Transmetohet se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: "Kur Abdullah ibën Selami dëgjoi për ardhjen e Pejgamberit, alejhi selam, në Medine, erdhi tek ai dhe i tha: "Do të të pyes rreth tri gjërave të cilat nuk i di kush, pos një i Dërguar i Zotit:
Cila është shenja e parë e Kijametit?
Cili do të jetë ushqimi i parë i xhennetlinjve?
Pse ndodh që fëmija t'i përngjajë babait, dhe pse ndodh që t'i përngjajë dajës?"
Ndërkaq, Pejgamberi, alejhi selam, pati thënë: "Xhibrili sapo m'i tregoi përgjigjet e këtyre pyetjeve." Abdullahu ia ktheu: "Ai (do të thotë, Xhibrili), prej të gjithë engjëjve të tjerë, është armiku më i madh i çifutëve!" Më pas, Pejgamberi, alejhi selam, i tha: "Shenja e parë e Kijametit do të jetë një zjarr i cili do t'i pajtojë njerëzit e lindjes dhe të perëndimit. Më tej, ushqimi i parë i xhennetlinjve do të jetë një vrigull i veçantë (vrigull i pasmë) nga mëlçia e peshkut. Edhe më tej, sa i përket ngjasimit, nëse një njeri bën marrëdhënie seksuale me gruan e vet dhe nëse ai ejakulon (ndjen orgazëm) i pari, fëmija do t'i ngjajë babait; e nëse gruaja ejakulon e para, fëmija do t'i ngjajë asaj!" (Sahihu i Buhariut, vëll 4, libri 55, nr. 546: Profetët (vëll 4: nr. 543-658))
Me të dëgjuar këtë, Abdullah ibën Selami tha: "Dëshmoj se ti je i dërguari i Allahut!" Pak më pas, ai e tha edhe këtë: "O i dërguari i Allahut, çifutët janë rrenacakë; e nëse ata kuptojnë për konvertimin tim në Islam, para se ti t'i pyesësh rreth meje, me siguri se do të kishin thurur gënjeshtra për mua!"
Çifutët patën ardhur te shtëpia e Pejgamberit, alejhi selam, kurse Abdullahu u pat fshehur brenda. Pejgamberi i Allahut i pyeti çifutët: "Çfarë njeriu është Abdullah ibën Selami në mesin tuaj?", ndërsa ata iu përgjigjën: "Ai është më i dituri prej nesh, më i miri prej nesh dhe i biri i më të mirit prej nesh!" Pejgamberi, alejhi selam, u tha: "Çfarë do të thoshit nëse ai do ta pranonte Islamin?", kurse ata ia kthyen: "Allahu e ruajtë prej asaj!" Ndërkaq, Abdullah ibën Selami pastaj u shfaq para tyre duke thënë: "Dëshmoj se askush nuk meriton të adhurohet, pos Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Tij!" Me të dëgjuar këtë, ata thanë: "Ai është më zemërligu prej nesh dhe i biri i më zemërligut prej nesh", për të vazhduar edhe më tej të flasin keq për të.
Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI