Për më tej, ajo është virtyt i të dërguarve të Zotit si dhe i reformatorëve të cilët përpiqen në mënyrë të vazhdueshme dhe me vendosmëri për t'i realizuar misionet e veta.
Qëndrueshmëri do të thotë pandryshueshmëri, vendosmëri, të qenët i fortë në vendim, palëvizshmëri, palëkundshmëri, të qenët i patundshëm, këmbëngulësi, të qenët i fiksuar fort, vazhdimësi, të qenët jo ngurrues etj. Ndërkaq, antonimet e saj janë: teka, frikamania, indiferenca, joserioziteti, luhatja, lëkundja etj. E qëndrueshmëria, pra, me një fjalë, është akt apo gjendje e të qenët i qëndrueshëm. Për më tej, ajo është virtyt i të dërguarve të Zotit si dhe i reformatorëve të cilët përpiqen në mënyrë të vazhdueshme dhe me vendosmëri për t'i realizuar misionet e veta. "Gara fitohet avash-avash dhe duke mos u ndalur!", thotë një thënie e vjetër. Pa qenë i qëndrueshëm në mundime, njeriu nuk mundet të ketë sukses në objektivin e vet. Vetë jeta e Pejgamberit, alejhi selam, paraqet një shembull të shkëlqyer të një njeriu që u angazhua për misionin e vet, i cili punoi me vendosmëri karshi goditjeve të rënda dhe i cili, së fundi, arriti të konvertojë miliona njerëz në fenë e Allahut. Pejgamberi, alejhi selam, qe kundërshtuar, qe përqeshur, qe abuzuar, qe sharë, qe shtypur e qe provokuar në shumë mënyra, por asgjë s'mundte ta lëvizë madje as një centimetër nga rruga e udhëzimit. Pra, ai qe bojkotuar në aspektin social, pastaj shokët e tij qenë nënshtruar para barbarizmave të ndryshme; ai dhe shokët e tij qenë detyruar t'i braktisin shtëpitë e të kërkojnë strehim në vende të tjera, porse ai prapë pati mbetur i patrembur. Së këndejmi, vendosmëria e tij e qëndrueshme e kurorëzoi me sukses në qëllimin e tij fisnik, pas gjithë tejkalimeve të atyre gjendjeve të bezdisshme. Në përfundim, Islami i urdhëron ithtarët e vet që të jenë të qëndrueshëm dhe të durueshëm gjatë vështirësive e gjëmave të ndryshme që i sjell jeta. Si Kur'ani, ashtu edhe Sunneti i lavdërojnë ata që bëjnë durim ndaj fatkeqësive që u vijnë në rrugën e Allahut të Lartësuar dhe të njëjtëve u premtojnë shpërblime të pamasa.
Argumente nga Kur'ani
1) "O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtet Allahu është me durimtarët!" (Kur'an, 2: 153). 2) "A mos menduat ju se do të hyni në xhennet e Allahu pa e ditur (pa u vërtetuar në praktikë) se cilët prej jush kanë luftuar dhe pa e ditur cilët prej jush ishin të durueshëm?!" (Kur'an, 3: 142). 3) "Dhe respektojeni Allahun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake)! Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit!" (Kur'an, 8: 46). 4) "E, s'ka dyshim se ata që thanë: "Allahu është Zoti ynë", dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej!" (Kur'an, 41: 30). 5) "Ti (Muhammed) duro, ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur dhe mos kërko ngutjen e dënimit për ta, sepse ditën kur do ta përjetojnë atë (dënimin) që u është premtuar, atyre u duket sikur nuk kanë jetuar vetëm se në një moment të shkurtër të ditës. Kumtesë e mjaftueshme! A mos shkatërrohet kush, pos popullit të shfrenuar?" (Kur'an, 46: 35). 6) "Ne do t'u sprovojmë ju, derisa t'i njohim (të dihen konkretisht) luftëtarët dhe ata që ishin të qëndrueshëm nga mesi juaj, po edhe do t'i sprovojmë veprat tuaja!" (Kur'an, 47: 31).
Argumente nga Sunneti
1. Sufjan ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se ka thënë: "O i dërguari i Allahut, më trego gjëkafshë në lidhje me Islamin, për të cilën (gjë) do të kisha mundësi ta zbatoja pa pyetur njëri. Ai i tha: "Thuaj: "Allahu është Mbikëqyrësi im!" dhe pastaj ji i palëkundur në të!". [Transmeton Muslimi] 2. Ajsha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Vepra më e dashur te Allahu është ajo që bëhet në mënyrë të vazhdueshme, ndonëse mund të jetë e vogël!". [Transmeton Buhariu dhe Muslimi] 3. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: "Kjo fe nuk është e vështirë, dhe askush nuk guxon ta bëjë të tillë – ndryshe vetëm se do të përkeqësojë. Andaj, jini të qëndrueshëm, kërkoni afërsi, jepni lajme të mira, kërkoni ndihmë mëngjes e mbrëmje dhe një pjesë gjatë natës!". [Transmeton Buhariu]
Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 02.05.2009
Shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam Autor: Muhammed el-Kudri
|