopojës (sot Stambolli) më 1453. Frymëzim për xhamitë e mëdha osmane u bë rikonstruksioni i Aja Sofias së Kostandinopojës, ku struktura e re me harqe-kube bëri të mundur përdorimin e kubeve të ndriçuara mirë në çatitë me hapësira të mëdha. Xhamitë osmane zakonisht paraqesin sallën e faljeve dhe sipër saj një kube qendrore e madhe, përreth e qarkuar nga kube më të vogla dhe gjysëmkube. Gjithashtu një element që i përket oborrit të xhamisë ishin edhe çezmat e vendosura për të marrë abdes në formën e rrethit ndërsa hamami që gjendej pranë xhamisë e plotësonte ciklin e nevojave të një besimtari e të krejt bashkësisë. Një tjetër element i rëndësishëm dhe karakteristik ishin dhe bahçet me lule që e rrethonin xhaminë, duke i ofruar njerëzve çaste pushimi në orë të ndryshme të ditës. Në xhamitë e hershme thirrja e ezanit u bënte nga muezini, drejtpërdrejt nga çatia e xhamisë. Përdorimi i minaresë për këtë qëllim filloi me Xhaminë e Kajruanit (shekulli VIII) në Tunizi[7]. Minaret u bënë një veçori e zakonshme në të gjitha xhamitë e mëvonshme. Ato janë gjithashtu të rrumbullakëta, kuadrate, spirale ose oktagonale.
|