Statistikat |
Gjithsejt online: 1 Vizitorë: 1 Anëtarë: 0 |
|
Tek Ai është kthimi
Tek Ai është kthimi
Duam apo nuk duam, pranojmë apo nuk pranojmë, në çdo çast ne jemi nën mbikqyrjen Hyjnore.
Gjërat kanë filimin, ngritjen, kulmin dhe rënien që i pason. Qytetërime ngrihen e rrëzohen. Ideologji ndërtohen e rrënohen. Kulla ngrihen e shemben. Gjethet zverdhen, lulet vyshken e bari thahet. Gjërat paskan një fund. Por jo të gjitha.
E mira, vepra e mirë është ajo që mbetet e përjetshme. Ajo i jep frytet e saj në çdo kohë dhe pse njerëzve mund t'u kenë vdekur qelizat e shijes.
E mira dhe e bukura burojnë prej Allahut, të Përhershmit, të Përjetshmit, të Parit pa fillim dhe të Fundit pa mbarim. Ne jemi krijesat e Tij, të dobëta, të vogla , gjithmonë në nevojë e përherë të varfër për mëshirën e Tij.
Duam apo nuk duam, pranojmë apo nuk pranojmë, në çdo çast ne jemi nën mbikqyrjen Hyjnore. Ajo që na kërkohet është të kuptojmë pozicionin tonë. Njeriut nuk i kërkohet të bëjë mrekullira, pasi ligjet e natyrës i thyen vetëm Ai që i ka vënë. Prej tij kërkohet të ndërgjegjësuarit dhe të pranuarit natyrshëm të këtij vëzhgimi nga lart. Kërkohet mposhtje e egos dhe nënshtrim i vullnetit për të pranuar të Vërtetën Absolute.
Nëse do të shohim pak se si funksionojmë, do të pranojmë fare lehtë që jemi të nënshtruar, nënshtrim që na unifikon të gjithëve. Këtu, pa hyrë në detaje e hollësira, mjafton të përmendim vetëm dy të vërteta:
Të gjithë vijmë në këtë botë në të njëjtën mënyrë dhe të gjithë dalim prej saj në të njëjtën mënyrë. Thënë ndryshe, të gjithë lindim nga nëna dhe të gjithëve varri na pret. Sado të na kenë mbajtur dhe sado të na kenë dashur, të gjithë janë të motivuar të na përcjellin për në banesën e fundit. Madje dhe nëna, që nuk lejon as grimcan më të vogël të pluhurit të prekë robat e fëmijës së saj kur ai është gjallë, nuk mund të ndalojë dheun mbi trupin e tij, nëse i është sprovuar zemra me diçka të tillë. Duam s'duam, atje do të kthehemi të gjithë.
Atëherë përse të mos pranojmë kthimin e natyrshëm në këtë botë?
Ç'ndodh me ne kur nuk i nënshtrohemi Atij që na krijoi në formën më të bukur? Rryma mer drejtim të kundërt. Uji i saj nuk do të jetë më i ëmbël por i hidhur.
Në njërën anë kemi nënshtrim të detyruar dhe në anën tjetër refuzim me zgjedhje. Në të njëjtën pikë, në njeriun, ushtrohen forca me drejtim të kundërt. Puna është, nga do të marrë kjo pikë. Cila forcë tërheq më shumë.
Dukeqenë se njeriu do të merret në llogari për zgjedhjen e tij të lirë dhe të ecurit mbi atë zgjedhje, e jo për gjërat për të cilat nuk i takon ndonjë meritë, shigjeta do të shënojë minus, nëse refuzon. Përsa i përket shigjetës që shënon plus, nënshtirmi i detyruar pra, nuk do t'i japë ndonjë përparësi llogarisë së tij.
Ç'do të themi nesër nëse shigjetat shënojnë minus?
Lusim Zotin e Madhëruar të mos jemi prej tyre.
E ç'na mungon ne të mos jemi prej pozitivëve? Të arsysetuarit, zemra, shpirti…të gjitha janë brenda nesh. Ajo që do bërë është përpjekja për të ndryshuar thelbin. Allahu thotë në Kuran: "Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre." (Rad 11)
Dhe kur ndodh ky ndryshim, kur të gjitha këto kanalizohen në rrjedhën e duhur, kemi parlelizëm të dy shigjetave që dihmojnë njëra-tjetrën.
Rrjedha do të jetë e vazhdueshme dhe e pastër. Nuk do të ketë më ujë të ndenjur e as ujë të hidhur. Vetëm atëherë do të përmbushim qëllimin për të cilin jemi dërguar, adhurues të Zotit, zëvendës të Tij në tokë.
Për këtë i shpallet luftë unit. Për këtë kundërshtohet fuqishëm çdo e ligë. Për këtë hapen zemrat. Për këtë derdhen lotët. Për këtë vërshon lumi i sinqeritetit. Për këtë shtrihet dora e mëshirës. Për këtë duhet e për këtë urrehet. Për këtë falet e për këtë dënohet. Për këtë jetohet e për këtë vdiset.
"Thuaj: 'Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.'" (En'amë 162)
Kur me vullneitn e lirë ta kemi pranuar këtë të vërtetë dhe të kemi jetuar me të, atëherë do të kemi njohur veten dhe përmbushur misionin tonë në tokë.
Kur flasim për nënshtrim të plotë, flasim për besimtar të plotë. Pranimi i dëshmisë "La ilahe il-lallah" nuk refuzon vetëm zotat prej balte, druri e kauçuku, por çdo lloj zoti që ngushton, pushton e robëron zemrën.
Besimtari i përkushtuar është dëshmi e gjallë mbi tokë, punon duke kërkuar begatitë e Zotit në të dhe kënaqet me caktimin e Zotit të tij.
Ai bën më të mirën që do bërë Dhe përfundimin Zotit ia lë në dorë.
Pasuria e tij nuk fle gjumë brenda mureve të kullës e as paratë në xhepa. Ndërsa zilisë, lakmisë dhe etjes për pushtet e mbizotërim, ai nuk u ka dhënë thjesht ilaç gjumi, por bar vdekjeprurës. Gjatë gjithë jetës ato janë në agoni.
Prej pasurisë së tij ai u jep pjesën e caktuar atyre që kanë të drejtë mbi të. Nëse Zoti i merr diçka nga ajo hise me të cilën e ka begatuar apo dhe të tërën, për të provuar qëndrueshmërinë e besimit të tij, ai nuk e ngushton zemrën e as nuk e ngrys fytyrën, por më ëmbëlsinë dhe qetësinë e zemrës thotë: "Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi."
"Të cilët kur i godet një e pakëndshme thonë: 'Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai do të kthehemi.' Të tillët janë që tek Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë." (Bekare 156-157)
Këtu tregohet durimi. Këtu maten vlerat. Këtu del na pah thelbi. Këtu tregohet se sa jeton njeriu për Zotin e tij. Këtu shihet se kush jemi në të vërtetë.
"E njeriu kur e sprovon Zoti i tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: 'Zoti im më ka nderuar!' Por, kur për ta sprovuar ia pakëson furnizimin (e varfëron) thotë: "Zoti im më ka nënçmuar!'" (Fexhr 15-16)
Ky nuk është qëndrim prej besimtari. Përpjekja e robit të devotshëm është luftimi i çdo lloj hipokrizie. Ai nuk gënjen, nuk premton për të mos e mbajtur premtimin e as që mashtron. Është tepër vigjilent, me antena përherë përpjetë, që të mos preket nga këto njolla hipokrizie. Është gjithmonë në pastrim e sipër. Ai është akoma më tepër vigjilent që të mos thyejë premtimin e madh që ka dhënë një ditë para Zotit të tij. Ai nuk harron se kthimi është atje. Vetëm se këtë herë ai nuk do të paraqitet për të dëshmuar, por për të peshuar atë që dëshmoi në këtë botë. Ai nuk e shet besën për një vlerë të paktë. Ai nuk e shet besën për asgjë. Pasurinë dhe shpirtin ia ka shitur Allahut. Dhe është mëse i bindur se për këtë e pret një e ardhme shumë më e mirë.
"Pasuria dhe fëmijët janë stoli të jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është e përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë." (Kehf 46)
Mirëpo kur njeriu përmend gjithë këto cilësi të besimtarit, e gjen veten tepër të vogël, tepër të varfër dhe shumë larg asaj që dëshiron të jetë.
"Ku jam unë që ngushtoj zemrën dhe për gjënë më të vogël? Ku jam unë që trembem e tromaksem kur dëgjoj se dikush, që ndoshta nuk e njoh fare, ka ndërruar jetë? Ku jam unë që ndoshta po e vlerësoj jetën sikur do të mbetem përherë këtu? Ku dhe si janë fjalët e mia: "Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi"? A mos vallë i kam pronësuar begatitë e Zotit? A mos mendoj se për atë që posedoj merita më takon mua? I them këto nisur nga vogëlsia e vetes.
Pasi e kam qarë humbjen me zemër, shikim dhe fjalë, jam kujtuar të them: "Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi."
I madh është ai që shënon me goditjen e parë sepse më pas, do a s'do do të pranosh humbjen.
O Zoti ynë, ne jemi të pafuqishëm, të vegjël për të mundur veten dhe të dështuar pa ndihmën Tënde.
Shpeshherë ndihemi si fëmijë para gjërave që na tundojnë. Ndihemi fare të paaftë t'u themi jo gjërave për të cilat jemi krejtësisht të vetëdijshëm se janë në dëm të trupave, zemrave dhe shpitrave tanë. Ndoshta më shumë rrëzohemni sesa ecim.
Ky jam unë. Këto janë mëkatet e mia për të cilat shumë herë Ty të jam kthyer, për të cilat shumë herë jam penduar dhe shumë herë i kam vepruar. Ky jam unë. Një rob i mbushur me mëkakte. E di që shumë kam gabuar, por nuk dua që kjo të më çojë në gabimin fatal, të humb shpresën tek Ti. Nuk dua të lodhem së penduari sepse jam mëse e bindur se Ti je i Vetmi të Cilit mund t'i kthehem për gjithëçka. Nëse nuk do të të kthehem Ty, kujt do t'i drejtohem atëherë?
Thellë brenda meje ndjej se rrënkimi i zemrës, kur me pendim të kthehet Ty, është kthimi më fisnik. Është kjo zemër, krenaria brenda kafazit të trupit.
Është zemra që pranon të kthehet kah i Gjithëmëshirshmi që Ai nesër ta presë me mëshirë. /vizion-islam
|
Kategori: Artikuj | Shtuar nga: Argjendi (17/08/2009)
|
Klikime: 873
| Ranguar: 0.0/0 |
|
|