Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. "O ju që keni besuar, keni frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!" Ali Imran, 102.
"O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikëqyrës mbi ju." Nisa, 1.
"O ju besimtarë, keni frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh." Ahzab, 70:71.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr.
O ju besimtarë! Kijeni frikë Allahun dhe binduni Atij, shpresoni në të mira, sepse muaji i ramazanit u afrua, muaj në të cilin zbriti Kurani që është udhëzim për njerëzimin, muaj në të cilin hapen dyert e mëshirës dhe mbyllen dyert e dënimit. Në këtë muaj lidhen shejtanet dhe të gjithë xhindët jobesimtarë, muaj në të cilin sevapet shumëfishohen dhe gjynahet zvogëlohen, muaj i përgjigjes së duasë, muaj i durimit, i sakrificës dhe i sadakasë, është pyetur i dërguari i Allahut se kush sadaka është sadakaja më e mirë, është përgjigjur: “Sadakaja në ramazan.”
Është transmetuar nga Selman el Farisij (radiallahu anhu) i cili ka thënë se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “O ju njerëz! Ju ka ardhur juve një muaj i madhëruar dhe i bekuar, në këtë muaj është nata më e vlefshme se njëmijë muaj. E bëri Zoti agjërimin e ditëve të tij obligim dhe faljen e natës në të të vlefshme. Kush shton gjatë muajit ndonjë të mirë prej veprave të mira, është sikur obligimi i kryer gjatë muajve të tjerë. Kush kryen një farz (obligim) në këtë muaj është sikur ai që kryen shtatëdhjetë obligime gjatë muajve të tjerë dhe ky është muaji i sabrit (durimit), kurse shpërblimi i sabrit është xheneti. Është muaj në të cilin shtohet rrësku (furnizimi) i besimtarit. Ai që jep iftar një agjëruesi është shpagim për mëkatet që ka bërë dhe largon nga ai zjarrin e xhehenemit dhe e ka shpërblimin e njëjtë me agjëruesin pa u zvogëluar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.”
Njerëzit thanë: “O i dërguar i Allahut, çdonjëri prej neve nuk ka nga pasuria aq sa të ushqente agjëruesit?” I dërguari i Zotit tha: “Allahu jep këtë shpërblim edhe atij i cili jep për iftar agjëruesit vetëm një hurmë, një gllënkë ujë apo qumësht. Dhe ky është muaj fillimi i të cilit është mëshirë, mesi falje e gjynaheve, kurse fundi i tij mbrojtje nga zjarri i xhehenemit.”
E shikoni, Allahu ju mëshiroftë, këtë ligjëratë profetike të nderuar, i përgëzoi në të i dërguari i Allahut shokët e tij duke ju treguar për shumëfishimin e punëve të mira dhe se ai është muaj i madhërishëm, duke ju thënë: “Nuk ka për muslimanët muaj më të mirë se ky muaj dhe nuk ka për munafiket muaj më të keq se ky muaj.”
Gjithashtu, në hadithin kudsij nga Ebu Hurejra transmetohet se i dërguari i Allahut ka thënë: “Ka thënë Allahu i Madhëruar: ‘Çdo punë e mirë e birit të Ademit ka dhjetë të mira deri në shtatëqind të mira, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të, i largohet kënaqesive të tij, ngrënies dhe pijes për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime, një kur hap iftarin dhe tjetra kur të takojë Zotin e tij, era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se era e miskut’.”
Dhe e ka emëruar atë, muajin e durimit, për durimin që bën njeriu nga uria, etja, dhe rënia e fuqisë trupore. Nga Ibn Amr transmetohet se thuhet se Agjërimit nuk ia di sevapin askush përveç Allahut të Madhëruar.
Mundet që sevapi i punëve të mira të shtohet edhe më shumë në vendet e shenjta si në Mekë apo në Medine, siç është transmetuar në hadithin e saktë ku thuhet se i dërguari i Allahut ka thënë: “Namazi në xhaminë time është i barabartë me 1000 namaze jashtë tij, përveç Mesxhidi Haramit.”
Gjithashtu, shtohen sevapet sipas kohëve, p.sh.: në muajin ramazan apo në 10 ditët e fundit të dhulhixhes, etj.
Nga veçoritë e këtij muaji, gjithashtu, është edhe shumëfishimi i të mirave deri në 700 fish e më shumë për atë që e ka pastruar nijetin për hir të Allahut të Lartësuar dhe që jep sadaka nga fitimi i tij i mirë se Allahu nuk pranon vetëm se të mirën.
Nga Enesi transmetohet në hadith të mirë se ka thënë: “Sadakaja e fik zemërimin e Allahut, e largon të keqen.” Është transmetuar, gjithashtu, se hija e besimtarit Ditën e Gjykimit është sadakaja e tij.
Gjithashtu, ajetet kuranore për mirësitë e sadakasë janë të shumta, ndërmjet tyre Allahu i Madhëruar ka thënë: “Në rast se jepni sadaka, në të hapet kjo, është e mirë, por në rast se e fshihni dhe ua jepni atë të varfërve, kjo është më e mirë për ju, ju pastron gjynahet tuaja e Allahu është i Gjithëdijshëm për çka punoni.”
Nga veçoritë e këtij muaji është edhe falja e natës për të cilën Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Ai i cili fal teravitë në ramazan me besim të plotë dhe me nijet të pastër, i falen atij gjynahet e kaluara.”
Pra, jini të kujdesshëm për shfrytëzimin e këtyre kohëve të mira, me vepra të mira që të fitoni xhenetin, hapësira e të cilit është sa qielli e toka i përgatitur për të devotshmit.
Dhe së fundi, Allahu e di më së miri për çka thashë dhe Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dërguarin e tij mbi familjen dhe shokët e tij të nderuar.
Përktheu: F. Gurra
22.09.2006
Enbija, 102- 103.
|