E martë, 23/04/2024, 08:28
Eselamu alejkum Guest | RSS
Menya
Kategoritë
Edukata Islame [22]
Bashkëshortësia [35]
Gruaja në Islam [17]
Edukimi i fëmijëve [32]
Komentet
500
Na gjeni n'Youtube

Statistikat

Gjithsejt online: 6
Vizitorë: 6
Anëtarë: 0
Hyrja » Artikuj » Familja Islame » Edukimi i fëmijëve

Të drejtat e jetimëve
Të drejtat e jetimëve
 
 
  
Puna e parë që duhet thënë është se jetimët duhet trajtuar mirë. Kujdestarët duhet t'u ofrojnë atyre dashuri dhe dhembshuri sikur që do t'ua kishin dhënë fëmijëve të vet. Kur`ani Famëlartë na porosit: "...le t'i ruhen dënimit të All-llahut dhe le t'u thonë (jetimëve) fjalë prindore!" (Kur`an, 4: 9).
 Jetimët nuk duhet të malltretohen ose të shtypen. Kush ka ndër mend të marrë ndonjë jetim për ta ruajtur, le ta ruajë si duhet, përndryshe mos t'i hyjë kësaj pune! Për këtë gjë, Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Shtëpia më e mirë prej muslimanëve është ajo në të cilën jeton një jetim dhe i njëjti trajtohet mirë, ndërsa shtëpia më e keqe prej muslimanëve është ajo në të cilën jeton një jetim dhe ai trajtohet keq!". Përndryshe, janë premtuar shpërblime të mëdha për atë që ka sjellje të mirë ndaj jetimëve! Në shfletim të literaturës islame, do të dalim përballë thënies se All-llahu do ta fusë në Xhennet atë që përkujdeset për një jetim, kuptohet nëse i njëjti nuk vepron ndonjë mëkat të pafalshëm (si p.sh. shirku). Poashtu, me të vërtetë përkujdesësi i jetimit do të jetë në afërsi të Pejgamberit alejhi selam në Xhennet dhe vetë ai në një hadith të vet të bukur ka thënë: "Kush e ledhaton kokën e jetimit, do të marrë aq shpërblime sa qime i ka prekur dora e tij!!!".

Jetimëve duhet t'u sigurohet ushqim dhe veshmbathje. Atyre duhet t'u mësohen sjellje të mira dhe të edukohen në frymën e pastër islame. Në rast se prindërit, tanimë të vdekur, të ndonjë jetimi kanë lënë pasuri, kujdestari përgjegjës duhet t'i plotësojë nevojat e tij (jetimit) nga ajo pasuri, mirëpo nëse prindërit nuk kanë lënë aspak pasuri, atëherë kujdestari përkatës është i detyruar që nevojat e atij jetimi t'i mbulojë nga pasuria e vet. Së këndejmi, të shpenzuarit në rrugën e të Madhërishmit, respektivisht të mbuluarit e nevojave të ndokujt që është pa prindër, padyshim se është forma më e mirë e dhënies së lëmoshës dhe se i Mëshirshmi me Mëshirën e Vet do t'i shpërblejë ata njerëz që sigurojnë ushqim për të paushqyerit, ata që sigurojnë veshmbathje për të pambathurit, ata që sigurojnë strehë për të pastrehuarit dhe, posaçërisht, shpërblim të madh do t'u japë atyre që mbajnë tutori për fëmijët pa prindër.

Në Kur`anin Famëlartë gjenden vendime të prera rreth menaxhimit të pasurisë së jetimëve. Tutorëve, pra, rreptësisht u është ndaluar të bëjnë zëvendësim të pasurisë së tyre të amortizuar me pasurinë e atyre që i kanë nën përkujdesje. Ata gjithashtu janë paralajmëruar që mos ta përvetësojnë pasurinë e tyre në pasurinë e vet. Më tej, pasuria e jetimëve nuk duhet të shkapërderdhet nxitimthi e pa hesap duke e pasur në mendje idenë se ata mund të mos e kërkojnë atë (pasurinë). Libri i All-llahut i paralajmëron ata që gëlltisin prej pasurisë së jetimëve se faktikisht ata nuk janë duke bërë asgjë tjetër vetëm se janë duke futur zjarr në stomakun e tyre! Përfundimisht, uzurpimi i pasurisë së jetimëve është një prej mëkateve të mëdha dhe një i tillë që vepron ashtu - ai do të shkojë në Ferr!

 

Argumente nga Kur`ani

1) "Të pyesin se ç'duhet të japin. Thuaj: "Atë që jepni prej pasurisë jepni për prindërit, jepni për të afërmit, për jetimët, për të varfrit, për kurbetçinjtë!". E çdo të mirë që punoni, s'ka dyshim se All-llahu e di!" (Kur`an, 2: 215).

2) "(të mendoni) Për këtë botë dhe për botën tjetër! Të pyesin ty për jetimët. Thuaj: "Po t'i ndihmoni në punët e tyre është më mirë, e nëse i përzieni (pasurinë e tyre me tuajën), ata janë vëllezërit tuaj! All-llahu di ta dallojë qëllimkeqin nga qëllimmiri. E sikur të dëshironte All-llahu do t'ju rëndojë. All-llahu është më i fuqishmi, më i urti!" (Kur`an, 2: 220).

3) "Jetimëve jepuani pasurinë e tyre (kur të rriten), mos e ndërroni të pastërtin (mallin tuaj që e keni hallall) me të ndytin (me haramin) dhe mos e hani pasurinë e tyre (të përzier) me pasurinë tuaj, se ky është mëkat i madh!" (Kur`an, 4: 2).

4) "Provoni jetimët derisa të bëhen për martesë, e nëse vëreni te ta pjekuri, atëherë dorëzojani atyre pasurinë e vet! Mos e hani atë duke e shkapërderdhur dhe duke u ngutur para se të rriten ata! Kush është i pasur le të ruhet (shfrytëzimit të pasurisë të jetimëve), e kush është i varfër, le të hajë me maturi. E kur t'ua dorëzoni atyre pasurinë e vet, dëshmoni atë (që ju dorëzoni)! Mjafton që All-llahu është Llogaritës!" (Kur`an, 4: 6).

5) "Kur të prezantojnë në pjesëtimin e pasurisë që ua ka lënë i vdekuri të afërmve - jetimë e të varfër (që nuk janë pjesëtarë në trashëgim), jepuani nga ajo (pasuri e lënë) dhe atyre thuajuni fjalë të mira!" (Kur`an, 4: 8).

6) "Le të frikësohen ata (në prag të vdekjes) sikur të linin pas vete pasardhës të paaftë për të cilët kanë dro (si do të jetë gjendja e tyre) e le t'i ruhen All-llahut (dënimit të Tij) dhe le t'u thonë (jetimëve) fjalë prindërore! Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr dhe do të futen në zjarrin e Xhehennemit!" (Kur`an, 4: 9-10).

7) "Ju (besimtarë) ta dini se një e pesta e asaj që e fituat, nga ndonjë send, i takon (përkujtuesve të) All-llahut, të dërguarit të Tij, të afërmve të tij (të dërguarit), jetimëve, nevojtarëve dhe atyre në mërgim! (ky është përcaktimi i Zotit) E nëse keni besuar All-llahun, dhe atë (Kur'anin) që ia zbritëm robit Tonë (Muhammedit) ditën e furkanit (ditën e Bedrit, kur u dallua e vërteta nga e shtrembëra), ditën e konfrontimit të dy grupeve. All-llahu është i fuqishëm për çdo gjë!" (Kur`an, 8: 41).

8) "Mos e përdorni pasurinë e jetimit ndryshe vetëm në mënyrë më të mirë (për t'ia shtuar), derisa ai ta arrijë pjekurinë e vet! Premtimin zbatoni, se për premtimin (e dhënë) ka përgjegjësi!" (Kur`an, 17: 34).

9) "Atë që All-llahu nga banorët e vendeve (jobesimtare) ia dha pa luftë të dërguarit të Vet, ajo i takon All-llahut, të afërmve të të dërguarit, jetimëve, të varfërve, kurbetçinjve. (Kështu veprohet) Që ajo të mos ndahet ndërmjet pasanikëve tuaj. Çka t'ju japë Pejgamberi, atë merrni, e çka t'ju ndalojë, përmbanju dhe kini frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër!" (Kur`an, 59: 7).

10) "Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër!" (Kur`an, 76: 8).

 

Argumente nga Sunneti

1. Ebu Hurejra (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Shtëpia më e mirë prej muslimanëve është ajo në të cilën jeton një jetim dhe i njëjti trajtohet mirë, ndërsa shtëpia më e keqe prej muslimanëve është ajo në të cilën jeton një jetim dhe ai trajtohet keq!".
[Transmeton ibën Maxhe]
2. Ebu Umame (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Kush e ledhaton kokën e jetimit, do të marrë aq shpërblime sa qime i ka prekur dora e tij! Unë dhe ai që merr përsipër të kujdeset për ndonjë jetim do të jemi si këto dy gishta në Xhennet!".
[Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu]
3. Amër ibën Shuajbi rrëfen prej babait të vet, e ky prej gjyshit të vet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Vini re! Gjithkujt që i besohet ruajtja e ndonjë jetimi që ka pasuri, ai le të tregtojë me atë pasuri (le ta vejë në qarkullim) dhe mos ta lejë derisa ta lajë me zekat!".
[Transmeton ebu Davudi dhe Tirmidhiu]
4. Ibën Abbasi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Gjithsecili që e strehon një jetim me gjithë ushqimin që i nevojitet atij, me siguri se All-llahu i Lartësuar do t'ia japë Xhennetin, veçse nëse bën ndonjë mëkat që nuk falet! Gjithashtu, çdokush që i mirëmban tri bija të vetat duke u dhënë edukatë të mirë dhe duke qenë i butë me to, i Lartësuari do t'ia japë atij Xhennetin!", më pastaj, njëri prej të pranishmëve tha: "O i Dërguari i All-llahut, madje edhe nëse janë dy (vajza)?", e Pejgamberi alejhi selam ia ktheu: "Po, edhe nëse janë vetëm dy!". Një tjetër tha: "O i Dërguari i All-llahut! E nëse është vetëm një?", kurse Pejgamberi alejhi selam i tha: "Po, madje edhe nëse është vetëm një!". [Transmeton Bejhekiu]

 

 


 

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI 20.01.2008
Shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhammed el-Kudri

Kategori: Edukimi i fëmijëve | Shtuar nga: shpend-xhelili (13/09/2009)
Klikime: 952 | Ranguar: 0.0/0
Gjithsejt komente: 0
Only registered users can add comments.
[ Regjistrohu | Hyr ]
Kërko
Sinqeriteti n' FB
Radio Pendimi

Njëshmëria
Lidhje Islame
Miqtë e Allahut

Copyright © Sinqeriteti.com 2024