E shtunë, 27/04/2024, 01:15
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

Durimi dhe Falenderimi

Durimi dhe Falenderimi
 
Durimi, ose këmbëngulja në durim, është e detyrueshme, sipas konsensusit të dijetarëve ...
E premte, 27 Mars 2009 21:02




Autor: Ibn Kajim El-Xhevzijeh



Bismilahir Rahmanir-Rahim



Prologu i autorit

Lavdërimi i përket Allahut, Durimtarit (Es-Sabur), Falenderimplotit (Esh- Shakur), Më të lartit (el - Alij), Më të madhit (el - Kebir), Gjithë-dëgjuesit (Es-Sami), Gjithëshikuesit (El-Basir), të Gjithëditshmit (El-Alim), të Gjithëfuqishmit (El-Kadir). Fuqia e të Cilit kontrollon secilën krijesë dhe Vullneti i të Cilit zotëron secilën ngjarje. Thirrja e Tij drejtuar popujve për t'u gatitur për Ahiretin është aq e fortë sa mund ta dëgjojnë edhe të vdekurit. Dëshmoj se nuk ka zot përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është skllavi dhe lajmëtari i Tij, më i miri i krijimit të Tij, i cili nuk kurseu asnjë përpjekje për ta këshilluar këtë Umet, më durimtari në pranimin e dekretit të Allahut dhe më falenderuesi për bekimet e Tij. Vërtet, ai përcolli mesazhin e Allahut dhe shpalli të Vërtetën, dhe duroi në rrugën e Allahut ashtu si nuk ka duruar krijesë njerëzore. Ai ndoqi urdhërat e Allahut me durim dhe falenderim, derisa fitoi kënaqësinë e Allahut dhe arriti gradën më të lartë të durimit, ashtu si nuk e ka arritur askush përpara tij.

Durimi, ose këmbëngulja në durim, është e detyrueshme, sipas konsensusit të dijetarëve dhe është gjysma e besimit (iman), gjysma tjetër e të cilit është falenderimi (shukr). Fjala durim përmendet rreth 90 herë në Kur'an. Lidhja e durimit me besimin (iman) është si lidhja e kokës me trupin, dhe ai që nuk ka durim, nuk ka iman. Allahu ka urdhëruar durim për besimtarët në ajetin e mëposhtëm: "O ju që besoni! kërkoni ndihmë me këmbëngulje durimplotë dhe lutje..." (Bekare, 2:153)

Durimi është bërë gjithashtu kusht për hyrjen e njeriut në parajsë dhe shpëtimin e tij prej zjarrit të ferrit; në Ditën e Gjykimit Allahu do të thotë: "E Unë sot i shpërbleva ata për atë që ishin të durueshëm atë janë fitimtarët" (El-Mu'minun 23:111) dhe Allahu urdhëroi durimplotët kur tha: "....por mirësi e vërtetë është... të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata që kanë frikë Zotin" (Bekare 2:177) dhe "Allahu i do durimtarët" (Ali Imran 3:146)

Allahu na ka thënë se Ai është me ata që kanë durim; kjo është një lloj miqësie (ma'ijeh) që do të thotë se Ai i mbron dhe i mbështet ata, gjë që është shumë më lart miqësisë së zakonshme e cila iu aplikohet njësoj besimtarëve dhe jobesimtarëve për të cilët Allahu ka dije dhe i vëzhgon. Allahu na ka thënë:
"...Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit." (Enfel: 8:47)

Profeti (a.s.) na ka thënë se durimi është më i miri dhe i mbushur me mirësi, dhe ka thënë se: "Nuk ka dhunti më të mirë sesa durimi". 'Umer ibn el-Hatabi (r.a.) ka thënë "Ditët më të mira të jetëve tona u bënë të tonat nëpërmjet virtytit të durimit".

Ky libër është shkruar për të theksuar nevojën urgjentë për durim, dhe për të shpjeguar sesi lumturia në këtë jetë dhe shpëtimi ynë në jetën tjetër varen prej durimit. Ky libër është i mbushur me të mira dhe lexuesit do të përfitojnë nga këshillat dhe mësimet e tij. Gjithësa e mirë dhe e saktë në këtë libër është prej ndihmës së Allahut, dhë ç'është e gabuar në të është prej shejtanit. Allahu e faltë autorin dhe botuesin. Allahu është Ndihmuesi më i madh, dhe ne kemi vendosur besimin tonë tek Ai.


Kapitulli 1

Përkufizimi i Durimit

Sabr është një fjalë arabe e cila vjen prej një rrënje që do të thotë: të arrestosh, të përmbahesh, të ndalosh. Ka një shprehje në arabisht "filani vdiq sabran" që do të thotë se ai u kap dhe u burgos derisa vdiq. Në kuptimin shpirtëror, durim do të thotë të ndalosh vetveten nga dëshpërimi dhe nga paniku, të ndalosh gjuhën nga ankimi dhe të ndalosh duart nga të goditurit e fytyrës dhe grisja e rrobave në kohë të zisë dhe stresit.


Çfarë kanë thënë dijetarët për durimin?

Disa dijetarë e kanë përkufizuar durimin si një karakteristikë e mirë njerëzore, ose qëndrim pozitiv psikologjik, për hir të të cilit përmbajmë veten ndaj të bërit të gjërave që janë jo të mira për vetë ne. Qëniet njerëzore nuk mund të jetojnë një jetë me dinjitet dhe të shëndetshme pa durimin.

Ebu 'Uthman ka thënë: "ai që ka durim është ai që e ka stërvitur veten për t'ia dalë mbanë vështirësive". Amr ibn 'Uthman El-Makki tha: "Durim do të thotë të qëndrosh afër Allahut dhe të pranosh me qetësi sprovat që ai dërgon, pa u ankuar e pa ndjerë dëshpërim". El-Khauas ka thënë: "Durim do të thotë t'u qëndrosh rregullave të Kur'anit dhe Sunetit". Një tjetër dijetar ka thënë: "Durim do të thotë të përmbahesh prej të ankuarit". Ali ibn Ebi Talib ka thënë: "Durim do të thotë të kërkosh ndihmën e Allahut".


A është më mirë të kesh durim në kohë vështirësie apo të jesh në një situatë e cila nuk kërkon durim?

Ebu Muhammad al-Hatiri ka thënë: "Durim do të thotë të mos shohësh asnjë ndryshim ndërmjet kohëve të lehtësimit dhe të vështirësisë, dhe të jesh i kënaqur në të gjithë kohët". Unë (Ibn Kajjim) them: "Kjo është shumë e vështirë, dhe ne nuk na është mësuar të jemi kështu. Allahu na ka krijuar në të atillë mënyrë që ne e ndjejmë ndryshimin ndërmjet kohëve të lehtësimit dhe kohëve të vështirësisë, dhe gjithë ç'mund të bëjmë është të përmbahemi të mos bëjmë panik në kohë vështirësie. Durim nuk do të thotë të ndihesh njësoj si në kohë të vështira dhe në kohë lehtësimi. Ajo gjë është e vështirë për ne, dhe nuk është pjesë e natyrës sonë. Të pasurit e një kohe të lehtë është më mirë se të pasurit e një kohe të vështirë. Siç tha edhe Profeti (a.s.) në një du'a [lutje] të tij të mirënjohur: "Nëse Ti nuk je i zemëruar me mua, atëherë për mua nuk ka rëndësi çfarë më ndodh, por prapëseprapë do të doja bekimet dhe favorin Tënd." Kjo nuk bie në kundërshtim me hadithin që thotë: "Askujt nuk i është dhënë dhunti më e madhe sesa durimi", sepse i referohet momentit pasi një sprovë ka rënë mbi një person. Por lehtësimi është prapëseprapë më i mirë.


Durimi dhe Shakua (ankimi)

Shakua (ankimi) ndahet në dy kategori:

Kategoria e parë përfshin të ankuarin Allahut, dhe kjo nuk bie në kundërshtim me durimin. Është treguar për disa nga Profetët, përshembull, kur Jakubi as tha: "Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim, ia parashtroj Allahut, e unë di për Allahun atë që ju nuk e dini". (Jusuf 12:86)

Më herët, Jakubi ishte shprehur "sabrun xhemil", që do të thotë "durimi është më i përshtatshmi për mua". Kur'ani na tregon po ashtu për Ejubin (a.s.): "(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: "Më gjeti belaja, ....." (Enbije 21:83)

Epitomi i durimit, Profeti (a.s.) iu lut Zotit të tij: "O Allah, të ankohem Ty për dobësinë dhe për pafuqinë time". Musa (a.s.) iu lut Allahut, duke thënë: "O Allah, gjithë lavdërimi të përket Ty, dhe ankimi të bëhet vetëm Ty, dhe Ti je i Vetmi prej të Cilit ne kërkojmë ndihmë dhe tek i Cili vendosim besimin tonë, dhe nuk ka fuqi përveç nëpërmjet ndihmës Tënde".

Kategoria e dytë e ankimit përshkruan ankimin që u bëhet njerëzve të tjerë, qoftë drejpërdrejt nëpërmjet fjalëve tona, ose qoftë tërthorazi, nëpërmjet mënyrës sesi dukemi ose sillemi. Kjo kategori bie në kundërshtim me durimin.


Forcat kundërshtuese

Nga pikëpamja psikologjike, çdo individ ka dy forca që veprojnë brenda tij/saj. Njëra është "forca udhëheqëse" që e shtyn njeriun drejt aktiviteteve të ndryshme, dhe tjetra është "forca frenuese" që e përmban atë prej të tjerëve. Durimi në thelb mbreh forcën udhëheqëse me qëllim që të na shtyjë drejt veprimeve të mira dhe forcën frenuese që të na frenojë në veprimet që mund të rezultojnë të dëmshme për veten tonë dhe të tjerët.

Disa njerëz kanë durim të fortë kur vjen puna për të bërë atë që është e mirë për ta, por durimi i tyre është i dobët kur u duhet të frenohen nga kryerja e veprave të dëmshme, kështu që mund të gjejmë një njeri që ka durim të mjaftueshëm për të bërë veprat e adhurimit (Namazin, Agjërimin, Haxhin) por nuk ka durim në kontrollimin e vetes së tij dhe përmbajtjes ndaj vajtjes pas qejfeve dhe epsheve, dhe kësisoj bie në haram. Anasjellas, disa njerëz mund të kenë durim të përmbahen ndaj të ndaluarës, por durimi i tyre për t'iu bindur urdhrave dhe kryer veprat e ibadetit është shumë i dobët. Ndërsa disa njerëz nuk kanë durim as në të parën, as në të dytën! Dhe është e panevojshme ta themi, se njerëzit më të mirë janë ata të cilët i zotërojnë të dyja tipet e durimit.

Kësisoj, një njeri mund të ketë gjithë atë durim kur vjen puna për të ndenjur gjithë natën duke u falur, dhe të durojë gjithfarë lloj kushtesh nxehtësie apo të ftohti, por të mos ketë fare durim kur vjen puna të ulë shikimin dhe të përmbahet nga të shikuarit e grave të huaja. Një tjetër mund të mos ketë problem të kontrollojë se ku i hedh sytë, por i mungon durimi që do ta bënte t'i gëzohej të mirës dhe të ndalonte të keqen, kështu që është i dobët dhe i pafuqishëm për t'u përpjekur kundër kufrit dhe hipokrizisë (mushkrikun). Pjesa më e madhe e njerëzve kanë mungesa në durim në njërin prej këtyre tipeve, dhe disa kanë mungesa në të dyja llojet.


Përkufizim i mëtejshëm për durimin

Një dijetar ka thënë: "Të kesh durim do të thotë që arsyeja dhe motivet fetare të individit të jenë më të forta sesa dëshirat dhe epshi i tij".

Është e natyrshme që njerëzit të përkulen kah dëshirat e tyre, por arsyeja dhe motivet fetare duhet ta kufizojnë këtë përkulje. Të dy forcat janë në luftë me njëra - tjetrën: disa herë logjika dhe feja fitojnë, dhe disa herë fitojnë dëshirat dhe epshet. Zemra e njeriut është fusha e betejës.


Durimi ka edhe emra të tjerë, në varësi të situatës.

Në rast se durimi konsiston në të frenuarin ndaj dëshirave seksuale, quhet nder, e kundërta e të cilit është tradhëtia bashkëshortore dhe shthurrja morale. Në rast se konsiston në të frenuarin e stomakut, quhet vetkontroll, e kundërta e të cilit grykësia. Në rast se konsiston në të qëndruarin në heshtje dhe të mospublikimit të asaj që nuk duhet të bëhet publike quhet maturi, e kundërta e të cilës është gënjeshtra, shpifja, të bërët publike të sekreteve, sharja. Në rast se konsiston në të qënurit i kënaqur me atë që është e mjaftueshme për nevojat e njeriut quhet përkorje, e kundërta e të cilit është tahmaqarllëku. Në rast se konsiston në të kontrolluarin e zemërimit quhet vetëpërmbajtje, e kundërta e të cilës është impulsiviteti dhe reagimi i nxituar. Në rast se konsiston në frenimin në të nxituar, atëherë quhet hir dhe vendosmëri, e kundërta e të cilit është marrja e vendimeve me kokë të nxehtë. Në rast se konsiston në mosvrapimin prej një situate, atëherë quhet kurajo, e kundërta e të cilës është burracakëria. Në rast se konsiston në frenimin e marrjes hak ndaj diçkaje, atëherë quhet falje, e kundërta e të cilës është hakmarrja. Në rast se konsiston në frenimin e të qënit dorështrënguar, atëherë quhet bujari, e kundërta e të cilës është koprracia. Në rast se konsiston në të frenuarin ndaj të qënurit dembel dhe i pazoti, atëherë quhet dinamizëm dhe iniciativë. Në rast se konsiston në të frenuarin në fajësimin dhe akuzimin e njerëzve të tjerë, atëherë quhet fisnikëri, zotnillëk (muru'ah fjalë për fjalë do të thotë "burrëri".)

Emra të ndryshëm mund t'i vihen durimit në situata të ndryshme, por të gjitha përfshihen në idenë e durimit. Kjo tregon se Islami në gjithësinë e tij është i bazuar mbi durimin.


A është e mundur të fitohet cilësia e durimit?

Nëse një person nuk e zotëron nga karakteri i tij durimin, ai mund ta arrijë atë duke vepruar sikur ai ta zotëronte atë, derisa ajo të bëhet natyra e tij e dytë. Kjo është ajo që Profeti (a.s.) na ka thënë në një hadith: "Kushdo që përpiqet të jetë i duruar, atëherë Allahu ka për ta ndihmuar atë të jetë i duruar." Një person mund të përpiqet të kontrollojë epshin e tij dhe të ulë shikimin derisa edhe këto të bëhen natyrë e dytë për të. E njëjta i aplikohet të gjitha karakteristikave të tjera, si vendosmëria, bujaria dhe kurajoja.

Kategori: Artikuj | Shtuar nga: Argjendi (19/08/2009)
Klikime: 897 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024