“O njerëz!” Falënderimi i takon vetëm Allahut, që ia shpalli robit të Vet librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie. I falënderuar qoftë Allahu, i Cili nuk pati fëmijë dhe nuk ka për Të shok në sundim. Falënderimi i qoftë Allahut dhe shpëtimi qoftë mbi robërit e Tij që Ai i zgjodhi (Pejgamberët)! Falënderimi i takon Allahut, e të Cilit është çka ka në qiej dhe çka ka në tokë dhe i tërë falënderimi i takon Atij në botën tjetër. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e mëshirës, Muhamedin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, kurse çdo lajthitje të çon në zjarr.
Të nderuar muslimanë!
Fillimisht i lutem Allahut të Lartësuar që Librin e Tij ta bëjë të dashur në zemrën time dhe tuajën. Pa dyshim që dy ajete më bënë të ndalem dhe të meditoj nën hijen e tyre. Ato janë:
وَلَوْ أَنَّمَا فِي الْأَرْضِ مِن شَجَرَةٍ أَقْلَامٌ وَالْبَحْرُ يَمُدُّهُ مِن بَعْدِهِ سَبْعَةُ أَبْحُرٍ مَّا نَفِدَتْ كَلِمَاتُ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٌ
“Sikur të gjithë drurët, që gjenden në tokë të ishin pena e deti bojë shkrimi e t’i shtohen atij edhe shtat dete të tjera, nuk do të shtereshin fjalët e Allahut. Pa dyshim, Allahu është i Plotfuqishmi dhe i Urti.”1 قُل لَّوْ كَانَ ٱلْبَحْرُ مِدَاداً لِّكَلِمَاتِ رَبِّي لَنَفِدَ ٱلْبَحْرُ قَبْلَ أَن تَنفَدَ كَلِمَاتُ رَبِّي وَلَوْ جِئْنَا بِمِثْلِهِ مَدَداً
“Thuaj: Sikur deti të ishte bojë për të shkruar fjalën e Zotit tim, sigurisht që ai do të shterej para se të soseshin fjalët e Zotit tim, edhe sikur ne të sillnim si ndihmë edhe një det tjetër si ai.”2
Pra, sikur drunjtë të bëhen pena dhe deti bojë, nuk do të përfundojnë së përfunduari domethëniet dhe kuptimet e fjalëve të Allahut. Allahu Ekber! Ai është më i Madhi, i Gjithëfuqishmi, Sunduesi, i Plotfuqishmi, Mbikëqyrësi, Madhështori.
Të nderuar besimtarë!
Në vazhdim do të notojmë në detin e pashtershëm të fjalëve të Allahut me të vetmin qëllim që të përfitojmë. Në këtë hytbe do të lexojmë thirrjet hyjnore të Zotit të botëve, thirrjen dhe mesazhin universal për mbarë botën, duke u ndalur vetëm në thirrjen hyjnore: “O njerëz!” Lus Allahun e Lartësuar që të na bëjë prej atyre që do të kemi dobi dhe këto vlera t’i përcjellim edhe te të tjerët! Allahu i pastroftë qëllimet dhe veprat tona! Kujdes! Kini në konsideratë thirrjen e Allahut të Lartësuar, se kjo është thirrje për adhurim; këtu është fitimi, shpëtimi, liria, kënaqësia, lumturia, krenaria, mburrja...
“O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat).”3 “O njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur një provë bindëse (Muhamedi) nga Zoti juaj dhe është zbritur një dritë e dukshme (Kurani).”4 “O njerëz! I Dërguari ju ka sjellë të vërtetën nga Zoti juaj, prandaj besoni, se për ju është e mirë! E në qoftë se nuk besoni, ta dini se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”5 “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”6 “O njerëz, unë jam i Dërguar i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk Zot tjetër të vërtetë veç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në Allahun dhe fjalët e Tij! Shkoni pas Tij, që të jeni në rrugën e drejtë.”7 “O njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kurani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.”8 “O njerëz! Vërtet, padrejtësia që bëni për t’u kënaqur në jetën kësaj bote, vetëm ju dëmton. Pastaj ju do të ktheni te Ne dhe Ne do t’ju njoftojmë për atë që keni punuar.”9 “O njerëz! Nëse ju dyshoni në fenë time, unë nuk adhuroj ata që ju adhuroni pos Allahut, por adhuroj Allahun që u jep vdekjen (ashtu si u ka dhënë jetën), dhe jam i urdhëruar të jem besimtar (i Zotit një).”10 “O njerëz! Juve ju erdhi e vërteta nga Zoti juaj, e kush merr rrugën e drejtë, ai e ka vetëm për veten e vet, ndërsa kush e merr të shtrembrën, ai e ka humbur veten. Unë nuk jam roja juaj!”11 “O njerëz! Ruajuni dënimit nga Zoti juaj, sepse dridhja pranë katastrofës së kiametit është një llahtari e madhe.”12 “O njerëz! Nëse dyshoni për ringjalljen, atëherë (mendoni krijimin tuaj që) Ne u krijuam ju prej dheu, pastaj prej uji, pastaj prej një gjaku të ngjizur, pastaj prej një sa kafshatë mishi, që është krijesë e formuluar ose e paformuluar, në mënyrë që t’ju sqarojmë. Ndërsa atë që e dëshirojmë Ne, e përqendrojmë në mitër deri në një afat të caktuar, e mandej u nxjerrim foshnje dhe ashtu të arrini pjekurinë tuaj. Ka që dikush prej jush vdes herët, e dikush të jetojë deri në pleqëri të thellë, në mënyrë që të mos dijë asgjë nga dija që ka pasur. E ti e sheh tokën e tharë - të vdekur, e kur Ne ia lëshojmë asaj ujin ajo gjallërohet, shtohet dhe nga të gjitha llojet rrit bimë të këndshme.”13 “O njerëz! Ja një shembull, vini veshin pra: Vërtet ata që po i adhuroni në vend të Allahut, ata nuk mund të krijojnë asnjë mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të, e po ashtu, nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj. I dobët është edhe lutësi edhe i luturi.”14 “O njerëz! Ushqehuni me të gjitha ato gjëra të lejuara e të mira që gjenden në tokë dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur.”15 “O njerëz! Ruani me mirënjohje të mirat që Allahu u dhuroi! A ka ndonjë zot tjetër që ju furnizon juve nga qielli e toka? Nuk ka zot tjetër përveç Tij, e si pra, e ktheni shpinën?”16 “O njerëz! S’ka dyshim se premtimi i Allahut është i vërtetë, pra të mos u mashtrojë juve jeta e kësaj bote dhe të mos u mashtrojë juve ndaj Allahut ai i mashtruari (shejtani).”17 “O njerëz! Ju keni nevojë për Allahun e Allahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari.”18 “O njerëz! Vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”19 “O njerëz! Unë jam për t’ua tërhequr haptazi vërejtjen.”20
Të nderuar besimtarë!
Duhet të ndalemi të gjithë te thirrja hyjnore “O njerëz!” Kjo thirrje që vjen nga Krijuesi Allah pa dyshim që është e këndshme për veshin e njeriut të arsyeshëm, i cili është dashamir i së vërtetës. Në këtë hytbe veçuam tetëmbëdhjetë thirrje të Allahut të Lartësuar me shprehjen e bukur: ‘O njerëz!” Ata të cilët e dëshirojnë lumturinë e të dy botëve le të kenë në konsideratë thirrjen e Allahut të Lartësuar. Pa dyshim që kjo thirrje ngërthen në vetë udhëzimin dhe shpëtimin në këtë botë dhe botën tjetër, kurse ata që e refuzojnë thirrjen e Allahut do të kenë këtë përfundim:
وَمَنْ أَعْرَضَ عَن ذِكْرِي فَإِنَّ لَهُ مَعِيشَةً ضَنكاً وَنَحْشُرُهُ يَوْمَ ٱلْقِيامَةِ أَعْمَىٰ. قَالَ رَبِّ لِمَ حَشَرْتَنِيۤ أَعْمَىٰ وَقَدْ كُنتُ بَصِيراً. قَالَ كَذٰلِكَ أَتَتْكَ آيَاتُنَا فَنَسِيتَهَا وَكَذٰلِكَ ٱلْيَوْمَ تُنْسَىٰ.
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?”Ai (Allahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot.”21
Allahu im! Bëje fjalën dhe thirrjen Tënde të dashur dhe të pranuar në zemrat tona! Allahu im! Lehtësoji zemrat e njerëzve për ta pranuar thirrjen Tënde!
Përgatiti: Ulvi Fejzullahu 30.5.2008
--------------------------------------------------------------------------------
1 Lukman, 27. 2Kehf, 109. 3 Bekare, 21. 4 En Nisa, 174. 5 En Nisa, 170. 6 En Nisa, 1. 7 Araf, 158. 8 Junus, 57. 9 Junus, 23. 10 Junus, 104. 11 Junus, 108. 12 Haxh, 1. 13 Haxh, 5. 14 Haxh, 73. 15 Bekare, 167. 16 Fatir, 3. 17 Fatir, 5. 18 Fatir, 15. 19 Huxhurat, 13. 20 Haxh, 49. 21 Taha, 124-126.
|