E mërkurë, 24/04/2024, 14:13
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Kuran [24]
Sunnet [35]
Akide [48]
Fikh [46]
Tefsirë [48]
Sira [15]
Dave [9]
Tregime [99]
Urtësi [31]
Mesazhe Islame [105]
Artikuj [392]
Hutbe [91]
Arti Islame [18]
Pyetje & Përgjigje [520]
Poezi Islame [11]
Emra musliman [5]
Poezi Islame [94]
Kurani dhe shkenca [147]
Histori [26]
Familja Islame [106]
Shtyllat e Fesë [193]
Mësime ditore [43]
Ligjërata nga hoxha i nderuar Ulvi Fejzullahu
Video [44]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 1
Vizitorë: 1
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Artikuj

Koha dhe vlera e saj
Allahu xh.sh. e krijoi njeriun dhe çdo gjë që bëri në këtë tokë ia nënshtroi atij. Allahu njeriun e nderoi me shumë dhunti të cilat nuk ka mundësi ti numërojë sepse Allahu në Kur'an thotë:
 

"Dhe Ai ju dha gjithatë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t'i numëroni të mirat e All-Allahut, nuk do të mund të arrini t'i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës". (Kur'an, 14:34)

Prej dhuntive (të mirave) që Allahu i dha njeriut është edhe koha. Allahu na ka treguar në Kur'an dhe me gjuhën e të dërguarit të Tij për vlerën e kohës në jetën dhe punën tonë duke na përshkruar normat e sheriatit, duke precizuar kohën e tyre, gjithashtu na ka qortuar në qoftë se nuk përkujdesemi për ti kryer në kohën e duhur. Në këtë shohim nga i Lartmadhëruari xh.sh mësim, edukatë në renditjen dhe kryerjen e obligimeve tona në kohën e caktuar. Thotë Allahu xh.sh:

"Me të vërtetë namazi është obligim për besimtarët (në kohë) të caktuar" (Kur'an, 4:103)

Abdullah bin Mesudi thotë: "E kam pyetur të Dërguarin a.s: Cila është vepra me e dashur te Allahu? Ka thënë: "Namazi në kohën e vet". Buhariu

Namazi si obligim përsëritet pesë herë në ditë për besimtarin dhe besimtaren, në qoftë se e kryen në kohën e duhur ashtu siç është kërkuar prej tij, në shpirtin e tij mbjellet edukata e shfrytëzimit të kohës, përpikëria në orare dhe programimi i çdo pune me kohë të caktuar, e cila të shtyn në arritjen e qëllimeve në formën më të mirë.

Prej kësaj shohim urtësinë e madhe: se pse Allahu e pastaj i Dërguari i tij e veçuan namazin prej të gjitha obligimeve të shumta të cilat kanë kohë të caktuar. Sepse ajo përsëritet çdo ditë pesë herë, në një kohë të shkurtër kryerësi pajiset me një moral për programimin e kohës, bëhet i përpiktë me kryerjen e çdo obligimi në formën më të mirë dhe kjo pastaj te njeriu shndërrohet në një tradite natyrore në moralin e tij dhe jetën e tij.

Allahu gjithashtu na i ka precizuar edhe obligimet tjera me përjashtim te namazit edhe kohën e tyre, i ka caktuar kohë haxhit, zekatit, agjërimit, prerjes së kurbanit e të tjera.

Koha si njëra prej dhuntive më të mëdha që përmendëm më larte zë një vend të madh ne e citatet e Kuranit dhe fjalët e te Dërguarit a.s, të cilat na përkujtojnë vlerën e saj. Thotë Allahu në Kur'an:

"All-llahu është Ai që i krijoi qiejt dhe tokën, dhe Ai lëshoi prej së larti ujë (shi), e me të nxjerr fruta si ushqim për ju, dhe për të mirën tuaj u vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhrin e Tij, e në shërbimin tuaj i vuri edhe lumenjtë. Për ju i nënshtroi diellin dhe hënën që në mënyrë të zakonshme vazhdimisht udhëtojnë. Për ju përshtati edhe natën e ditën". (Kur'an, 14:32-33)

Allahu na dhuroi dhuntinë e ditës dhe të natës, dhe këto dyja se bashku janë koha për të cilën po flasim, me këto të dyja funksion kjo gjithësi e madhe nga fillimi i parë deri në përfundimin e fundit.

Thotë Allahu duke përforcuar këtë dhunti të madhe në ajetin e dytë :

"Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe diellin e hënën. Edhe yjet janë të nënshtruar me urdhrin e Tij. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon". (Kur'an, 16:12)

Allahu në fund të ajetit na sinjalizon se në këto dhunti ka argumente për ata të cilët mendojnë dhe logjikojnë.

Allahu i qorton pabesimtarët për shkak të kalimit të jetës së tyre dhe ata mbesin në pabesim me gjithë jetën e gjatë dhe kohën që Allahu ju dha në dispozicion. Ata nuk dalin nga pabesimi në besim, nuk e shfrytëzojnë këtë dhunti të Allahut për të hulumtuar që ta gjejnë të vërtetën po janë te dhënë pas gjërave të kësaj bote.

Thotë Allahu në Kur'an:

"Dhe ata do të klithin aty: "O Zoti ynë, nxirrna e të bëjmë vepra të mira, e jo si ato që i bënim!" Po a nuk u dhamë juve jetë aq saqë ai që ka dashur të mendojë, ka mundur të mendojë gjatë asaj kohe, madje juve u ka ardhur edhe pejgamberi, pra shijoni, se për zullumqarët nuk ka ndonjë ndihmëtar". (Kur'an, 35:37)

Ne në jetën tonë jemi të obliguar që të mendojmë dhe logjikojmë se kjo jetë duhet të jetë mejdan i besimit, përkujtimit dhe shfrytëzimit se në të kundërtën jeta e cila është koha do të jetë argument kundër nesh.

Ibnu Kethiri në komentimin e këtij ajeti thotë: "A nuk keni jetuar në dynja me vite të tëra (kohë të gjatë) sikur të kishit përfituar nga e vërteta do të kishit përfituar në periudhën sa keni jetuar". Katadeja thotë: "Dije se jetëgjatësia është argument kundër teje".

I dërguari a.s thotë: "Kujt Allahu ia jep gjashtëdhjetë vite jetë nuk do të ketë arsyetim para Allahut".

Në Kur'an kemi ajete të shumta të cilat na tërheqin vëmendjen rreth kësaj dhuntie të madhe.

Dhe na mjafton se Allahu në Kur'an në vende të ndryshme betohet në kohën për të treguar madhështinë dhe vlerën e saj, betohet Allahu në ditën, natën, agimin, mëngjesin dhe kohët tjera. Thotë Allahu në Kur'an:

"Pasha natën që me errësirë mbulon gjithësinë! Pasha ditën kur ajo shkreptin!" (Kur'an, 92:1-2)

"Edhe natën kur tërhiqet! Edhe agimin kur agon!" (Kur'an, 74:33-34)

"Pasha natën kur ajo ia beh me errësirë. Pasha agimin kur ia shkrep!" (Kur'an, 81:17-18)

"Pasha kohën!Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt." (Kur'an, 103:1-2)

Imam Raziu duke komentuar suren Asr thotë: Është betuar Allahu në Asr e cila është koha sepse në të ka gjëra të çuditshme, për arsye se në të njeriu gëzohet, zhgënjehet, sëmuret, shërohet, fiton dhe humb pasurinë, në jetë nuk ka asgjë më të shtrenjtë se koha. Sikur ti kalon një mijë vjet në gjëra të kota pastaj pendohesh arrin lumturinë në momentet e fundit do të jesh në xhennet përgjithmonë, e kupton se momentet më të mira të jetës tënde ishin ato momente dhe koha ishte prej dhuntive më të mëdha e për këtë është betuar Allahu në të , dita e nata janë dy shanse që njeriu i humb. E kupton se koha ka me vlerë se vendi për shkak se Allahu është betuar në të, arsyeja se koha është dhunti në të cilën nuk ka të meta por me të meta është ai që humb atë.

Të gjitha këto ajete në të cilat Allahu betohet në kohë e shohim se ajo është e domosdoshme për jetën e njeriut.

Ibnu Kajim Elxhevziu, thotë: Njeriu i ditur është i biri i kohës, në qoftë se e humb i humbin të gjitha të mirat, sepse të gjitha të mirat pikënisje e kanë kohën në qoftë se humb kohën nuk do ta arrin atë asnjëherë".

Thotë i Dërguari a.s.: "Nga dy dhunti janë të privuar shumë njerëz (nuk ua dinë vlerën): shëndeti dhe koha e lirë".

Imam Shafiu ka thënë: "I kam shoqëruar sufijet dhe nuk kam përfituar asgjë prej tyre me përjashtim te dy fjalive: koha është si shpata, në qoftë se nuk e pret të pret, e dyta shpirtin tënd në qoftë se nuk e angazhon në punë të mira do ta angazhosh në punë të liga".

Sot shohim shumë mysliman të cilët e kanë harruar këtë dhunti, mahniten dhe mësojnë se si te tjerët i bëjnë vetes axhendën e ditës dhe kryerjen e obligimeve me orar te programuar dhe duke shfrytëzuar kohën në maksimum, sikur ata (myslimanët) mos të jenë të njoftuar dhe edukuar prej ditës së parë me rregullat të cilat i vendosi Zoti i gjithësisë.

Këtu më poshtë do cekim disa shembuj se si të parët tanë e kuptuan kohën dhe vlerën e saj gjatë jetës së tyre dhe me veprimet e tyre e shfrytëzuan kohën në mënyrën më të mirë, iu dhanë leksion gjeneratave të mëvonshme se si duhet edhe ata të menaxhojnë me këtë dhunti të Allahut xh.xh.

Abdullah bin Mesudi ka thënë: "Nuk jam penduar për asgjë më shumë se sa për ditën në të cilën ka perënduar dielli, është shkurtuar jeta ime dhe nuk është shtuar puna ime".

Transmetohet se Amir bin Abdu Kajsin njërin nga tabiinet një rast i kishte thënë një njeri me fol diçka i thotë Amir bin Abdu Kajsi ndale diellin mos të lëviz pastaj unë do të flas, sepse koha lëviz, shkon dhe nuk kthehet pasi të kalon. Humbja e saj është nje humbje që nuk mund të kompensohet, se për çdo kohë kemi punë.

Halifja Omer bin Abdulaziz ka thënë: "Me të vërtetë dita dhe nata punojnë në ty andaj puno ti ne ato dyja".

Hasan el Basriu ka thënë: "O biri i Ademit, dije se ti je dita dhe çdo ditë që kalon ka kaluar një pjesë e jotja". Gjithashtu ka thënë: "Kam takuar njerëz te cilët i kanë kushtuar kujdes më shume kohës se sa i kushtoni ju dinarit dhe dërhemit".

Tregon Ibrahim bin Xherrah për Ebu Jusufin (nxënësin e Ebu Hanifes) i cili ndodhej në momentet e fundit të jetës së tij, thotë: "E kam vizituar (Ebu Jusufin), i kishte humbur vetëdija, pas pak i ka ardhur dhe më tha: çka thua për këtë çështje (për një nga çështjet e Islamit)"? Po i them: "Edhe në këtë gjendje?". Iu përgjigj (Ebu Jusufi): "Nuk ka problem mësojmë dhe ndoshta dikush ka dobi" .

Në një rast tjetër transmetohet se i ka vdekur djali mirëpo për të mos i ikur koha dhe nxënia e diturisë i angazhon fqinjët dhe të afërmit për përgatitjen e xhenazes së të birit.

Kjo është koha o vëlla i nderuar, të cilës të parët tanë i kushtuan kujdes dhe vëmendje, duke e kuptuar atë dhe vlerën e saj dhe duke mos lënë as momentin më të vogël që tu kaloj, duke u bërë shembull për gjenerata të tëra. Andaj edhe ne të përfitojmë nga kjo, para se të vijë ajo ditë ku Allahu thotë:

"Dhe ata do të klithin aty: "O Zoti ynë, nxirrna e të bëjmë vepra të mira, e jo si ato që i bënim!" Po a nuk u dhamë juve jetë aq saqë ai që ka dashur të mendojë, ka mundur të mendojë gjatë asaj kohe, madje juve u ka ardhur edhe pejgamberi, pra shijoni, se për zullumqarët nuk ka ndonjë ndihmëtar". (Kur'an, 35:37)

Falënderimi është për Allahun , selami për Muhamedin a.s., familjen e tij, shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.

Kategori: Artikuj | Shtuar nga: shpend-xhelili (15/08/2009)
Klikime: 1416 | Komentet: 1 | Ranguar: 4.4/5
Gjithsejt komente: 1
1 Behari  
1
Selam alejkum, Allahu ju shperbleft per punen qe po beni, me te vertet artikuj shum te mir...

Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024