E enjte, 25/04/2024, 05:35
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

Muslimanja, gjysma e mohuar e shoqërisë!
Muslimanja, gjysma e mohuar e shoqërisë!
 
Gruaja muslimane është e paaftë të flas, e paaftë të mendojë, e paaftë të udhëheqë, e paaftë të komunikojë!
 



Shkruan: Avni TAFILI


"Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato." – Kur'an, 2:187



Kurrë pra! Përderisa gratë muslimane - gjysma e shoqërisë, të mohohen, e të mos e thonë fjalën e tyre, të mos shprehin idetë e tyre e të mos kenë vendin që e meritojnë në shoqëri!

Gruaja muslimane është e paaftë të flas, e paaftë të mendojë, e paaftë të udhëheqë, e paaftë të komunikojë! Jo, s'është e paaftë, por shoqëria burrërore e ka shndërruar në grua, që duhet vetëm të gatuajë e të heshtë! Po, muslimanja nuk ka të drejtë të shkojë në Xhami, se Xhamia është vetëm për burrat! Nuk ka të drejtë të shkojë në mbledhim e në kuvendime, sepse gratë nuk dinë të flasin e as të mendojnë. Gruaja është krijuar për të dëgjuar burrin, dhe të jetë në shërbim vetëm ndaj burrit të vet, e aspak nuk ka të drejtë të jetë e integruar në shoqëri, e të thotë mendimin e vet, e ta plotësojë atë me virtytin femëror!


Fëmijët s'po na dëgjojnë! Të rinjtë tanë kanë devijuar, - thonë burrat muslimanë, e prindërit e devotshëm. Po, e si t'ju dëgjojnë, kur edukatorja e njeriut, Nëna, e si të mos devijojnë, kur mbikëqyrësja, Nëna, nuk di gjë se ç'ndodh në rrugë, e çfarë kulture e çfarë gjendje po përjetojnë fëmijët e saj! Jo, ajo është e prangosur! O burrë e prind musliman, atë e ke bërë të paaftë t'i kuptojë sfidat, me të cilat ballafaqohen fëmijët tuaj, e si ajo të jetë edukatore, e si ajo të jetë nënë e suksesshme, kur fëmijët e saj bredhin tërë kohën jashtë shtëpisë, e ajo të ketë dijeni se ku, çfarë e pse!

Çfarë padrejtësie që i bëjnë nënës, gruas, muslimanes! Ajo lihet e gjorë e mjerë brenda mureve, përderisa burrat të preokupuar me dunjallëkun dhe hallet e saj, fëmijët lihen nën mëshirën e të pamëshirshmit, rrugës! Burri e prindi musliman është i zënë! Hallet e dunjasë e kanë pushtuar. Nuk është në gjendje të mendojë e as të edukojë. Atëherë, pse gruas sate ia mohon virtytin, ia mohon pjesën e saj, që mund të jepte ndaj fëmijëve të saj, ndaj shoqërisë, që ty të ka rrëzuar përtokë!

E sa janë të vetëdijshëm burrat muslimanë për këtë boshllëk, për këtë gjymtim të shoqërisë muslimane! Sa janë të ndërgjegjshëm ndaj përgjegjësisë që duhet të kenë gratë muslimane në shoqëri! Deri kur prindërit muslimanë vajzat e tyre i prangosin e nuk ua japin të drejtën e shkollimit dhe të integrimit në shoqëri! Jo, gratë të barabartë me burrat duhet të jenë! Kush të dha të drejtën ty, burrë musliman, ndaj gruas sate të mbash qëndrim burri agresor! Kush të dha të drejtën ty, t'ia mohosh aftësitë udhëheqëse gruas sate, e ta konsiderosh të paaftë! E të mangët! Jo, kurrsesi jo! Gruaja është e plotë siç mund të jesh ti. Po edhe ti sikur të mbylleshe, e të mos komunikoje, madje do të bëheshe më i paaftë se gruaja!

Jo, dije pra o ti burrë, që vetes burrë musliman i thua, se njëmend burrë do të ishe kur me gruan tënde do të plotësoheshe! Jo po ti gruan tënde e dëgjon atëherë kur ti ke nevojë, e kurrë s'dëgjon e as s'të bëhet vonë, kur gruaja jote shpreh ambiciet dhe nevojat e veta. Dije pra, se ti burrë i virtytshëm e as i dobishëm s'do të bëhesh, përderisa ndaj gruas sate je i pavirtytshëm dhe i parespektueshëm! E nuk është virtyt i mirë e as respekt vetëm të përkëdhelet, por edhe t'ia respektosh idetë dhe pjesën që mund ta jepte në familje e në shoqëri. E pra, dije se, përderisa ti ia cenon të drejtën e të qenët të saj aktive në shoqëri, kurrë shoqëria muslimane nuk do të shohë ditë të bardha!

Kurrë pra! Përderisa gratë muslimane, gjysma e shoqërisë, të mohohen, e të mos e thonë fjalën e tyre, të mos shprehin idetë e tyre e të mos kenë vendin që e meritojnë në shoqëri! Çka të bëri ty të mendosh se gruaja është e paaftë dhe e dobët! Ajo është burim i jetës, prej saj lindën burrat! Jo po ty të ka kapur burrëria përpara, e ke harruar se ty një grua të lindi, e ti "burrërisht" po e mohon! Jo, ato lihen të shprehen, por vetëm kur ti burrë ndihesh i dobësuar e i plogështuar. Edhe flasin e komunikojnë, por të shtyra nga prangosja, e detyrohen të bartin fjalë e të llafosin gjëra të kota me gratë e mëhallës. Çdo njeri i mençur mund ta marr me mend arsyen e kësaj dukurie!

Gratë s'janë krijuar për me ta ushqyer ty barkun! E as për t'u vënë në shërbim të trupit tënd! Jo, kurrsesi jo! Ajo është krijuar edhe mendjet dhe zemrat e njerëzve për t'i prehur në paqe e qetësi. Trupi s'prehet, por shpirti! Ato janë krijuar për të edukuar. Për të edukuar breza! E si pra ajo edukatore e denjë të jetë, kur ti asaj të pamirit e të dëgjuarit e të menduarit ia kufizon brenda mureve të shtëpisë!

Ti, duke menduar se namin po bën, kthehesh i nevrikosur e i irrituar se jeta është bërë tejet e vështirë! Po, do të vështirësohet edhe më tepër, përderisa shoqëria me njerëz sikur ty, mendojnë se gratë janë tepër për t'u integruar në shoqëri. Ty shoqëria e tillë po të irriton, e ka për të të irrituar, përderisa është e gjymtë! E gjymtë, se butësia e prehja e duarve të grave janë të mohuara në shoqëri!

Fëmijët e të rinjtë tanë po edukohen prej organizatash e shoqatash! Po, edukohen, madje edhe fenë e tyre harrojnë, sepse organizatat e shoqatat kanë gra në lëvizje. Por jo gra nëna, por gra të punësuara, shërbyese ndaj atyre që sytë i kanë çelur para burrave ndaj fëmijëve të tyre. Jo, burrat muslimanë janë ende mendjembyllur, e nuk shohin se ç'po ndodh!

Vajzave e motrave tona po i mohohet e drejta e besimit! Po përjashtohen nga shoqëria e nga shkolla, vetëm pse zbatojnë urdhrin e Allahut, Krijuesit të çdo gjëje! E ne jemi të paaftë për t'i mbrojtur! Ne burrat! Po çka nëse vajzat e motrat muslimane janë një grusht! Janë një trup! Të bashkuara! Kudo të lidhura mes vete! Pasha Atë, të Gjithëpushtetshmin, Allahun e Madhërishëm, edhe me bisht syri sikur të provonin t'i shikonin do të mateshin shumë! E lëre më të prekeshin a të cenoheshin! Jo, po gratë janë të ndara, të panjohura mes vete, të palidhura, nuk kanë sesi të komunikojnë, janë të burgosura! E ti pra, burrë e prind musliman, je shkaktar i kësaj gjendje! Pretendo tërë kohën devotshmëri, e pretendo tërë kohën ambicie për zgjim e përmirësim të gjendjes, e pretendo tërë kohën për bashkim të Ummetit, përderisa ti gruas tënde ia mohon pjesën e saj në Ummet!!!

Po, gruaja jote ka dëshirë të respektojë urdhrin e Allahut, kodin e veshjes! Por, ajo pse të vishet si muslimane, kur ajo s'ka shoqe tjera, motra muslimane, me të cilat do të shoqërohej e do të komunikonte. E ku të shkojë vallë me veshje Islame!

Muslimanja, po themel i shoqërisë! Gruaja Muslimane po gjysma e shoqërisë! Kur gruaja muslimane është e pranishme në Xhami, në tubime islame, në kuvendime islame! Kur gruaja komunikon me gra tjera muslimane! Kur gruaja është e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme për përgjegjësinë e saj në shoqëri, të betohem në Zotin që e krijoi, se shoqëria do të jetë shumë më ndryshe!

Kurrsesi! Nuk ka ndryshim e përmirësim të gjendjes së shoqërisë muslimane! Jo nuk ka për të pasur zgjim! Kurrë përderisa gratë i mbyllni nëpër shtëpi, i paaftësoni! Jo përderisa ti nuk e hap derën e komunikimit dinjitoz me gruan tënde! E jo përderisa gruaja jote nuk është e ndërgjegjshme për çka po komunikohet!

E pra, dije dhe bindu! Gruaja nuk është objekt! Por është njeri! Bij e Ademit! Krijesë që Allahu e krijoi, sikur që ty të krijoi. E ti s'je zotërues i saj, por pjesë e saj. Ti je thirrur të ndash pjesën tënde, e ajo të ndajë pjesën e saj, e të plotësoni njëri-tjetrin. E përderisa gratë nuk plotësojnë burrat në shoqëri, ajo shoqëri kurrë s'do të prehet, e as s'do të jetë ndryshe. Kurrë!, nuk do të ketë Ummet pa gra në Ummet!

O Ummet! O shoqëri, shoqëri gjysmake pa gra! Ku e kah po shkoni! Në rrugë vajzat e reja vërtiten, e vetë zgjedhjen në jetë bëjnë! E çfarë zgjedhje bëjnë vallë! Varrosin veten e tyre të gjalla! Janë të pafajshme! Janë lënë jetime, janë braktisur! Nënat e tyre janë duke gatuar, nënat e tyre janë duke pastruar e duke fshirë, ndërsa bijat e tyre duke bërë zgjedhjen në jetë! Prapë, janë duke bërë zgjedhjen në jetë!!!

Kur, xhamitë tona do të jenë strehë edhe për gratë, për motrat, e për nënat tona! Kur, burri me gruan e tij bashkërisht do të nisen për në Xhami! Kur gratë do të dëgjojnë Kumtimin e Ditës së Xhumasë! Kur Xhamitë tona, nuk do të jenë vetëm për burra! Kur do të marrim mësim prej gjeneratave të para të Ummetit, kur gruaja ishte edukuese e njeriut, kujdestare, udhëheqëse në dije po e gatshme edhe për luftë!

Dijeni pra edhe njëherë o burra muslimanë! Ky dobësim, kjo ngecje, ky poshtërim, kjo prapambetje do të na shoqërojë derisa ne gratë tona i dobësojmë, i poshtërojmë e i lëmë mbrapa!

O Allah! Zot i burrit dhe gruas, Krijues prej çdo lloji çiftin, na mëshiro që të mëshirshëm ndaj grave të bëhemi; na udhëzo që udhëzimin Tënd grave tona të mos ua pengojmë; na përmirëso që ne bashkë me gratë e Ummetit të përmirësojmë gjendjen e Ummetit tonë! Amin!


Ve ma et-teufik ila bilah

Kategori: Artikuj | Shtuar nga: Argjendi (17/08/2009)
Klikime: 864 | Komentet: 2 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 2
2 entela  
0
hallall nje shkrim i papare tamam i vlefshem per burrat po sa do influencoje kjo sepse burrat shqiptare kane krenarine e vet dhe ashtu i lene grate te paperfillura sepse duhet vetem burri me vendos ne shtepi ishalla vlen ndopak

1 Lume  
0
Hallall te qofte,Zoti te shperblefte per kete shkrim.Ky eshte shkrimi i pare fetar ne shqip qe ben thirje per emancipim te mashkullit!!

Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024