E enjte, 25/04/2024, 07:36
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

Mungesa e ndjenjës së turpit shkatërron shoqërinë
 
 
Gjendja e mjerueshme në aspektin e moralit që ekziston sot në vendin tonë si dhe dëshira e zjarrtë që më vlon thellë në zemër dhe shpirt që popullin tim mos ta shohë në një gjendje të tillë më shtyri që të hulumtoj se çfarë mund të ndikoj në përmirësimin e kësaj gjendje. Dhe vërtet nuk gjeta ilaç më të preferuar se sa turpi i cili është bazë e të gjitha sjelljeve fisnike dhe motiv më i fuqishëm për punë të mira dhe largimin prej punëve të këqija .

Afërsisht para një dekade kjo ndjenjë në shoqërinë tonë ishte në një gjendje shumë më të mirë, tek të gjithë ne ishte më e shfaqur dhe vërtet u vërente dhe shkëlqente në çdo kënd të jetës, mirëpo sidomos pas lufte kjo ndjenje fatkeqësisht është duke u shuar shumë shpejt.

Derisa shkaqet për humbjen e turpit tek ne deri në këtë shkallë janë ndoshta të ndryshme por ajo çka mundë të përmendet si më kryesorja e krejt kësaj është vetëdija jonë që ende është larg për t'i dalluar dhe akseptuar gjërat, për të cilat vërtet ia vlenë të kapemi dhe të lidhemi fortë, ngase na shërbejnë për të mirën tonë dhe të gjithë shoqërisë kudo që jemi. Njëherit shkaktar tjetër i zhdukjes së kësaj ndjenje është edhe imitimi i verbër i traditave të huaja, tradita të cilat i kemi pranuar në familjet tona pa menduar dhe logjikuar mirë se po nga këto tradita kemi dëme apo dobi, kemi ndonjë përfitim apo degradim e degjenerim!

Një vetëdije e tillë sot rezulton tek ne me mos praninë e ndjenjës së turpit ngase kudo që hedhë shikimin, si në familje të ndryshme, nëpër rrugë, në shkolla, në media të shkruara dhe elektronike, në universitete e spitale si dhe në të gjitha institucionet tona si në ato lokale apo qëndrore vëren se gjurmët e turpit kanë humburë fare.

Në mungesë të turpit nëpër familjet tona sot nuk nderohet i moshuari, nuk rrespektohen prindërit, nuk edukohen fëmijët, nuk mirëpritën mysafirët.

Nëpër rrugët tona shohim e degjojmë gjëra të shëmtuara e shumë pak hasim në gjëra të preferuara.

Institucionet e qeverise tone janë stërmbushurë me keqpërdorime dhe keqmenagjime saqë këto punë tashmë po bëhen e po dihen edhe haptas.

Në mediat tona i ipet përparësi çdo gjëje që është amorale, çdo gjëje që ndikon në shthurjen e moralit të shoqërisë sonë, bile edhe gënjeshtra e mashtrime të ndryshme e gjëra të kota ndodhin në po këto media , përpos ajo që lidhet me turpin dhe të vërtetën e islamit nuk figuron po thujase fare, ngase të gjithë këta faktorë po dëshirojnë një kosovë të zhveshur fare nga ndjenja e turpit dhe moralit, dëshirojnë që të humbet identiteti jonë shpirtëror, dëshirojnë të na e humbin besimin ndaj vetvetes, dëshirojnë të shkrihet personaliteti dhe rrënja jonë në kurthët e huaja.

Nëse një nxënëse në ndonjë shkollë vendos mbulesën islame në kokën e saj për të qenë më e nderuar dhe e rrespektuar te Zoti i Madhërishëm, ngriten në këmbë si mediat si institucione të ndryshme për ta penguar një veprim të tillë, derisa duhet të intervenohet nga avokati i popullit apo edhe te kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës që ta gjejnë zgjidhjen e një problemi të tillë, ndërsa për lakuriqësinë e motrave dhe vajzave tona, për pirjen e alkoolit, për amoralitetin e tyre nuk reagojnë fare, e as nuk marrin ndonjë hap për parandalimin e këtyre dukurive negative, bile shkojnë deri atje sa që drejtuesit e ministrisë apo shkollave përkatëse edhe organizojnë ekskurzione e ndeja të posaçme të cilat shërbejnë për përhapjen e dukurive të tilla dhe të gjitha këto i bëjnë me qëllim të vetëdijshëm.

Të gjithë këta faktorë që i përmendem deri më tani janë shërbëtor për degjenerimin e shoqërisë tonë, që shoqëria jonë ta ndjek modën e popujve jobesimtarë, në shpenzime dhe shfrenime, ndjekin gjurmët e huaja shkatërruese. Po këta faktorë po na e shkelin besimin, nderin dhe rrespektin e më se 90% besimtarëve myslimanë që jemi në vendin tonë. Andaj turpi bie edhe mbi ne besimtarët sepse i kemi mbyllë syt para këtij realiteti të egër dhe negativ që është duke u krijuar para nesh dhe sigurisht do të jetë edhe turp për neve në Ditën kur do të dalim para Llogarisë së Shenjtë të Zotit të Plotëfuqishëm, ngase nuk jemi serioz dhe nuk po punojmë në këtë drejtim sa duhet. Për fat të keq tek ne e keqja është bërë e mirë, kurse e mira është bërë e keqe. E gjith kjo është rezultat i humbjes së turpit pa të cilin populli shkon në degradim dhe destrukcion të padyshimtë.

Shkrimtari francez Andrej Moro në librin e tij ''Shkaqet e shkatërrimit të Francës'' thotë: ''Nga shkaqet më kryesore për shkatërrimin e Francës në Luftën e Dytë Botërore ka qenë prishja e rinisë, kjo prishje ka qenë rezultat i përhapjes së amoralitetit në mesin e saj''.

Zoti nuk toleron që në një vend ku ka hoxhollarë e besimtarë të devotshëm të shkatrrohet ajo shoqëri nga degjenerimi, përndryshe degjenerimi i kësaj shoqërie do të jetë përgjegjësi e hoxhollarëve dhe besimtarëve të devotshëm kur do të dalin para Madhërisë së Zotit Fuqiplotë.

Mosekzistenca e ndjenjës së turpit shërben për degradimin e personalitetit, prishjen e moralit, humbjen e burrërisë, e nderit, mos rrespektimin e ligjit, përhapjen e sëmundjeve, humbjen e pastërtisë morale, shfrenimin e epsheve. Vini re se edhe psikologët na tregojnë se me çfarë pasojash mund të përballemi kur na mungon kjo ndjenjë dhe si rezultat i mungesës së saj shoqëria kalon në një jetë të shfrenuar, kështu që Aleks Carlcyle në librin e tij ''Njeriu krijesë enigmë'' thotë: ''Kur njeriu është nën ndikim tepër të epshit, kjo ndikon në gjakun e tij, përmes gjakut arrinë në tru dhe njeriun e bën të dehur, ai nuk është në gjendje të kontrollojë vetveten e as të mendoj kthjellët.''

George Balushi në librin e tij "Revulicioni seksual" thotë: "Kennedy në vitin 1962 ka deklaruar se ardhmëria e Amerikës është në rrezik, rinia është e shfrenuar, e fundosur në epshe dhe pasione, nuk është në gjendje të peshon në përgjegjësinë që e ka, nga çdo shtatë të rinjë që paraqiten në ushtri gjashtë prej tyre janë të paaftë për këtë obligim, sepse epshet me të cilat u përmbytën ua kanë shkatërruar aftësitë psiko-fizike".

Sigurisht që të gjitha këto argumente dhe shumë të tjera të cilat nuk i përmenda deri më tani më kanë shtyrë të mendoj se çfarë i duhet shoqërisë tonë që mos të vie deri në këtë gjendje apo edhe në ndonjë gjendje edhe më të rëndë se kjo, andaj edhe zgjodha temën të flas për turpin ngase është një ndjenjë e cila pa dyshim ndikon në përmirësimin apo evitimin e dukurive negative të cilat janë prezente kudo. E tash i vie radha që kjo ndjenjë e turpit të vërtetohet me argumentet islame.

Feja islame i jep rëndësi të veçant ndjenjës së turpit dhe i porosit besimtarët e saj që të jenë të turpshëm, dhe këtë veti të lartë e bëri vlerë më të shquar me të cilën dallohet islami. I dërguari a.s.thotë: "Çdo fe e ka moralin e saj, kurse morali i islamit është turpi".(1)

Ashpërsia ka qenë e dukshme në mësimet çifute në kohën e Musait a.s., kurse toleranca ka qenë e dukshme në mësimet e krishterizmit në kohën e Isait a.s. Ndërkaq islami u dallua me turp. I dërguari a.s. thotë: "Vërtet, nga fjalët (urtitë) që bota i ka mbajtur në mend nga predikimet e pejgamberëve të mëparshëm është: Nëse nuk turpërohesh, atëher vepro ç'të duash".(2)

Nga ky hadith na vie urdhëri në formë të kanosjes dhe frikësimit, në kuptimin që, nëse nuk ke turp, bën çka të duash, por Allahu do të dënoj për këtë siç thotë vet Lavdiploti: " ...E ju pra veproni si të dëshironi, e ta dini se Ai sheh atë që punoni".(3)

Pra turp do të thotë ndalim i vetes prej punëve të papëlqyera duke u frikësuar prej pasojave të tij të rrezikshme. Për këtë edhe turpi ishte prej thesarit të pejgamberëve të mëparshëm, pra prej gjërave që ishin përcjellë dhe ishin trashëguar gjeneratë pas gjenerate derisa ka arritur te ne.

Nëse shoqëria jonë dëshiron që të trashëgoj diçka qysh prej kur është krijuar njeriu i parë si dhe prej të gjithë pejgamberëve, në mënyrën që e ka dashur Allahu i Madhërishëm, atëher kemi për obligim që të kapemi për këtë dhuratë të Zotit e që është turpi. Të cilësohemi me të derisa të ketë jetë mbi tokë.

Turpi është dy lloje:

Turpi natyror që është i lindur dhe i papërfituar: Ky është morali më i lartë të cilin Allahu ia dhuron njeriut dhe e krijon në të. Prandaj Pejgamberi a.s. ka thënë: "Turpi sjell vetëm mirësi".(4)

Turpi i përvetësuar: Është turp të cilin njeriu e arrin me njohjen e Allahu të madhështisë së Tij, ndjenjës së afërsisë dhe prezencës së Tij, diturisë së Tij gjithëpërfshirëse për çdo gjë. Kjo është shkalla më e lartë e ihsanit-bamirësisë.

Transmetohet se pejgamberi ju ka thënë shokëve: "Turpërohuni prej Allahut ashtu siç meriton. Ata i thanë: Ne turpërohemi prej Allahut, elhamdulilah. Ai tha: Jo, kështu, ai që turpërohet me të vërtet prej Allahut le të ruajë kokën dhe pjesët e saj, barkun dhe atë që e bart ai, ta përkujtoj vdekjen dhe vuajtjet. Kush e synon ahiretin, le të heq dorë nga zbukurimet e kësaj bote. Kush vepron kështu, ai turpërohet nga Allahu". (5)

Kur t'i lexojmë fjalët e profetit a.s. për ndjenjën e turpit kuptojmë vlerën dhe pozitën e kësaj cilësie në islam.Pejgamberi a.s. thotë: "Besimi është 73 gradë, grada më e lartë e tij është thënia Lailahe il-lAllah dhe më e ulta është largimi i pengesave nga rruga. Edhe turpi është pjesë e besimit".(6) Pra vërehet se në mbi 70 pjesët e besimit, pejgameri a.s. ka veçuar në mes besimit dhe largimit të pengesave nga rruga vetëm turpin, ndërsa pjesët tjera nuk i ka përmendur. Kjo, pasi ndjenja e turpit është ajo që të drejton drejt pjesëve të tjera .

Çdo vepër e mirë e ka burimin te turpi . Pejgamberi a.s. thotë: "Turpi dhe besimi janë unik (binjak): nëse mungon njëri, mungon edhe tjetri". (7)

Shkak i kësaj është ajo se, kur njeriu e humb turpin, ai shkon prej të keqës kah më e keqja, dhe zbret prej një pune të ligë, në një tjetër edhe më të ligë, dhe kështu vazhdon të ecë tatëpjetëzës derisa të përfundojë në shkallën më të ulët. Transmetohet nga pejgamberi a.s. një hadith i cili flet për periudhat e kësaj rënje, e cila fillon me humbjen e turpit dhe mbaron me pasojat e rrezikshme:

"Allahu i Lartësuar, kur don ta mposht një njeri, e mënjanon prej tij turpin. E kur i hiqet atij turpi, atëher do ta shohësh vetëm të urrejtur; e kur do ta takosh të tillë, prej tij largohet edhe besnikëria; e kur të largohet prej tij besnikëria, do ta shohësh atë vetëm tradhtar të madh. E kur do të jetë vetëm i tillë, atëher prej tij do të largohet edhe mëshira; e kur do të largohet edhe mëshira, ti do shohësh atë vetëm të braktisur e të mallkuar; e kur do ta shohësh vetëm të tillë, atëher ai do të dal prej lidhjes së fesë".(8)

Kjo është një rënditje precize në cilësimin e Pejgamberit a.s.: sëmundje e shpirtit dhe pasim i periudhave të tjera. Dhe u pa se si u transferua çdo periudhë e fëlliqur, në një tjetër edhe më të fëlliqur, në një tjetër edhe më të ligë. Çfarë dashurie e rrespekti mund t'i tregohet një njeriu që nuk posedon në shpirtin e tij ndjenjën e turpit si dhe nuk brengoset prej Zotit. Nuk e zbraps atë prej mëkateve asnjë fije turpi, dhe kur arrin njeriu në një gjendje të këtillë, atëher në të nuk ka besim për asgjë. Si mund t'i besohet atij ndonjë pasuri, kur ai nuk turpërohet aspak nga keqpërdorimi i saj; Apo, si mund t'i besohet atij në nderë, kur ai nuk brengoset se i turpëron njerëzit; apo, si mund t'i besohet atij ndonjë obligim, kur atij nuk i intereson fare se nuk e kryen .

Njerëzit e tillë që e kan humbë turpin dhe besën, ata shëndrrohen në egërsirë grabitçare dhe marshojnë të tërbuar pas epsheve të tyre, dhe për këtë qëllim i shkelin edhe ndjenjat më të pastërta. Kështu ata ua rrëmbejnë të varfërve pasurinë, pa ju ardhur aspak keq për ta, i shikojnë vuajtjet e të ngratëve dhe të dobtëve, e zemra e tyre nuk ndjen mëshirë ; egoizmi i tyre i përdhosur ka vënë para syve të tyre perde të errët, andaj nuk din tjetër gjë, pos lajthitjeve dhe mashtrimeve që i bëjnë në emër të epshit dhe pasurisë .Pejgamberi a.s. thotë: "Turpi është prej besimit, e besimi është në xhennet; ndërsa paturpësia është prej arrogancës, e arroganca është në zjarr( Ferr )". (9)

Turpi është kulminacioni i mirësisë, ai është element i vyeshmërsië në çdo punë që gjendet . Pejgamberi a.s. thotë: "Në çdo çështje që gjendet teprimi, e shëmton, e në çdo gjë që gjendet turpi, e zbukuron".(10)

Sigurisht nuk është e rastësishme kur shokët e pyetën Pejgamberin a.s. rreth turpit, se a ka lidhje me fenë, ai ju përgjigj: "Turpi përfshinë gjihtë fenë".(11)

Sikur turpi të shëndrrohej në trup, ai do të ishte simbol i mirëqenies dhe konsolidimit. Transmetohet prej Ajshes r.a., se Pejgamberi a.s.i ka thënë asaj: "Sikur të ishte turpi njeri, do të ishte njeri i devotshëm, e sikur të ishte e liga njeri, do të ishte njeri i keq".(12)

Mirëpo në disa raste kemi gjëra nga të cilat nuk duhet turpëruar prej tyre: Siç tham më herët se turpi i cili ndalon njeriun prej veprave të liga e të kota është i pranueshëm dhe sjell dobi. Ndërsa, kur të teprohet më shumë se ajo normale është e papranueshme sepse çon njeriun në situatë konfliktuoze dhe konfuze. Thuhet se turpi i njeriut në vendin jo të duhur është dobësi.

Sigurisht se për këtë ndjenjë kaq mashështore të cilën islami e ka ngritur shumë lart ka shumë për të folur, dha fatkeqësisht që në shkollat tona fillore dhe të mesme e të tjera nuk mësohet për moralin në përgjithësi dhe turpin në veçanti, andaj edhe kjo rini e jona është dhembshuri që nuk arrijnë dot të mësojnë për gjëra të tilla siç është morali dhe turpi, sepse njëherit morali islam shërben që ta mbroj shoqërinë nga dukurit negative dhe nga shkatrrimi i saj, dhe ilaqi i vetëm shërues i të gjitha këtyre dukurive e vetive negative që janë prezente tek ne dhe kudo tjetër është morali islam. Ua rikojtoj atyre të cilët janë larg këtij realiteti që ta dinë se është një Krijues dhe të gjithë ne jemi krijesa të Tij! Shikoni mirësitë e Tij ndaj jush dhe kini turp prej Tij. Syrin që e bëri të shikoj, veshin të dëgjojë, zemrën të ndjejë dhe çdo pjes që kemi, A nuk i vendosi Zoti të gjitha këto?! Dashuroni në rrugët haram me zemrën që ua dhuroj Allahu e nuk e doni Atë që ju krijoi, madje e keni harruar fare? Nuk harroni t'i duani njerëzit, ndërsa harroni Atë që ka krijuar çdo gjë?!

" O ti njeri, po ç'të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi".(13)

Pejgamberi a.s. thotë: "Allahut i vjen turp ta dënoj atë njeri që është thinjur në islam, a nuk ka turp ai i moshuar që bën gjynahe edhe pse gjithë jetën e kaloi në islam"?! (14)

E përmbylli këtë temë me lutjet që ia drejtoi Allahut të Madhërishëm që t'na e mundësoj ta ndjejmë prezencen e Tij ndërsa ndjenjen e turpit ta bëjë moralin tonë!

"O Zot, të lutem mos të më zë ajo kohë kur nuk pasohet i dituri dhe nuk turpërohet i urti".(15)

 

Lieteratura:

  • Saimir Bulku, Melhemet e Zemrës, libir 1, Botimi i dytë, Tiranë - Prill 2004
  • Sejid Sabik , Islamuna, Kajro - 2001
  • Imam Muhamed Gazali , Karakteri i muslimanit , Prishtinë 2002
  • Ebu Talib el- Meki, kuvvetu-kulub , http:/www.alwarrak.com
  • Ahmed Muadh hakki, Katërdhjetë hadithe mbi moralin, Shkup- 2005
  • Ibn Rexheb el-HAnbeli , Enciklopedia e dijenisë dhe urtësisë, Prishtinë-2007

 

Fusnotat:

  • 1. Transmeton Maliku.
  • 2. Transmeton Buhariu në El-Enbija dhe në El-Edebu, nr. 5769.
  • 3. Kur`ani: Fussilet, 40.
  • 4. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
  • 5. Tramsmeton Tirmidhiu dhe Imam Ahmedi.
  • 6. Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ib ë n Maxheh.
  • 7. Transmeton Hakimi.
  • 8. Transmeton Ib ë n Maxheh.
  • 9. Transmeton Ahmedi.
  • 10 . Transmeton Tirmidhiu
  • 11. Transmeton Taberaniu.
  • 12. Transmeton Taberaniu, Ebu Shejh, Hajthemi.
  • 13. Kur`ani:El-Infitar,6-8.
  • 14. Transmeton Hejthemi, Axhluni tek ``Keshful Hafa ``.
  • 15. Transmeton Ahmedi.
Kategori: Artikuj | Shtuar nga: shpend-xhelili (15/08/2009)
Klikime: 1090 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024