Lehtësimi i dhimbjes sipas sunnetit të Pejgamberit s.a.v.s.
Një kohë të gjatë te myslimanët ekziston traditë që fëmiut të porsalindur t'i vejnë në gojë një copëz hurmaje të përtypur mirë. Myslimanët këtë e bëjnë në bazë të praktikës së Pejgamberit s.a.v.s. i cili sipas Kur'anit është dërguar si mëshirë për mbarë njerëzimin.
Meqë kjo traditë është praktikë e Muhamedit s.a.v.s. padyshim në këtë ekziston urtësi e madhe. Por, përveç urtësisë dhe kënaqësisë në pasimin e sunnetit të Pejgamberit s.a.v.s. dhënia e "gjërave të ëmbla" fëmiut të porsalindur në mënyrë dramatike zvogëlon dhembjen dhe të rrahurat e zemrës së fëmiut.
Një hulumtim shkencor interesant që u publikua në "British Medical Journal", më 10 qershor 1995, tregoi se padyshim është e dobishme me i dhënë fëmiut të porsalindur sheqer për të zvogëluar ndjenjën e procedurave të dhembshme, sikurse shpuarja e shputës gjatë marrjes së kampioneve të gjakut ose para synetisë.
Hulumtimi me titull "Efekti analgjetik i sakarozës tek të porsalindurit" të cilin e kanë kryer Nora Haouari, Christopher Wood, Gillian Griffiths dhe Malcolm Levene në repartin post-natal të spitalit në Leeds të Anglisë, ku në hulumtim kanë marrë pjesë 60 fëmijë të shëndoshë të moshës 1-6 ditë pas lindjes, duke marrë 2ml të këtyre tretjeve: 12.5% sakarozë, 25% sakarozë, 50% sakarozë dhe ujë të sterilizuar.
Grupi i parë prej 30 bebeve kanë marrë shurup sheqeri para testit rutinor (marrje gjaku nga shputa që zakonisht është e dhembshme) për të zbuluar verdhëza.
Grupi tjetër i bebeve kanë marrë ujë të destiluar.
Dhënia e 2ml të tretjes 25% dhe 50% sakarozë në gjuhë të fëmijëve të porsalindur para shpuarjes në shputë, dukshëm ka zvogëluar kohën e qarjes në krahasim me bebet që kanë marrë vetëm ujë.
Gjithashtu të rrahurat e zemrës së tyre më shpejtë janë kthyer normales. Tretja e sheqerit më e fortë ka pasur efekt më të fuqishëm, koha e qarjes është zvogëluar me rritjen e koncentrimit të sakarozës. Nga kjo mund të konkludojmë që sakaroza mund të jetë analgjetik i dobishëm dhe i sigurt tek porsalindurit.
Blass dhe Hoffmeyer gjithashtu kanë treguar që dhënia e 12% të tretjes së sakarozës dukshëm ka zvogëluar kohën e qarjes tek porsalindurit gjatë marrjes së gjakut nga shputa dhe gjatë synetisë. Ky hulumtim është publikuar në revistën "Independent", më 1995, si dhe në "British Medical Journal".
Praktika e Pejgamberit s.a.v.s. është shënuar në përmbledhjet e haditheve, por shumica gjinden në dy përmbledhjet sahih të Buhariut dhe Muslimit: Ebu Budrah transmeton nga Ebu Musai i cili ka thënë: "Më lindi fëmiu, e dërgova te Pejgamberi s.a.v.s. dhe ai e emërtoi Ibrahim. Pejgamberi s.a.v.s. përtypi hurmanë dhe fërkoi gojën e fëmiut me këtë." Ekzistojnë edhe transmetime tjera të ngjashme.
Hurmaja përmban sasi të mëdha sheqeri (70-80%), gjithashtu përmban edhe fruktozë që ka vlerë kalorike të madhe, treten lehtë dhe janë të dobishme për trurin.
Hurmaja përmban 2.2% proteinë, vitaminë A, B 1, B 2 dhe PPF - i rëndësishëm te pelagra. Përmban gjithashtu minerale të nevojshme për organizmin si kalium, natrium, kalcium, hekur, mangan dhe bakër. Kalciumi përqindja e të cilit është e lartë, është i rëndësishëm në parandalimin e gjakderdhjes në rastet e lindjes ose synetisë.
Kemi vërejtur sipas sunnetit gjithashtu që agjërimin gjatë Ramazanit preferohet me e ndërprerë me hurma. Vlera e madhe e hurmasë gjithashtu është përmendur në versetet e Kur'anit fisnik në kaptinën Merjem:
"E ti shkunde trupin e hurmës se do të bijnë ty hurma të freskëta.
Ti pra, ha pi e qetësohu . . ." (Merjem, 25-26)
Kjo është recetë e Allahut, Krijuesit për Merjemen gjatë lindjes së Isait a.s. Kjo është recetë e cila lehtëson dhembjet e lindjes dhe parapengon gjakderdhjen e madhe.
Mesazhi i Kur'anit fisnik është i qartë për çdo kohë dhe vend:
"Ne do t'ua bëjmë atyre të mundshme që t'i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t'u bëhet e qartë se ai (Kur'ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?" (Fussilet, 53)
. Përktheu dhe përshtati: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi
|